Ish- shefi i krimeve: Nuk kam frikë nga kërcënimet me SMS

Postuar në 01 Mars, 2013 07:08

 

Ish- shefi i krimeve të komisariatit nr.6, Arianit Arapi, ndonëse është kërcënuar me jetë me në të një mesazhi, vijon të qëndrojë në krye të detyrë, pranë komisariatit të Pogradecit.

“Mbrëmjen e 24 shkurtit, në telefonin tim të punës ka ardhur  një mesazh kërcënues. Nuk mund ta them përmbajtjen e tij, pasi ai po hetohet nga organet kompetente dhe mund të cenohen hetimet. Nuk ka vend për panik, por gjithsesi gjithçka po verifikohet. Dyshoj se kemi të bëjmë me një rast të keqpërdorimit të thirrjeve telefonike. Nuk përjashtohet edhe mundësia që mesazhi të jetë një shaka e hidhur. Nëse dikush do e kishte seriozisht për të më ekzekutuar, nuk do më sillte  paralajmërim me anë të SMS-së. Ai do të vepronte menjëherë, pa bërë zhurmë,” tregon Arapi për Shqip.

Ai pohon se mesazhi në telefonin e tij ka mbërritur pas vrasjes së Dritan Lamajt dhe se nuk e ka idenë se kush mund të jetë autori i kërcënimit.

“Nuk di të them. Për momentin nuk kam asnjë emër në mendje dhe nuk mund të them asgjë. Gjithçka ia kam lënë në dorë  Prokurorisë së Tiranës”.

Pavarësisht se Arianiti ka qenë krahu i djathtë i Lamajt në komisariatin nr.6, ai mohon që të ketë pasur konflikte me familjen Frroku, ndonëse ka qenë në dijeni të përplasjeve që Lamaj ka pasur më Frrokun.

“Frikë?! Nuk kam arsye që të kem frikë. Unë nuk kam probleme me asnjë person. As unë, as familja ime nuk ka pse të trembet. Gjatë gjithë karrierës time në polici nuk kam bërë asgjë që të më shqetësojë apo të më hapë problem nga pas. Kam zbatuar me përpikmëri procedurat ligjore,” ka pohuar Arapi.

Po pavarësisht kësaj, ai pranon se është kërcënuar herë pas here.

“Prej vitesh unë punoj në polici dhe në numrin tim të telefonit kanë ardhur shumë mesazhe kërcënuese. Asnjëherë nuk jam alarmuar dhe nuk e kam marrë me kaq seriozitet. Nuk u kam kushtuar vëmendje pasi ne kemi profesion të vështirë dhe delikat. Gjatë ushtrimit të profesionit do të ketë përplasje interesash, por unë vazhdoj të zbatoj ligjin, pavarësisht kërcënimeve”, nënvizon Arapi.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.