Investimet e huaja në Shqipëri

Postuar në 04 Prill, 2013 15:08

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën në 744.8 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo shifër është thuajse në të njëtat nivele me një vit më parë 2011, ku fluksi i investimeve ishte 745.4 milionë euro. 

Viti më i mirë i investimeve nga kompanitë e huaja në ekonominë shqiptare ishte 2010-a. Sipas bankës qendrore, në atë kohë investimet e huaja arritën rekordin historik prej 793 milionë euro ose afër 1.1 miliardë dollarë. 
Por një vit më pas shifra u ul me rreth 6 për qind, nivel në të cilin është stabilizuar edhe për 2012-ën.

Ndonëse kanë mundur t'i rezistojnë krizës, pa shënuar rënie sic ka ndodhur në shumicën e ekonomive të rajonit,  investimet e huaja direkte në Shqipëri mbeten ende në nivele të ulëta, rreth 7 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.  

Investime, më shumë ne banka dhe industrine minerare 

Në fund të vitit 2011, stoku i investimeve të huaja në ekonomi arriti 3 miliardë euro.Shifra paraqet vlerën aktuale të investimeve nga jashtë që Shqipëria ka marrë përgjatë viteve, të pastruar nga amortizimi. 

Të dhënat tregojnë se gati gjysma e tyre janë përqendruar në dy sektorë, industrinë nxjerrëse dhe bankat. Në sektorin bankar investimet totale të ardhura gjatë viteve janë sipas Bankës së Shqipërisë rreth 701 milionë euro. Por shifrat tregojnë se pjesa dërrmuese e tyre ka ardhur para vitit 2007, kur në Shqipëri mbërritën grupet e huaja bankare që sot zotërojnë thuajse gjithë këtë industri.  

Ndërsa për vitet e fundit, flukset e kapitalit të huaj kanë shkuar kryesisht në industrinë nxjerrëse. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin 2007, stoku i investimeve të huaja në industrinë nxjerrëse është rritur me mbi 60 herë nga 10.7 milionë euro që ishte në 630 milionë euro. Pjesa dërrmuese e tyre janë në naftë dhe sektorin minierar. Në vendin e tretë është industria përpunuese me rreth 472 milionë euro, ndërsa sektori që ka thithur më pak është bujqësia me vetëm 3.9 milionë euro, pikërisht dega e ekonomisë që vuan më shumë nga produktiviteti i ulët. 

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.