Incidenti në Vjenë, Ceka jep dorëheqjen si diplomat

Ditën e sotme është mbledhur Komisioni Hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive për incidentin e ndodhur më 24 prill 2013 pranë Akademisë Diplomatike të Vjenës mes kreut të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka. Rama nuk ka pranuar të dëshmojë ndërkohë që ka dëshmuar diplomati Ceka.Sipas tij Rama e ka dhunuar fizikisht dhe e ka fyer. “Më 24 prill 2013 në Akademinë e Vjenës u organizua një aktivitet me zotin Rama, aty kishte diplomatë të ndryshëm. Ai përsëriti tezën që shërbimi diplomatik është tejet i politizuar. Duke mos pasur autorizim kërkova të flas pas mbledhjes me të, që të mos dukej edhe si ndërhyrje politike. Pas takimit iu prezantova, i shpreha mendimin se teza e tij nuk reflekton realitetin. Ai s’u përgjigj më tha se kush më kishte dërguar dhe se duhet të largohesha nga kjo sallë”, tha Ceka. Sipas diplomatit e vetmja fjalë e rëndë që i ka thënë është plehrë. “Unë kam pasur dhe kam kontakte me këtë akademi. Pas fjalës time mund t’ju them se Rama e tejkaloi kufirin njerëzor me gjestin e tij të dhunshëm, më cenoi personalitetin, unë reagova verbalisht, i thashë se në 20 vite nuk më ka ndodhur një gjë e tillë dhe se shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen nga një njeri si ai. Fjala e vetme e rëndë që përdora ndaj tij ishte plehrë. Do kishte merituar një grusht, por u përball me përmbajtjen time. Ai cenoi një diplomat, vetëpërmbajtja ime ishte vetëpërmbajtja e shtetit. Rama ka pasur me vete një kameraman që ka filmuar gjithë aktivitetin dhe ndoshta ka filmuar edhe incidentin”, tha Ceka. Diplomati Ceka deklaroi se jep dorëheqjen e parevokueshme për shkak se është cënuar integriteti i tij si diplomat. “Mbetet e pakuptueshme arsyeja pse një pjesë e publikut dhe mediat, pranon ekseset e një njeriu të paekuilibruar, ku është ky kufi dhe pse janë të gatshëm të cënojnë integritetin e një diplomati. Episodi në fjale duhet të jetë sirenë alarmi për mbrojtjen e një diplomati shqiptar, por dhe për mbrojtjen e vlerave të publikut shqiptar. Rilindja është të kesh guximin ti thuash cdo kujt atë që mendon. Kam qenë dhe mbetem, njëri i lirë dhe i pavarur. Vlerësoj integritetin tim si të panegociueshëm. Kam punuar në diplomaci me ndërgjegje. Jam i kënaqur me arritjen time këto 4 vite. Jap dorëheqjen e parevokueshme nga shërbimi im në diplomaci”, deklaroi Ceka.
MAPO
Add new comment