Integrimi, BE pritet të dërgojë një delegacion në Shqipëri

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka pritur në një takim ditën e sotme, kreun e prezencës së BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.
josha tha se do të punohet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si pjesë e prioriteteve. Ajo tha se për këtë proces do të punohet me opozitën, bashkëpunim të plotë me shoqërinë civile dhe të gjithë faktorët që dëshirojnë të kontribuojnë.
Ndërsa Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka njoftuar se një delegacion nga Brukseli pritet të vizitojë Shqipërinë në ditët në vazhdim për të diskutuar në mënyrë konkretet se si mund të ecet më shpejt në proçesin e integrimit për Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Sequi tha se delegacioni do të jetë shumë shpejt në Shqipëri për të mbështetur teknikisht procesin e integrimit për Shqipërinë.
“Ne shprehëm gatishmërinë tonë për mbështetjen që do t’i japim Shqipërisë, dhe siguruam se ky bashkëpunim do të jetë i suksesshëm. Në ditët në vijim do të kemi një delegacion që do të vijë nga Brukseli, në mënyrë që të dyja palët të diskutojmë në mënyrë më konkrete se si mund të ecim përpara në mënyrë më të shpejtë dhe më të mirë. Për ti dhënë mbështetjen më të mirë Ministrisë së Integrimit Europian”, theksoi Ettore Sequi.
Sequi u shpreh se gjatë takimit të përbashkët është biseduar edhe për projektet që ka financuar dhe do të financojë më tej Bashkimi Evropian në Shqipëri, si një ndër kontribuuesit me bujar. Vetëm në 7 vitet e fundit, tha ambasadori, BE ka kontribuar rreth 530 milionë euro.
“Ne diskutuam për projektet që ka financuar dhe financon BE në Shqipëri. Dëshiroj të theksoj faktin që BE ka qenë kontribuuesi më i madh në Shqipëri. Vetëm gjatë 7 viteve të fundit, asistenca financiare e BE-së për Shqipërinë, ka qenë rreth 530 milionë Euro”, përfundoi ambasadori Sequi.
SHEKULLI
Add new comment