Juristët: Berisha shkeli ligjin me vendimin për importin e mijëra ton plehrave

Opinioni publik u shokua kur mësoi se kryeministri në largim, Sali Berisha, i hapi rrugën dje mijëra ton plehrave për të hyrë në Shqipëri.
Por juristët thonë se Berisha ka shkelur ligjin me këtë veprim.
Duke folur për A1Report, Sokol Hazizaj thotë se me këto dy vendime, Berisha ka shkelur ligjin dhe moralin e një qeverie në ikje.
“Sa kam informacion është duke u ezauruar dhe hapi procedural dhe administrativ i referendumit për jo ose po mbetjeve toksike në vendet fqinje apo diku tjetër. Mendoj se edhe në këtë lloj dimensioni edhe moralisht edhe ligjërisht kjo qeveri i ka konsumuar të gjitha efektet ligjore për të mos kryer, për të mos konsumuar, për të mos administruar asnjë lloj vendimi që vjen përpos dhe kundër interesave të qytetarëve”, tha Hazizaj.
“Nuk mundet dhe nuk ka sesi qeveria shqiptare në ikje të ndërmarrë iniciativa ligjore që cenojnë shtyllat themelore të shtetit, buxhetin, të drejtën për të jetuar të njeriut, të drejtën për të banuar të qytetarit, të drejtën konstitucionale të garantuar tashmë nga Kushtetuta e Shqipërisë. Kjo qeveri po cenon gurin themeltar të vijimësisë së jetës së qytetarit, kushtetutën”, u shpreh Hazizaj.
Nga ana tjetër Aleanca Kundër Importit të Plerave, të cilët qenë edhe nismëtarët për mbajtjen e një referendumi, janë shprehur se vendimet e qeverisë po ndërmerren për të kënaqur disa klientë vendas apo të huaj qofshin.
Po ashtu ata kanë hedhur hije dyshimi mbi njërën nga kompanitë që ka marrë tashmë autorizimin e kryeministrit në largim Sali Berishës, ajo e quajtur “Vale recycling”, duke u shprehur se nuk mund të bëjë riciklim pasi nuk i ka kushtet.
“Kjo kompani nuk është se ka në dispozicion të saj teknologji për shkrirjen dhe menaxhimin e gjithë këtyre mbetjeve, ajo i merr për t’i ruajtur ato dhe ne nuk dimë nëse këto mbetje të vendosura diku në territorin e Shqipërisë nuk do të shpërndarë në hapësirë duke kontaminuar më tej ujërat e ndryshme, sidomos në territorin e Shqipërisë gjë që është shumë delikate, sidomos si rrjedhojë e damarëve ujorë të shumtë që ka. Apo do të shkojnë diku tjetër, ndoshta destinacioni mund të jetë metalurgjiku”, tha Lavdosh Feruni./ep
Tema
Add new comment