Kandidati i PD, nën hetim për vrasje

Krimi në zgjedhje
Prokuroria e Kurbinit po verifikon rolin e Mëhill Fufit në vrasjen e Gjon Gjonit
Prokuroria nuk ka dhënë detaje, nëse Fufi hetohet si i dyshuar kryesor, apo si bashkëpunëtor
Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Mëhill Fufi, i cili nuk arriti të zgjidhet për legjislaturën e ardhshme, është nën hetim për vrasjen e simpatizantit të LSI-së ditën e zgjedhjeve në Laç. Informacioni konfirmohet nga burime të besueshme pranë Prokurorisë së Kurbinit, e cila ende nuk ka nxjerrë një emër për të dyshuarin kryesor të këtij krimi. Sipas hetimeve, deri tani nuk ka një informacion të saktë se kush ka qëlluar ndaj Gjon Gjonit, pavarësisht se të pranishëm kanë qenë disa persona.
Nga informacionet e mbledhura rezulton se Prokuroria e Kurbinit, në bashkëpunim edhe me policinë, kanë shoqëruar mbi 30 persona, në cilësinë e atyre që kanë dijeni për atentatin ndaj simpatizantit të LSI-së, i cili u vra ditën e zgjedhjeve pranë qendrës së votimit në Lezhë, ku mbeti i plagosur dhe kandidati i Partisë Demokratike, Mëhill Fufi. Por, asnjë prej tyre nuk ka dhënë një dëshmi të vlefshme për hetimin, duke iu shmangur përgjegjësisë, pasi kanë deklaruar se nuk e dinë se kush ka qëlluar mbi Gjon Gjonin. Këta persona, sipas burimeve policore, nuk ka pranuar ta identifikojë autorin, nga frika e hakmarrjes. Megjithatë, grupi hetimor në vendngjarje ka mbledhur prova shkencore, si gjurmë gjaku, të cilat janë dërguar për ekzaminim në laborator dhe mund të çojnë në identifikimin e autorit të ngjarjes.
Nga ana tjetër, prokuroria do rimarrë në pyetje të gjithë personat që kanë qenë të pranishëm në momentin e përplasjes me armë, duke mos përjashtuar asnjë nga hetimi. Një prej tyre është edhe kandidati i PD për Lezhën, Mëhill Fufi, i cili mbeti i plagosur në këtë përleshje. Burimet nga prokuroria nuk kanë dhënë detaje mbi rolin e kandidatit të PD në këtë përleshje, pasi sipas tyre, kjo do të saktësohet në përfundim të procedimit penal. Ndërkaq, ende nuk është i qartë edhe motivi i konfliktit që solli një person të vrarë dhe dy të plagosur, pasi dyshimet e para kanë të bëjnë me një konflikt që kishte ndodhur një natë para vrasjes. Sipas informacioneve të mbledhura, rreth orës 22.40 të së shtunës, në superstradën Fushë Krujë–Laç janë goditur me sende të forta Erjon Buzani, rreth 31 vjeç dhe Donard Kekenezi, 20 vjeç, që të dy nga Tirana, shoqërues të kandidates për deputete të LSI, Monika Kryemadhi.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, mësohet se Buzani dhe Kekenezi kanë qenë duke rrugëtuar me mjetin e tyre në aksin rrugor Fushë-Mamurras – Mamurras dhe janë ndaluar nga disa persona, që për zyrtarët e policisë janë ende të paidentifikuar dhe më pas janë goditur me sende të forta. Sipas dëshmive të personave të plagosur, ata janë ndaluar nga disa të rinj, të cilët, pasi i kanë detyruar të ulen nga makina, u janë drejtuar me fjalët se përse bëjnë fushatë për LSI nga Tirana në Mamurras dhe më pas i kanë goditur me mjete të ndryshme, duke u kërkuar që të largohen nga Mamurrasi. Por, dy të dëmtuarit kanë njoftuar forcën e tyre politike dhe kanë përfunduar për kurim në spital.
Fillimisht është menduar se policia do të merrte masa paraprake, por nuk ka rezultuar kështu, kur në mëngjes ka ardhur përplasja me armë, duke shkaktuar një tragjedi, ngjarjen më të rëndë për ditën e zgjedhjeve. Rreth orës 10:30 të së dielës, Gjon Gjoni nga qyteti i Laçit, i cili ishte caktuar si një nga vëzhguesit e LSI-së për KZAZ-në në Laç, ka takuar kandidatin për deputet të Partisë Demokratike, Mëhill Fufi.
Në këtë takim, sipas dëshmitarëve okularë, të cilët ishin të frikësuar nga tmerri i përjetuar, Gjoni ka akuzuar Fufin për dhunën e ushtruar ndaj dy të rinjve të LSI. Në ato momente, Gjoni shoqërohej nga Enver Curri, i cili është kunati i tij, ndërkohë që Fufi shoqërohej nga kushëriri i tij, Kastriot Fufi dhe një person tjetër, i paidentifikuar. Në momentin e debatit, palët ishin vetëm dhjetë metra larg ambienteve të KZAZ-së së Laçit, pikërisht pranë derës së jashtme të shkollës së mesme “At Shtjefën Gjeçovi”. Sipas dëshmitarëve, në momentin që Gjoni ka akuzuar Fufin, dy personat që e shoqëronin, e kanë goditur me leva në kokë 49-vjeçarin. Menjëherë ka reaguar kunati i tij, Enver Curri, i cili mendohet se ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar në ajër, por në atë kohë, një nga tre personat e palës tjetër ka marrë një kallashnikov në makinë dhe ka qëlluar në drejtim të Gjonit, duke e lënë të vdekur në vend. Red. Akt.
SHQIP
Add new comment