INSTAT: Papunësia në rritje, më shumë tek të rinjtë

Postuar në 23 Gusht, 2013 04:05

Pavarësisht perceptimit për nivelin e lartë të papunësisë në vend, shifrat zyrtare nuk e kanë konfirmuar këtë fakt, përveçse dje, kur anketa e INSTAT njoftoi se shkalla e papunësisë arriti në nivelin 14.5 % nga 13.8 për qind që ka qenë në tremujorin e parë 2012.  Por gjithashtu janë konfirmuar edhe ndryshime në strukturën e tregut të punës, i cili për shkak të goditjeve nga kriza vjen me disa risi. E para, papunësia është e lartë tek meshkujt se tek femrat dhe e dyta, papunësia tek të rinjtë është në nivelin 24.9 %.

Të punësohesh me mik

Sipas INSTAT, shumica e të papunëve u drejtohen të afërmve apo shokëve për të gjetur një punë. Kjo metodë e kërkimit për punë është e kombinuar dhe me aplikimin direkt tek një punëdhënës si dhe me vendosjen e lajmërimeve në gazeta, studimin e lajmërimeve për vende të lira pune në gazeta. Shkalla e papunësisë për grupmoshën nga 15 deri në 29 vjeç në tremujorin e parë të këtij viti ishte 24.9%, në rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar, por më e lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2012. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e parë 2013 shkalla e papunësisë ishte 11.3 për qind, kurse shkalla e papunësisë afatgjatë ishte 9.1 për qind.

 

 

Krahasuar me tremujorin e parë 2012, shkalla e papunësisë është rritur me 1.1 për qind. Fenomeni vlerësohet të jetë në një shkallë më të lartë për meshkujt sesa për femrat, duke reflektuar një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një nivel më të lartë inaktiviteti në lidhje me tregun e punës nga ana e femrave. Për meshkujt, shkalla e papunësisë ishte 15.8 për qind dhe për femrat, 12.9 për qind. Sipas INSTAT-it, ky ndryshim reflekton një nivel më të lartë të kërkimit të punës nga ana e meshkujve dhe një shkallë të ulët aktiviteti në tregun e punës nga ana e femrave. Një e katërta e femrave që e kanë deklaruar veten joaktive në tregun e punës, e kanë shpjeguar këtë me angazhimin si shtëpiake. Nëse analizojmë punësimin në sektorë sipas gjinisë, në aktivitetet industriale si ndërtimi dhe industria nxjerrëse dominojnë të punësuarit meshkuj, ndërsa industria përpunuese mbetet një nga sektorët e mbizotëruar nga të punësuarit femra. Kështu, në sektorin e shërbimeve të orientuara drejt tregut, 75 për qind e të punësuarve ishin meshkuj. Në sektorin e shërbimeve jo të tregut 52 për qind e të punësuarve ishin femra. INSTAT vlerëson se shkalla e papunësisë është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i vitit të kaluar, ndërsa në tremujorin e parë të këtij viti arriti në 14.5%. %. Pothuajse gjysma e popullsisë aktive në Shqipëri është e punësuar në sektorin bujqësor. Pesha e punësimit në bujqësi ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të këtij viti ishte 48.7%. Vijon sektori i shërbimeve, ku mes të punësuarve dhe të vetëpunësuarve angazhohen rreth 35% e totalit. Në industri punojnë 16% e totalit të të punësuarve. Si shërbimet, ashtu edhe industria kanë një peshë specifike në rënie për sa i takon punësimit.

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.