Ja kush do e drejtojë fushatën e PD, Bumçi në Tiranë, Halimi në Durrës

Berisha thotë se do bëjë koalicion të madh, duke përjashtuar FRD-në e Topit
Pas takimit me Komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, kreu i PD mblodhi grupet e punës për zgjedhjet, për të diskutuar se kush do e drejtojë fushatën në qarqe.
Edhe në zgjedhjet e 23 qershorit grupet e punës do të drejtohen nga thuajse të njëjtët që ishin katër vite më parë. Ndryshimi i vetëm është emërimi i ministrit Eduard Halimi në krye të grupit të punës në qarkun e Durrësit duke zëvendësuar kështu Ferdinad Xhaferrin.
Në Tiranë, qarku më i madh, që nxjerr 32 deputetë, mësohet se do të jetë kreu i PD-së së kryeqytetit, Aldo Bumçi, i cili do të drejtojë fushatën.
Ndërkohë që qarqet e përfolura, Lezha dhe Dibra, nuk do të ndryshojnë drejtues, ku sërish si në vitin 2009 do të jenë Edi Paloka dhe Jemin Gjana.
Burime nga kjo mbledhje kanë bërë të ditur për gazetën Panorama se në 120 minuta takim u prezantua strategjia e fushatës së PD-së, e cila do të jetë e njëjtë me atë të ndjekur në zgjedhjet lokale të dy viteve më parë për Bashkinë e Tiranës.
“Ne jemi ndryshimi, përpara” do të jetë slogan ynë. Ky slogan shpreh më bukur se çdo slogan tjetër realitetin që kemi krijuar dhe vizionin që ne paraqesim. Një mijë herë po ta mendosh, nuk mund të gjesh cilësim dhe kualifikim tjetër përveçse “ne jemi ndryshimi, po ç’do të thotë kjo? Përpara”, është shprehur kryeministri.
Ai është shprehur edhe për krijimin e një koalicioni të madh duke e përjashtuar FRD-në e Bamir Topit.
Në Qarkun e Shkodrës kryetare e grupit të punës do të jetë Jozefina Topalli, në Kukës, Flamur Noka, në Lezhë Edi Paloka, në Elbasan Arben Imami, në Fier Sokol Olldashi, në Vlorë Astrit Patozi, në Korçë Ridvan Bode, në Berat Genc Pollo dhe në Gjirokastër Genc Ruli.
TEMA
Add new comment