Kandidaturat për kreun e policisë, më të fortët Niko Brahimaj dhe Artan Didi

Postuar në 18 Shtator, 2013 03:52

“Gjenerali” Bilbil Mema tërhiqet nga gara, do jetë civil

Ish-funksionari i lartë i policisë, Bilbil Mema, pritet të emërohet drejtor në ministri

Bledi Gilaj

Oficerët e parë, të cilët u liruan nga detyra, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, janë emrat kryesorë për të marrë drejtimin e policisë, të cilët janë edhe personat që kanë organizuar grupet e punës dhe i kanë propozuar ministrit të Brendshëm draftin për të nxjerrë policinë nga kjo gjendje. Artan Didi, Niko Brahimaj, emra të njohur si nga politika, po ashtu edhe nga uniformat blu, janë dy kandidaturat kryesore për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ndërkohë që bashkë me ta aspirojnë edhe disa oficerë të tjerë. Ndërkaq, një tjetër person që është afruar pas kaq shumë vitesh për policinë është “Gjenerali” Bilbil Mema, por mësohet se ai do të mbajë një funksion civil.

Rikthimi i oficerëve

Nga burime të besueshme pranë policisë mësohet se drejt rikthimit janë shumë oficerë, sidomos ata që pretendojnë se mund të ofrojnë ata që kërkon Partia Socialiste për rendin dhe sigurinë publike. Sipas të dhënave të besueshme, disa nga emrat më të spikatur drejt rikthimit në polici, janë Agron Sojati, i cili ka qenë shumë kohë i instaluar si oficer kontakti, Fadil Canaj, ish-zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, Mitat Tola, ish-funksionar i lartë i policisë rrugore, Arben Skendo, ish-drejtor policie, Artan Didi, ish-drejtor policie dhe Niko Brahimaj, ish-drejtor policie, personi që urdhëroi shoqërimin e Sali Berishës.

Kreu i policisë

Artan Didi

Por, nga të gjithë ish-funksionarët e lartë të policisë, të cilët kanë pasur karrierë të gjatë në radhët e uniformave blu, tre prej tyre janë më afër funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Një prej tyre është Artan Didi, i cili për disa vite ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që më parë, në karrierën e tij ka mbajtur disa funksione, ndër të cilët ka qenë edhe kreu i forcave speciale RENEA. Emri i tij ndiqet nga Niko Brahimaj, i cili është një kandidaturë e mundshme për funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ka qenë një ndër të liruarit e parë nga detyra pas ardhjes në pushtet të Berishës. Ai u transferua oficer roje në Has para se të pranonte të dilte në reformë, pasi nuk donte që të ulej në gradë, ashtu siç iu kërkua nga pushteti. Gjithashtu, kandidaturë tjetër e fortë për kreun e policisë është edhe Besnik Bregu, një tjetër oficer i liruar. Veç tyre, një tjetër emër që diskutohet nga stafi i ministrit të Brendshëm është edhe një oficer aktual, pikërisht Bujar Hoxha, kreu i antiterrorit për policinë shqiptare. Hoxha mund të emërohet edhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i policisë për Byronë e Hetimit.

Përplasja me ligjin

Por, një pengesë e fuqishme për emërimin e ndonjërit prej tyre është pikërisht ligji i policisë, i cili është ndryshuar që në vitin 2007. Ligji i Policisë së Shtetit shprehet qartë për kriteret që duhet të plotësojë kandidatura për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas nenit 21 të ligjit të Policisë së Shtetit, drejtor i Përgjithshëm i Policisë emërohet personi që ka shërbyer për një periudhë të paktën 3 vjet me gradën “Drejtues i Parë” ose më lart ose ekuivalentin e kësaj grade, që më parë ka qenë “Kryekomisar”. Gjithashtu, kandidati duhet të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 20 viteve të fundit. Pika e parë e këtij neni plotësohet nga të gjithë personat e lartpërmendur, por vështirësia haset në pikën e dytë, pasi pothuajse të gjithë oficerët e liruar kanë pothuajse tetë vjet që janë jashtë radhëve të uniformave blu. Në këto kushte, nga një përllogaritje e thjeshtë, edhe nëse ata kanë shërbyer për 16 vitet para pushtetit të Berishës, nuk i plotësojnë kriteret, pasi totali i viteve të fundit për të plotësuar një kusht të tillë e kalon kufirin prej 20 vitesh. Në këto kushte, Ministria e Brendshme pritet të ndryshojë ligjin për Policinë e Shtetit, pikërisht në këtë nen, ku është propozuar që pika e dytë të bëhet “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë emërohet personi që ka kryer jo më pak se 15 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetenca policore brenda 25 viteve të fundit”.

Kreu i SHKB

Ndërkaq, një tjetër drejtori e rëndësishme që do të ketë ndryshime është ajo e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që aktualisht drejtohet nga Bashkim Shehu, një tjetër i akuzuar nga PS-ja si militant i Partisë Demokratike. Për këtë post, nga burime pranë Ministrisë së Brendshme mësohet se kandidatura më e fortë është ajo e Arben Skendos. Ndërkohë, emri i Bilbil Memës, një ndër figurat më të rëndësishme të policisë, që u lirua nga detyra që në kohën e Nanos, nuk është lënë jashtë liste. Nga të dhënat mësohet se ai mund të marrë drejtimin e Drejtorisë së Kontrollit në Ministrinë e Brendshme, një strukturë e re që krijohet në këtë dikaster.

Qarkullimi rrugor

Ndërkaq, një tjetër shqetësim, i cili u vu re që në takimin e parë të Sajmir Tahirit me drejtuesit e policisë në vendin tonë, ishte ai i aksidenteve rrugore dhe numri i lartë i viktimave nga këto ngjarje. Në këto kushte, duket se ndryshimi i krerëve të kësaj strukture do të kryhet shumë shpejt dhe një ndër kandidaturat për të marrë drejtimin e policisë rrugore është ajo e oficerit të lartë, Mitat Tola, i cili që nga dalja në reformë, ka punuar si ekspert dhe studiues privat për sigurinë rrugore. Por, veç tij, në drejtimin e drejtorive kryesore të policisë pritet të rikthehen edhe disa nga emrat e lartpërmendur, që aktualisht janë edhe kandidatura për drejtor të Përgjithshëm. Veç tyre, vetëm dy net më parë, ministri i Brendshëm ka emëruar dy këshilltarë të tij, të cilët janë Bajram Yzeiri dhe Nikollë Rica. Emra të tjerë, që pritet të marrin funksione drejtuese janë edhe Arben Ujkaj, i cili aktualisht është në polici, Albert Para, oficer në lirim, Besnik Bregu, Neritan Nallbati, Pandeli Taçi dhe Agim Nurja, të cilët kanë dhënë asistencën e tyre gjatë gjithë këtyre viteve për oficerët e liruar. Madje, pothuajse të gjithë këta oficerë policie, dy net më parë kanë pasur një takim me ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri.

Vendimi

U përplas me Tahirin, transferohet Breçani

I pari i prekur nga reforma në polici ka qenë Erzen Breçani, nëndrejtori i policisë së Tiranës, i cili është transferuar në Dibër. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka emëruar dje si zëvendësdrejtor të Policisë së Tiranës, Arben Hysenajn. Nga burime pranë Ministrisë së Brendshme mësohet se Hysenaj është emëruar në vend të Erzen Breçanit, i cili është lëvizur nga posti që mbante. Burimet nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se Breçani është emëruar zëvendësdrejtor në Policinë e Dibrës. Breçani, dy ditë më parë nuk ishte i pranishëm në takimin e parë me policinë të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri. Breçani është një ndër njerëzit më të përfolur në mediat për qëndrimet e tij politike si edhe dhunën e ushtruar ndaj një kameramani të “Top Channel”. Urdhri për lirimin e tij mendohet se është dhënë nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Breçani ka pasur shpeshherë debate edhe me disa deputetë të Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale, të cilët e kanë akuzuar atë për veprime antiligjore gjatë procesit zgjedhor. Madje, ai ka pasur përplasje të ashpra edhe me vetë Tahirin, në kohën kur ky i fundit mbronte familje të ndryshme nga ish-pronarët, të cilët tentonin t’i nxirrnin nga banesat. Duke u nisur nga këto përplasje, që në momentin që Sajmir Tahiri është prezantuar nga Rama si ministri i Brendshëm i ardhshëm, ende i padekretuar, Erzen Breçani, ka kërkuar të largohet nga policia. Madje, një kërkesë të tillë ia kishte drejtuar edhe kreut të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ndërsa dje, ai është shprehur për mediat se ende nuk ishte vënë në dijeni të urdhrit të transferimit.

 

 

Urdhri

Ministri Tahiri: Policë, mos lejoni ndërtime me probleme

Ministri i Brendshëm ka urdhëruar që policia të mos lejojë punime në asnjë ndërtesë, e cila është me probleme ligjore. Tahiri ka dhënë këtë urdhër që dy net më parë, ndërkohë që policia i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Fakultetit të Ekonomisë për pezullimin e punimeve të një ndërtese pranë këtij fakulteti. Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit janë ndërprerë edhe punimet për ndërtimin e godinës. Prej disa ditësh, drejtuesit e Fakultetit të Ekonomisë në kryeqytet dhe studentët e këtij fakulteti kanë bojkotuar provimet në shenjë proteste. Ndërkaq, vendimin e Policisë së Shtetit për të ndërhyrë, duke pezulluar vijimin e punimeve te godina ngjitur me ambientet e këtij fakulteti e kanë cilësuar të drejtë. Drejtues dhe studentë të Fakultetit të Ekonomisë, theksojnë se janë në pritje të zhvillimeve të mëtejshme. Madje, studentët kanë brohoritur dhe duartrokitur për veprimin e policisë. Në mbështetje të këtij vendimi ishte edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka dalë publikisht në mbështetje të vendimit për bojkot pa afat të aktivitetit mësimor në Fakultetin Ekonomik, si protestë për uzurpimin e territorit të shkollës nga ndërtimet private. Në krah të stafit pedagogjik edhe të fakulteteve të tjera dhe përballë studentëve, rektori i Universitetit të Tiranës deklaroi se mbështet këtë vendim, pasi fenomeni është masiv. Rektori Kule ka kundërshtuar deklaratat e Bashkisë së Tiranës për mosndërhyrjen në ndërtesën në krah të fakultetit, si i ligjshëm. “Komentet juridike nga bashkia janë pa vlerë”, theksoi Kule.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.