Jahjaga: Kosova nuk e lejon referendumin serb

Serbia nuk mund të organizojë referendum brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Kjo është përgjigja që presidentja Atifete Jahjaga, ka transmetuar përmes zëdhënësit të saj Arbër Vllahiu, pas deklaratave të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, se nëse është e nevojshme për marrëveshjen e Brukselit do të organizohet edhe referendumi, duke përfshirë edhe territorin e Kosovës.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Vllahiu ka thënë se asnjë shtet tjetër përveç Kosovës nuk mund të organizojë referendum në territorin e Republikës.
“Forma dhe mënyra e organizimit, çështjet që trajtohen në një referendum dhe thirrja për referendum është e përcaktuar me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Asnjë shtet tjetër nuk mund të organizojë referendum në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Vllahiu.
Ideja për referendumin rreth marrëveshjes Thaçi – Daçiç ka lindur pas takimit që liderët e komunave veriore të Kosovës zhvilluan të enjten me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, përkatësisht Aleksander Vuçiç.
Liderët e komunave veriore të Kosovës kishin insistuar që Serbia të përcaktohej nëse ishte për marrëveshjen apo për mbajtjen e Kosovës në Serbi, pasi që me marrëveshjen ata mendojnë se po shkëputen nga shteti serb dhe integrohen në shtetin e Kosovës.
PANORAMA
Add new comment