Jemen, tentohet rrëmbimi i ambasadores Holtkemper, vritet truproja i saj

Një punonjës i ambasadës gjermane në Jemen është qëlluar për vdekje, gjatë tentativës për të rrëmbyer ambasadoren Carola Mueller-Holtkemper. Lajmi është bërë e ditur nga mediat ndërkombëtare, të cilat kanë sqaruar se sulmi ndodhi jashtë një supermarketi në kryeqytetin e distriktit Hadda, ku gjendet ambasada gjermane dhe disa ambasada të tjera të huaja.
Viktima raportohet të jetë një punonjës i sigurisë, që kishte për detyrë të ruante ambasadoren Carola Mueller-Holtkemper, emri i të cilit ende nuk është publikuar. Zyrtarë të shtetit gjerman kanë deklaruar se janë duke verifikuar raportimet, ndërkohë që Ministria e Jashtme gjermane ka deklaruar për BBC se ende nuk mund të konfirmojë raportimet e dhëna së fundi.
Sipas AFP ambasadorja ka mundur të shpëtojë, por roja e saj u qëllua për vdekje, teksa po përpiqej t’i rezistonte sulmuesve, që mundën të largoheshin nga vendngjarja.
Gjermania, së bashku me disa shtete të tjera perëndimore, mbylli menjëherë ambasadën e saj në Jemen gjatë muajit gusht, kur Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një sulm madhor të militantëve islamik në Lindjen e Mesme. Jemeni është duke vuajtur një situatë të përgjithshme jashtë kontrollit ligjor, një kryengritje të një grupi islamik të al-Qaeda-s dhe përçarjet brenda ushtrisë së vendit.
Carola Mueller-Holtkemper ka qenë e akredituar në Tiranë, nga ku është larguar vetëm pak muaj më parë pas mbarimit të mandatit të saj, duke u emëruar si e dërguar e Berlinit në Jemen.
Shqip
Add new comment