Kandidatët e PS, favoritët për postet e zëvendësministrave dhe prefektëve

Zëvendësministrat - Rreth 38 zëvendësministra pritet të bëhen së shpejti pjesë e qeverisë së re të drejtuar nga Edi Rama. Pjesa më e madhe e tyre pritet të vijë nga listat e kandidatëve të PS-së
Prefektët - Me nisjen e punës së qeverisë së re, pritet të emërohen edhe 12 prefektët e rinj në vend, të cilët janë zgjatime të drejtpërdrejta të ekzekutivit në pushtetin vendor. Këto pozicione janë të lakmueshme edhe nga aleatët
Kërkesa - Si pasojë e nenit 164/2 të Kodit Zgjedhor në Kuvendin e ri, do të hyjnë 14 deputete femra nga qarqet Tiranë, Lezhë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër. Aktualisht është duke u diskutuar kjo pjesë[/callout]
Procesi
Ndarja e posteve me përfaqësuesit që nuk fituan mandatin e deputetit vonon diskutimet me aleatët
Fatjona Mejdini
Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama, ka vendosur të përfshijë në pozicione të rëndësishme në qeverinë e tij kandidatët për deputetë socialistë që gjenden në listë menjëherë pas atyre që kanë fituar mandatin. Burimet nga selia rozë, bënë të ditur për “Shqip”, se aktualisht mes Ramës dhe kandidatëve për deputetë që gjenden menjëherë pas fituesve në lista, kanë nisur negociatat për shpërndarjen e posteve të rëndësishme në ekzekutiv, siç janë zëvendësministrat, drejtuesit e agjencive qendrore dhe po kështu prefektët e qarqeve. Burimet bëjnë të ditur se këto diskutime, që do të kënaqnin interesat e socialistëve që kanë qenë pjesë intensive e fushatës zgjedhore dhe kanë dhënë kontributin e tyre në rezultatin e PS-së më 23 qershor, kanë kaluar në një plan të dytë negociatat me aleatët e PS-së. Në këto momente, aleatët ende nuk janë informuar në lidhje me mundësitë e plotësimit të kërkesave të tyre nga ana e kryetarit të PS-së, Edi Rama, dhe kjo gjë pritet të ndodhë në momentin kur mes tij dhe kandidatëve socialistë në listat për deputetë të jetë ndarë pushteti ekzekutiv. Po kështu, Rama është duke diskutuar në lidhje me deputetët e rinj, të cilët do të jenë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, si pasojë e lënies së mandatit nga ana e 19 ministrave të kabinetit të tij qeveritar. Nga ana tjetër, aleatët socialistë, që janë pjesë e koalicionit të majtë fitues të zgjedhjeve, duket se kanë krijuar një padurim për t’u informuar në lidhje me përfaqësimin e tyre në qeverinë e ardhshme. Të kontaktuar nga gazeta “Shqip”, ata kanë theksuar se i kanë dërguar kryeministrit të ri listën me kërkesat e tyre për ndarjen e pushtetit, por ende nuk kanë marrë një përgjigje në lidhje me to. Kryetari i Partisë Kristian-Demokrate e Shqipërisë, Mark Frroku, theksoi se kjo parti priste të përfaqësohej në qeverinë e re minimalisht me një zëvendësministër dhe po kështu me një prefekt, pa llogaritur postet e tjera në nivel lokal që do të përfitonte si pasojë e marrëveshjes parazgjedhore me PS-në. Por dhe Frroku theksoi se ai ishte ende në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga ana e kryetarit të PS-së, në lidhje me kërkesat që kishte bërë.
Socialistët
Burimet nga selia rozë bëjnë të ditur se aktualisht kryeministri i ri i zgjedhur, Edi Rama, është duke u dhënë “dorën e fundit” diskutimeve me kandidatët e PS-së jo deputetë në 12 qarqet e vendit në lidhje me ndarjen e pushtetit ekzekutiv. Vetë Rama duket se ka pasur prioritare kënaqjen e interesave të njerëzve që ndonëse kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për PS-në gjatë fushatës zgjedhore nuk arritën dot të merrnin mandatin e deputetit. Këta njerëz janë në krye të të zgjedhurve për të mbajtur postet e zëvendësministrave të rinj dhe po kështu drejtorëve të agjencive kryesore qeveritare në vend. Por edhe për pozicionet e 12 prefektëve në vend mësohet se kandidatët socialistë, të cilët nuk arritën të merrnin dot mandatin e deputetit do të jenë prioritarë. Duket se diskutimet për ndarjen e këtij pushteti fillimisht në PS, ka shtyrë për një fazë të mëvonshme negociatat me aleatët, të cilët pritet të zhvillohen në një fazë të mëvonshme të ndarjes së pushtetit.
Aleatët
Aktualisht aleatët e Partisë Socialiste nuk kanë marrë përgjigje nga kryeministri i ri i zgjedhur në lidhje me kërkesat e tyre për ndarjen e pushtetit, të cilat i kanë depozituar pranë zyrës së tij rreth një muaj më parë. Të kontaktuar nga “Shqip”, aleatët theksojnë se momentalisht ata ende nuk kanë ndonjë përgjigje nga Rama në lidhje me kërkesat e tyre dhe janë në pritje të saj. Po kështu, ata ende nuk kanë një ide se cila do të jetë koha në të cilën do ta marrin këtë përgjigje. Në një konferencës për shtyp, Mark Frroku theksoi se partia që ai drejtonte priste të përfaqësohej me një zëvendësministër dhe po kështu me një prefekt, në një nga qarqet kryesore të vendit. “Propozimet tona konkrete janë në nivelin e dytë, që do të thotë prefekt në Qarkun e Shkodrës, Tiranës, Durrësit apo dhe të Elbasanit. Në nivel zëvendësministrash, që ne akoma nuk kemi bërë propozim konkret, jemi fokusuar thjesht te kërkesa jonë për një zëvendësministër. Pastaj në nivele të tjera, që janë në nivel drejtorie, mendojmë që në javët e ardhshme të jenë kërkesa të sakta”, deklaroi Frroku në një konferencë për shtyp.
Prioriteti
LSI, forca e vetme që ka ndarë pushtet me PS-në
Lëvizja Socialiste për Integrim, e drejtuar nga Ilir Meta, pritet të përcaktojë në ditët në vijim edhe ndarjen e pjesës së mbetur të pushtetit mes saj dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës. Aktualisht LSI-ja është e vetmja nga 35 partitë aleate të së majtës, që ka arritur të përfaqësohet me ministër në kabinetin qeveritar. Përfaqësuesit e saj kanë përfituar plot pesë poste ministrash në kabinet dhe po kështu një tjetër përfaqësim i rëndësishëm pritet të jetë ai në nivel zëvendësministrash. Nisur nga rezultati që kjo forcë politike mori në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, ajo konsiderohet si një nga favoritet kryesore, krahasuar me aleatët e tjerë në kuadër të ndarjes së pushtetit. Gjithsesi për momentin procesi i ndarjes së mëtejshme të pushtetit mes PS-së dhe LSI-së nuk ka vijuar dhe pritet të nisë në javën e ardhshme.
SHQIP
Add new comment