Imami shet avionë dhe anije për skrap para ikjes

Postuar në 23 Gusht, 2013 04:07

Në prag të largimit nga pushtetit, ministri i Mbrojtjes Arben Imami ka vendosur që dikasteri që ai drejton ta shfrytëzojë këtë periudhë për të zhvilluar tenderë për të shitur sasi të konsiderueshme skrapi. Burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë të ditur se pjesët e shitura për skrap, janë pjesë të avionëve dhe të pajisjeve të tjera ushtarake, të cilat janë vlerësuar prej grupeve të punës si të panevojshme për përdorimin e tyre të mëtejshëm për ushtrinë. Në fund të muajit korrik, në gusht dhe në fillim të shtatorit, Ministria e Mbrojtjes ka parashikuar shitjen e sasive tepër të mëdha skrapi, të cilat në total kapin një vlerë mbi 100 milionë lekë të rinj. Pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Mbrojtjes ka shitur për skrap metale të dala nga pajisjet ushtarake me një vlerë rreth 73.5 milionë lekë të rinj. Ato umblodhën dhe u çmontuan në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës, Elbasan.

Sipas ministrisë, objekti i Ankandit, të zhvilluar më datë 17.06.2013, ora 09.00 në lotin e parë ishte: shitje skrap metalesh të zeza (çelik dhe gizë) përsasinë totale prej 2798.19 Ton. Vlera fillestare e ankandit ishte 71.769.864 lekë pa t.v.sh. Vlera totale e Kontratës së realizuar është 73.490.677 lekë pa t.v.sh. Data e lidhjes së Kontratës së Ankandit, sipas ministrisë, është 07.08.2013, thuhet në dokumentet e publikuara. Një nga ankandet që është zhvilluar në 23 korrik me procedurë të hapur me objekt “Shitja pajisje speciale për avionë”, është ndarë në 1611 lote. Ankandi nisi me vlerë fillestare totale prej 18,283,990 lekë pa TVSH. Në datë 5 të këtij muaji, ministri Imami ka rënë dakord për të zhvilluar një tjetër tender për të shitur për skrap të tjera pajisje ushtarake në prag të largimit të tij nga qeveria. “Procedurë e hapur me objekt “Shitje skrapi të pjesëve të këmbimit të pajisjeve tokësore”, kështu njoftohet Ankandi që ka vlerë fillestare totale prej 1,211,661 lekë pa t.v.sh.

Në përshkrimin e shkurtër të procedurës së ankandit dhe objektit të tij shkruhet: “Shitje skrapi të pjesëve të këmbimit të pajisjeve tokësore”. Por , dëshira për të shitur logjistikë ushtarake për skrap nuk ka përfunduar me kaq.Një super ankand është planifikuar që të zhvillohet në shtator. “Ministria e Mbrojtjes synon të shesë lëndë të parë që janë jashtë nevojave të Forcave të Armatosura. Vlera fillestare është 67,551,327 lekë pa TVSH sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim.

Ankandi do të zhvillohet më 9 shtator 2013 ora: 10.00 në Ministrinë e Mbrojtjes. Nën justifikimin e vjetërsisë, mijëra tonë armatime po zbrazin magazinat e ushtrisë për t’u shitur për skrap ose për t’u rishitur në vendet e tjera. As në këto ditë të fundit të qeverisë në ikje, nuk ka munguar firma e ministrit Imami për të nxjerrë në shitje pasuri të ushtrisë shqiptare të vëna gjatë regjimit komunist. Përmes Drejtorisë së Prokurimeve Publike, Ministria e Mbrojtjes synon të shesë skrap që përftohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilat i vlerëson se nuk gjejnë përdorim në Forcat e Armatosura dhe janë kategorizuar për shitje për skrap.

Pak ditë më parë, gazeta “Shekulli”, publikoi një tjetër tender, i cili do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat. Bëhet fjalë për shitjen e 138385 kg skrap çeliku që do të shitet me 15.1 lekë/kg. Kostoja totale e saj arrin në 2,089,614 lekë. Gjithashtu do të shiten edhe 72464 kg skrap alumin i vlerësuar me 191. 4 lekë kg me vlerë totale 13,869,610 lekë. Shitja për skrap e avionëve , helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes që ka nxjerrë në ankand gjithçka. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silur kapëse dhe një tjetër polumbare.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.