Incidente dhe votim familjar në zgjedhjet e pjesshme

Ditën e sotme u zhvilluan edhe zgjedhjet e pjesshme lokale për të zgjedhur drejtuesit e rinj në komunat Rrethina të qarkut Shkodër dhe Dardhas të qarkut Korçë.
Procesi pati incidente që në nisjen e tij. Fillimisht u raportuan tre raste të votimit familjar në Dardhas, ndërsa më pas pati edhe përplasje fizike mes militantëve partiakë jashtë QV-ve.
Në këto zgjedhje të pjesshme, PS-ja garon së bashku me LSI-në në koalicionin Aleanca për Shqipërinë Europiane, ndërsa PD-ja garon e vetme.
Në komunën Dardhas, kandidatë janë Gentian Pere i PD-së dhe Genci Hamollari i LSI-së, por që mbështetet edhe nga PS-ja. Ndërsa në komunën Rrethina të qarkut Shkodër, PD-ja garon me Ridvan Guron, ndërsa PS-ja me Luan Harushën.
Procesi i votimit u mbyll në orën 19:00 të ditës së djeshme. Edhe pse pati incidente, KQZ-ja deklaroi në një deklaratë për mediat se procesi u shoqërua pa incidente. Ajo që vihet re është një pjesëmarrje e ulët e votuesve në Rrethina, 34% sipas shifrave të KQZ-së, ndërsa situata paraqitet më e mirë në Dardhas, ku morën pjesë 59.67 % e votuesve.
Kështu, në Rrethinat kanë votuar 5,722 zgjedhës nga 16,829 në total, nga të cilët, 2,149 ishin femra , ndërsa në Dardhas kanë votuar 1,539 nga 2,579, ku 786 ishin femra. Sipas KQZ-së, rreth orës 20:00 të ditës së djeshme, nisi edhe dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë KZAZ-ve.
“KQZ, në zbatim të kodit zgjedhor, ka përgatitur gjithë infrastrukturën e nevojshme në vendet ku do të bëhet numërimi i votave”, thuhet në deklaratë.
Edhe pse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje votuesve përmes një deklarate për mediat që të marrin pjesë pasivisht në votime, pjesëmarrja e tyre në këtë proces nuk ishte aspak e kënaqshme, sidomos në komunën Rrethina të qarkut Shkodër.
SHEKULLI

Add new comment