KALKULIMET E KRASNIQIT

Postuar në 01 Prill, 2013 03:38

 

Jakup Krasniqi nuk ka bërë asnjë lëvizje në PDK, prej pesë javësh kur deklaroi se nuk e pranon postin e anëtarit të Kryesisë. Burime të Express kanë thënë se ai po e pret përfundimin e procesit gjyqësor ndaj Fatmir Limajt për të sqaruar edhe pozicionin partiak. Në PDK thonë se pavarësisht deklarimeve të Krasniqit, ai nuk do të zëvendësohet në Kryesi ku është emëruar javë më parë.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk e ka bërë më asnjë hap prej se e publikoi letrën e dytë, më 22 shkurt të këtij viti, me të cilën njoftonte se nuk e pranon postin e anëtarit të Kryesisë së PDK’së.

Ai kishte thënë se nuk dëshiron pozita të falura nga një proces i manipuluar zgjedhor brendapartiak.

Por, ish-Sekretari i Përgjithshëm i PDK’së që është emëruar si anëtar i Kryesisë nuk është zëvendësuar me asnjë anëtar tjetër të PDK’së në këtë pozitë.

Express ka provuar të marrë një qëndrim të Krasniqit, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Sidoqoftë, burime të Express kanë thënë se Krasniqi po pret të sqarohet procesi gjyqësor ndaj Fatmir Limajt për të marrë vendimin final.

“Opsioni i parë është qëndrimi në PDK dhe rikthimi i procesit zgjedhor në Parti në pikën zero”, ka thënë një zyrtar i afërt me Krasniqin.

“Mundësia e dytë është që Krasniqi bashkë me Fatmir Limajn të formojnë një parti të re ose edhe t’i bashkohen ndonjë partia tjetër, duke mbetur si opsion edhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, në PDK nuk dëshirojnë të flasin për pozicionin e Jakup Krasniqit.

Sekretari i ri i kësaj partie, Basri Musmurati ka thënë se pavarësisht nëse Krasniqi nuk e pranon pozitën e re në parti, ai nuk do të zëvendësohet.

“Ne s’kemi folur për pozitën e z. Krasniqi, ai e definon vetë”, ka thënë Musmurati.

“Ne nuk bëjmë zëvendësime sepse Kryesia e PDK’së ka mjaftë anëtarë, janë 33”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, Fatmir Limaj, i cili po ashtu është emëruar anëtar i Kryesisë së PDK’së, nuk e ka thënë asnjë fjalë për PDK’në prej momentit kur ka rifilluar procesi gjyqësor ndaj ti për krime lufte.

Ish-Nënkryetari i PDK’së është duke u përballur edhe me akuza për krim dhe korrupsion për kohën sa ka qenë në postin e Ministrit të Transportit dhe Postë Telekomit.

Ndërkohë gjatë javës së kaluar Krasniqi është takuar me liderin e VV’së Albin Kurtin me të cilin ka folur edhe për opsionin e rrëzimit të qeverisë. Pas takimit Kurti ka folur fjalë të mira për Krasniqin.

 

 

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.