Imami “qeras” Aleksandër Frangajn me 400 mijë USD

Është një fakt i ditur gjerësisht që kryeministri i vendit ka vendosur të bojkotojë emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV Klan. Por nëse raportet e Berishës me Fevzon kanë pësuar luhatje, për pronarin e këtij televizioni, punët me qeverinë dhe me “thesin” e qeverisë duket se po shkojnë për mrekulli. Aleksandër Frangaj u vu në qendër të kritikave të opozitës vitin e shkuar pasi u zbulua se i vëllai i tij, Eduard Frangaj, nëpërmjet një kompanie private kishte përvetësuar disa dhjetëra miliona euro nga entet shtetërore për realizimin e spoteve televizive. Duket se presioni publik e ka bërë të vetën. Milionat vazhdojnë të rrjedhin lumë për Frangajt, vetëm se ka ndryshuar rubineti, fondet nuk kalojnë më nëpërmjet kompanisë së Eduart Frangajt, por nëpërmjet një kompanie të re, të krijuar në janar të këtij viti, e cila drejtohet nga një nëpunës i Aleksandër Frangajt.
Zoom
Kompania “Zoom Events” është krijuar në janar të vitit 2013, pra rreth gjashtë muaj më parë. Ajo është zyrtarisht në pronësi të zotit Eptan Lohja. Nga raportimet e thesarit të shtetit rezulton se kjo kompani vetëm në 2 javët e fundit, ka arritur të marrë rreth 400 mijë dollarë nga dy kontrata të ndryshme ekskluzive me Ministrinë e Mbrojtjes, falë dy urdhrave të firmosur nga vetë ministri Imami. Më datën 6 Qershor në thesarin e shtetit u dizbursua një shumë prej afro 19.4 milionë lekësh për këtë kompani. Ndërsa dje sërish thesari i shtetit ka bërë dizbursimin e një shume prej 20 milionë lekësh sërish për të njëjtën kompani të kontraktuar nga ministri Imami për “realizim spotesh” publicitare për këtë ministri. Siç e ka zakonin kjo ministri, zyrtarisht fondet kalojnë nga “repartet ushtarake” të cilat ndodh shpesh të jenë qëndra kulturore të ushtrisë. Por kompania që zyrtarisht është fituese e tenderit, në fakt është një kompani që “ka vazhduar traditën” e furnizimit me miliona të zotit Frangaj, pasi pronari në letra i kompanisë, zoti Eptan Lohja është as më shumë e as më pak sesa vartës i zotit Frangaj. Madje ai është edhe një njeri që në bazë të të dhënave të Qendrës së Regjistrimit të Biznesit, rezulton anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të TV Klan, e të njëjtin funksion mban edhe në televizionin ABC. Mjafton fakti që zoti Lohja është anëtar i Këshillave Mbikëqyrës në këto televizione që ta kthejë të gjithë skemën e financimit të ministrit Imami në një “lojë të pistë”, kësaj here edhe me letra, për financim preferencial të medieve në pikun e fushatës elektorale./DITA
TEMA
Add new comment