Këlcyrë, pranga 2 zyrtarëve për shpërdorim detyre

PERMET- Dy zyrtarë vendorë të rrethit të Përmetit janë arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Policia Rajonale ka operuar përmes operacionit të koduar “Asistenca” për të bërë të mundur, arrestimin e kreut të Zyrës së Përkrahjes Sociale në Bashkinë Këlcyrë, Elidon Beqiri dhe kreut të Zyrës së Punës në rrethin e Përmetit, Erald Ristani.
Të dy këta, akuzohen se kanë lëshuar vërtetime për përfitim të asistencës sociale, të disa personave duke i shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit të shtetit prej 2 milionë lekësh, që janë tërhequr në mënyrë abuzive nga persona të punësuar me sigurime në sektorin privat.
Në gjendje të lirë ndiqet edhe specialistja e Zyrës së Përkrahjes Sociale të Bashkisë së Këlcyrë Floresha Shahu për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore, si dhe pesë personat përfitues të parregullt të asistencës ekonomike të cilët e kanë tërhequr atë për pesë vite me radhë.
Policia e Përmetit ka vijuar hetimet edhe përgjatë ditës së sotme, pasi mendohet se numri i përfituesve të rremë të asistencës sociale mund të jetë shtrirë jo vetëm në Bashkinë e Këlcyrës dhe të Përmetit, por edhe në njësitë e tjera vendore të këtij rrethi.
PANORAMA
Add new comment