Imami shet në ikje repartet e Ksamilit dhe Vlorës

Postuar në 15 Korrik, 2013 02:44

Ish-repartet ushtarake në Ksamil, Vlorë dhe Durrës, do të shiten në 16 dhe 17 korrik nga ministri në detyrë Arben Imami. Vetëm një javë pasi humbën zgjedhjet, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka nisur procedurat për privatizimin pasurive të Ministrisë së Mbrojtjes. Procesi i tenderimit për blerjen e këtyre objekteve është publikuar në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Në total janë 3 625 m 2 prona në Ksamil e Babicë si dhe një sipërfaqe prej rreth 24 mijë m2 në Berat. Vlera minimale e paracaktuar për ankandin është disa herë më vogël se vlera e tregut në zonat ku ndodhen pronat.  

Pronat në shitje

  Referuar dokumentacionit të publikuar në faqen zyrtare të APP-së mësohet se në Ksamil, Ministria e Mbrojtjes ka nxjerrë në ankand një sipërfaqe prej 3 mijë metra katrorë, me vlerë fillestare ankandi prej 12 milionë lekësh. Ndërsa në Babicë ka nxjerrë për shitje një sipërfaqe prej 625 metra katrorë, me vlerë ankandi fillestare 2 milionë lekë. Këto dy reparte ushtarake janë në dy zona shumë të lakmuara turistike dhe siç edhe konstatohet nga vlera e fillimit të ankandit. Ndërkohë që vlera e tregut të pronave në atë zonë është disa herë më e lartë se ajo e përcaktuar si vlerë fillestare nga Ministria e Mbrojtjes. Në ankand po nxirret edhe një grup deposh municioni në Berat me një sipërfaqe të përgjithshme prej 24089 m2. Një tjetër pronë e nxjerrë e shitje me ankand, proces i cili do të zhvillohet të martën dhe të mërkurën e kësaj jave, është edhe një fabrikë dhe depo luledielli në Delvinë. Brenda kësaj jave do të jenë në shitje edhe posta e policisë Kufitare në Fier.  

Privatizimi  

Shitja e pronave të ushtrisë ka nisur vite më parë. Kështu me dekretin e vitit 2009 janë nxjerrë në shtije prona me një sipërfaqe totale mbi 1.2 milion metra katrorë, në të cilat përfshihej që nga periferia urbane e Tiranës, Durrësit, Korçës, Elbasanit, Shkodrës dhe me zona në thuajse të gjithë bregdetin. Në listën e pronave për shitje të projektuar që në vitin 2009 janë zona të bregdetit të Kurbinit, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës: nga Pish Poro, Novoselë, Nartë, Zvërnec, Pusi i Mëzinit, Kaninë, Uji i Ftohtë, Rradhimë, Orikum, Karaburun; më tej në Bregun e Diellit, nga Palasa, Jala, Porto Palermo, Himara, Lukova, Lekursi, Ksamili. Sipas listave të pronave për privatizim të miratuara nga Ministria e Mbrojtjes mësohet se vetëm në Karaburun janë mbi 160 mijë metër katrorë duke përfshirë Ravenën, Kepin e Gjuhëzës, Majën Flamur apo edhe depot në Orikum. Ndërsa në Palasë janë mbi 20 mijë metër katrorë, në qytetin e Vlorës në shitje është Komanda e Distriktit, me mbi 16 mijë metër katrorë.  

Balla: Do të monitorojmë me kujdes procesin 

 Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla pohon se do të monitorohen ankandet që do të kryhen nga Ministria e Mbrojtjes. “Do t’i monitorojmë me kujdes dy ankandet e njoftuara me datat 16 dhe 17 korrik 2013 dhe të gjitha parregullsitë e vërejtura, do të jenë pjesë e dosjes se hetimit administrativ të gjithçka ka bërë Arben Imami me pronat e Ushtrisë në këto katër vjet në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. I takon Prokurorisë dhe Gjykatës me pas te vendose për fatin e këtij shpërdoruesi funksioni publik në dëm të pasurisë së shqiptareve. I garantojmë qytetarët shqiptarë se ne do t’i qëndrojmë fjalë për fjalë angazhimit tonë për të zbardhur rast për rast abuzimet e Qeverisë së Sali Berishës me pronat e tjetërsuara nga publiku tek private të lidhur me pushtetin. Lufta kundër korrupsionit është angazhimi ynë prioritar”-deklaron Balla. 

Ministri: Privatizimi u paralajmërua që në vitin 2012

Që në shtator të vitit 2012 ministri Arben Imami ka paralajmëruar se rreth 90% e fondit të përgjithshëm të pronave të paluajtshme që disponohen nga Forcat e Armatosura do të ndryshojnë titullin e pronësisë për t’iu transferuar pushtetit lokal, apo për t’i vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me synim kthim-kompensimin fizik të pronarëve. Kështu sipas deklaratës së ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, në shtator të vitit të shkuar “nga 1300 prona që ne aktualisht disponojmë rreth 180-190 mbeten në Planin e Përhapjes të FA. Në vitin 2009 rreth 1000 prona kanë qenë jashtë Planit të Përhapjes. Në këto tre vjet kanë dalë jashtë Planit të Përhapjes pothuajse vetëm depot që janë zbrazur nga materialet e tepërta dhe nga municionet e tepërta”. Teknikisht, siç edhe është bërë e njohur më parë, flitet për gati 1.2 milionë metra katrorë terrene dhe objekte. Kuptimi i fjalës së ministrit, mbajtur pardje në mbledhjen e Bordit Drejtues të Monitorimit të Procesit të Regjistrimit të Pronave të Paluajtshme të Forcave të Armatosura konsiston në atë se procesi i reformimit të ushtrisë, në termat e ridislokimit mund të quhet i përmbyllur. Pasojë direkte e tij është ndër të tjera edhe lirimi i mjaft mjediseve dhe objekteve që dikur ishin në përdorim të ushtrisë, por që këtej e tutje janë të panevojshme që të ruajnë këtë destinacion. Për të dhënë një ide me shifra, Imami ka përmendur qartë se nga 1300 prona që janë nën pronësi të Forcave të Armatosura janë të nevojshme për të vijuar aktivitetin e tyre vetëm 180- 190. “Pronat e tepërta, të cilat nuk kemi kapacitet t’i mbajmë, t’i ruajmë dhe që janë një barrë për ushtrinë shqiptare, t’i jepen publikut”, ka deklaruar Imami. 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.