Itali, shkatërrohet banda shqiptaro-afrikane e trafikut të drogës, 55 të arrestuar

Policia italiane ka shkatërruar një bandë të trafikut të drogës që drejtohej nga shqiptarët.
Mësohet se në sajë të superoperacionit të koduar “Bishti” në rajonin e Modenës është shkatërruar një organizatë kriminale e përbërë nga shqiptarët dhe nga afrikano-veriorët.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane, të cilat kanë theksuar se 54 urdhërarreste janë ekzekutuar nga policia, ndërsa 48 korrierë janë vënë në pranga në flagrance dhe 162 persona janë vënë në hetim.
Sipas mediave italiane, gjatë operacionit të koduar “Bishti”, referuar pseudonimit të njërit prej shqiptarëve që drejtonte organizatën kriminale, janë sekuestruar 26 kg lëndë narkotike, nga të cilat 23 kg heroinë “broun sugar” dhe “rosa”, 3 kg hashash dhe 700 gr kokainë.
Gjithashtu gjatë kontrolleve të policisë janë sekuestruar edhe 50 mijë euro, nëntë makina, dy motoçikleta, armë dhe municione.
Mediat theksojnë se operacioni antidrogë është zhvilluar njëkohësisht në 9 qytete të veriut të Italisë: Modena, Bari, Ferrara, Milano, Parma, Piacenza, Reggio Emilia, Siracusa e Trieste.
Sipas hetimeve të policisë italiane, droga ndiqte intenerarin Turqi-Shqipëri dhe më pas kalonte në veriun e Italisë.
SHEKULLI
Add new comment