JAHJAGA NË HALL ME ZGJEDHJET LOKALE

Presidentja Atifete Jahjaga po përballet me vështirësi për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale.
Për këtë ajo është duke zhvilluar takime me udhëheqës vendës dhe ndërkombëtarë.
Të premten, ajo ka takuar shefin e Zyrës së BE'së në Kosovë Samuel Zbogar ku ka paralajmëruar se zgjedhjet lokale do të mund të mbahen në gjithë Kosovën mes datave 20 e 27 tetor.
Por ende nuk dihet nëse kjo do të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet, për shkak të proceseve të ndryshme që po zhvillohen në vend.
Burime brenda Presidencës kishin deklaruar ditë më parë se shefja e shtetit po shqyrtonte dy data brenda muajit shtator, por kjo shtyrje e zgjedhjeve vjen për shkak të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, ku parashihet që zgjedhjet në komunat Veriore të mbahen gjatë muajit tetor.
"Për të respektuar marrëveshjen e arritur në Bruksel mbeten datat 20 dhe 27 tetor si data të mbajtjes së zgjedhjeve komunale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës", thuhet në njoftimin e Presidencës pas takimit me Zbogar.
"Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, zotëri Samuel Zbogar, me të cilin bisedoi për procesin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, të cilat sipas ligjit aktual duhet të mbahen përfundimisht deri më datën 15 dhjetor, ndërsa sipas marrëveshjes të arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, zgjedhjet për 4 komunat në veri të Kosovës, Leposavic, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, duhet të mbahen brenda muajit tetor", thuhet më tej në njoftim.
Me këtë rast, Zbogar ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të lira dhe të ndershme dhe të kenë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve dhe me këtë premtoi ndihmën e OSBE'së dhe angazhimin konkret.
EXPRESS
Add new comment