Islami: Kush merret me CV-në time do ta ndriçoj me lazer

-Tri ditë pas publikimit në media të fshirjes së historisë së Partisë Socialiste në CV-në e Kastriot Islamit, ky i fundit ka reaguar duke mohuar të gjithë këtë situatë. Edhe pse ende në faqen zyrtare të Partisë Demokratike profili i tij vijon të jetë me të dhënat jo të plota, duke hequr disa prej eksperiencave të punës të ushtruara para vitit 1992, ndërkohë që mungon tërësisht informacioni se ka qenë anëtar i Partisë Socialiste. Për deputetin Islami, CV-ja e publikuar në faqen zyrtare të kandidatëve të PD-së është e saktë, “Kopje të shkurtuara të CV-së time gjenden në Wikipedia, në faqen e Kuvendit, tek faqja e Facebook-ut, e nuk e di ku gjetiu tjetër. Kërkoni dhe do të gjeni o të marrë, o sharlatanë, o injorantë, o mediokër. Nëse vazhdoni, jua di për nder që më bëni reklamë pa jua kërkuar, që më mbani në vëmendje, që tregoni se çdo gjë bëj unë ju shqetëson. Unë do të vazhdoj t’jua them të vërtetën që ju bezdis. Në fakt ky është një nga synimet e mia, të luftoj mediokrit, të marrët, sharlatanët, inferiorët dhe ja kam dalë me sukses në mënyrën më të mirë për t’i nxjerrë nga ferra e për t’i goditur atje ku mund të jenë apo atje ku mund të shfaqen”, shkruan Islami. Në vijim të reagimit të tij në Facebook, Islami shkruan se “të gjitha variantet e CV-së që gjenden në rrjetet sociale apo faqet zyrtare janë veçse kopje të shkurtuara me funksione specifike. Nëse dikush kërkon kopjen e plotë të CV-së time, ajo prej mëse 50 faqesh mund t’i vihet në dispozicion". Ky i fundit garanton të gjithë mbështetësit e tij të djathtë tashmë, se me lazer në dorë do të vazhdojë t’i ndriçojë e t’i stigmatizojë ata që kanë shkruar për të, ndërkohë që shprehet i vendosur në bindjet e tij të reja. “Të gjithë miqtë e mi i ftoj me qetësi të mos bezdisen nga të marrët e sharlatanët. Unë jam i qetë dhe i vendosur në bindjet e mia. Budallenjtë, të marrët, sharlatanët, keqdashësit i ftoj të vazhdojnë, të nxjerrin krye, sepse unë me lazer në dorë do të vazhdoj t’i ndriçoj e t’i stigmatizoj, aq më tepër që ata për shkak të nivelit mediokër ngacmohen me pak fotone, madje ka edhe nga ata që vetë dalin e vetë zbulohen në dritë të diellit”, përfundon komentin e tij Islami. Deputeti Islami Në faqen e Kuvendit deputeti Islami ka shkruar se ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe se ka qenë në forumet drejtuese të kësaj force. Ndërsa në biografinë e publikuar në faqen e PD-së, jepen vetëm një pjesë e posteve të mbajtura pas vitit 1992, ndërsa termi "Partia Socialiste" nuk shkruhet, ndryshe nga deputeti Gjovalin Kadeli, i cili ka shkruar me saktësi të gjithë të dhënat. E ndërsa deputeti Islami fton që aktiviteti publik të mund të kontrollohet në rrjetin Facebook, konstatohet se dy muaj pas publikimit në media, edhe të dhënat janë ndryshuar. Në 26 maj, “Shekulli” do të publikonte dy publikime të deputetit Islami në profilin e tij, për të cilat është përkujdesur që t’i fshijë. Në profilin e tij në Facebook, kandidati për deputet i PD-së vijonte që të kishte të postuar një video e cila emërtohej “Sali Berisha, fatkeqësi e kombit”. Por, çfarë thuhet në videon cila është e shpërndarë në 21 qershor 2009 nga ish-deputeti socialist që tashmë militon në radhët e demokratëve. “Arsyeto. Mos voto Sali Berishën”, shkruhej në videon e cila ishtë e shpërndarë nga deputeti Islami. Ndërkaq, postimi i dytë i fshirë lidhej me një publikim pas zgjedhjeve të 2009-s, në të cilën Islami e cilëson mazhorancën “hajdute” të zgjedhjeve të 2009-s.
SHEKULLI
Add new comment