Inaugurohet memoriali i komunizmit, Berisha: Hoxha me vdekje të butë u siguroi shqiptarëve fat tragjik

Sot është inauguruar memoriali i izolimit komunist i titulluar “Postbllok”, i cili cilësohet si një objekt me mjaft vlera, që do të kujtojë një periudhë të rëndësishme të historisë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha është shprehur se ky memorial na bën të kujtojmë këtë pjesë të rëndësishme të historisë edhe pse ajo është e errët.
“Duke kujtuar këtë pjesë të rëndësishme të historisë ne jemi më të qartë për të sotmen dhe për të ardhmen dhe sidomos për brezin e ri”, tha Basha.
E pranishme ishte edhe ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper, e cila theksoi që si Gjermania ashtu dhe Shqipëria kanë kaluar periudhën e komunizmit, sipas saj, kjo është një periudhë e errët që duhet kujtuar dhe të mos lejojmë që të kthehet më.
“24 vjet më parë ra muri që ndante Gjermaninë, mori fund diktatura. Republika Demokratike u bashkua me pjesën Federale. Jo shumë larg prej këtu në 20 shkurt në Shqipëri u rrëzua busti i diktatorit Hoxha dhe pak më vonë u zhvilluan zgjedhjet demokratike. Gjatë Luftës së Ftohtë pjesa më e madhe e Gjermanisë përndiqte kritikët, ashtu si edhe në Shqipëri. Është pjesë e karakterit të njeriut të ndryshojë dhe të harrojë ngjarje të tilla. Procesi i menaxhimit të së kaluarës është i mundimshëm dhe ka rëndësi të shikohet se si gjermanët dhe shqiptarët kërkojnë dialogun përballen me të shkuarën dhe kërkojnë që ajo të mos kthehet”, u shpreh Müller-Holtkemper.
Ajo tha më tej se, “këtu është fjala për një monument gjermano-shqiptar kundër regjimit totalitar".
“Ne dëshirojmë të mbetemi agjentë të ndryshimit në Shqipëri për një të ardhme të përbashkët europine”, shtoi ambasadorja.
Memoriali është vendosur në hyrje të Bllokut dhe bashkon në një instilacion tre objekte të ngarkuar me simbolika lokale dhe universale. Projekti është iniciuar nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me artistët Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi.
Karakteristikë e veçantë e këtij kompleksi është se të tre objektet janë autentikë dhe vijnë në formë “artifakti”, çka do të thotë që bartin në vetë trupin e tyre gjurmët e asaj kohe.
Berisha: Regjimi i Enver Hoxha u siguroi shqiptarëve vdekje të butë
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha i shprehu mirënjohje të thellë ambasadores gjermane dhe gjithë të pranishmëve në inaugurim dhe vlerësoi se shembja e “Murit të Berlinit” shënon ngjarjen më të madhe në të gjithë historinë e njerëzimit.
“Jemi sot. Në inaugurimin e një instilacioni, në kujtesë të vuajtjes, martirizimit të shqiptarëve në diktaturën totalitare. Dua të shpreh mirënjohjen ndaj gjithë të pranishmëve, ambasadores së Gjermanisë, dhe qeverisë së saj për ketë dhuratë simbolike që iu bë shqiptarëve. Falënderoj artistët, që punuan dhe ideuan këtë instilacion në një vend të vogël, por me një simbolikë shumë të madhe, shumë të fuqishme”, theksoi kryeministri.
Ai tha se, “miqtë gjermanë kanë sjelle këtu një copëz të Murrit të Berlinit, i cili në fakt në beton ishte derdhur në disa qindra kilometra, në kryeqytetin e sotëm gjerman. Por Muri i Berilit në të vërtetë shtrihej me tela me gjemba nga Kanali i Korfuzit në ngushticën e Beringut dhe vazhdonte më tej”.
“Shembja e murit përben një nga ngjarjet më të më të mëdha në të gjithë njerëzimin. Kjo simbolizon trimërinë, vendosmërinë e qytetarëve gjerman që u hodhën mbi murrin dhe e shembën atë. Në Tiranë nuk kishte mur, por tela me gjemba dhe kjo diçka tjetër ishte bunkeri. Shqipëria tragjedinë e saj e shndërroi të gjithë pasurinë e saj në ndërtimin e bunkerëve. Aspekti tjetër tragjik ishte uria kronike, në të cilin kombi u zhyt në bunkerin e tij. Regjimi i Enver Hoxhës, në dallim nga regjimet e tjera u siguroi shqiptarëve vdekje të butë, të cilën iu rezervoi qindra e mijëra shqiptarëve”,- vijoi Berisha.
Berisha e cilësoi këtë ditë nderimi, që kujton të gjithë ata që sakrifikuan për hir të dinjitetit njerëzor. “Artistët kanë përzgjedhur në memorien kombëtare, Spaçin. Kjo është një ditë nderimi të madh, për ato qindra dhe mijëra qytetar, që në mbrojte të dinjiteti njerëzor pranuan të sakrifikojnë, të burgosen dhe të ecin drejt skuadrave të pushkatimit”.
SHEKULLI
Add new comment