Kaskada Devollit, Berisha: Kompania bleu turbinat, do të nisë puna

Kryeministri Sali Berisha ka bërë me dije se sot kompani që do të ndërtojë kaskadën e Devollit ka nisur të blerë materialet e ndërtimit. Berisha komentet i ka bërë në rrjetin social “Facebook”, ku ka thënë se kompania norvegjeze “Statkraft”, ka porositur 6 turbinat e hidrocentraleve me një vlerë 100 milionë euro. Sipas Berishës kjo nismë tregon që kaskada e Devollit do të ndërtohet dhe të gjithë ata që na akuzuan për mashtrim të kërkojnë ndjesë.
“Të dashur miq, një lajm i mirë vjen për Shqiperinë nga Kaskada e Devollit. Kompania norvegjeze Statkraft, njëshi në botë në ndërtimin e hidrocentraleve e që ka marrë me koncesion ndërtimin e tre hidrocentraleve në këtë kaskadë, ka porositur 6 turbinat e hidrocentraleve të Kaskadës së Devollit me një vlerë 100 milionë euro tek kompania franceze Alstom dhe kjo lider botëror në prodhimin e turbinave. Ky është një hap tjetër madhor në ndërtimin e Kaskadës së Devollit një investim në tërësi prej rreth 1 miliard euro pra investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri. Ndërtimi i Kaskadës së Devollit filloi me dt 13 maj 2013. Ata që e quajtën mashtrim elektoral të kërkojnë ndjesë. Ajo do te punësojë direkt dhe indirekt mbi 5 mijë vetë në njërën nga zonat më të varfra të vendit. Me përfundimin e kësaj vepre shtohet me 700 GWh prodhimi vjetor i energjisë elektrike në vend. Ky zhvillim është një dëshmi tjetër madhore e suksesit të qeverisjes së PD-së në tërheqjen e investimeve të huaja dhe projektin tonë ‘Shqipëria vend i zhvilluar, lider në prodhimin e energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë! Sb”, u shpreh kryeministri në ikje.
SHEKULLI
Add new comment