Ilir Meta ndihet i zhgënjyer nga Berisha: Po e mbush Gjykatën e Lartë me militantë

Postuar në 10 Maj, 2013 15:00

 

Tashmë në çdo dalje të tij, Ilir Meta flet vetëm për miratimin e tre ligjeve në Kuvend, duke u përpjekur të bëhet ndërmjetës mes Berishës dhe Ramës.

Ndërsa ka gjetur mirëkuptim nga Edi Rama, Meta ka thënë sot nga qyteti i Shkodrës se është zhgënjyer nga Sali Berisha.

“Prej 10 ditën, në emër tuajin dhe në emër të LSI-së, unë kam propozuar një kompromis për miratimin e tre ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë brenda këtyre ditëve që po i përfundon mandati këtij kuvendi, duke kërkuar si kompromis që këto ligje të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Arsyeja ka të bëjë pikërisht me faktin se nuk mjafton vetëm të miratojmë ligje por është shumë e rëndësishme edhe të respektojmë frymën e ligjit. Në rastin konkret bëhet fjalë për institucione dhe për reforma shumë të rëndësishme, ku në mënyrë të veçantë do të nënvizoja rëndësinë që ka miratimi i ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, në funksion të zbatimit të ligjit për Gjykatën Administrative që aq shumë e kërkon biznesi këtu në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë.

Ky ligj ka të bëjë më shtimin e disa anëtarëve të tjerë në Gjykatën e Lartë me qëllim krijimin e Kolegjit Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative. Ndërkohë që kryetari i Partisë Socialiste e ka pranuar këtë kompromis jam shumë i zhgënjyer që kryetari i Partisë Demokratike bën sikur nuk e kupton këtë kompromis, duke kërkuar që ligjet të miratohen siç janë dhe të hyjnë në fuqi menjëherë. Prioriteti i tij mesa duket, për fat të keq, nuk paska qenë miratimi i tre ligjeve por mbushja e Gjykatës së Lartë me militantë partiakë me qëllim pikërisht shtrembërimin e zbatimit të ligjit për Gjykatën Administrative. Unë shpresoj dhe dëshiroj të jem i gabuar në këtë që sapo u thashë dhe Berisha të thotë që për hir të Shqipërisë, të integrimit evropian, ta pranojmë kompromisin e LSI-së dhe Shqipëria të hedhë një hap më tej drejt Bashkimit Evropian,” tha Meta.

Ndërkohë, ndërsa ka prezantuar kandidatët e LSI-së për Shkodrën, Meta ka thënë se LSI është një forcë që ndërton ura dhe jo mure ndarëse.

Ai u shpreh i bindur se në 23 qershor Shkodra do votojë për LSI-në.

“Ne integrimin nuk e duam vetëm për vetë. Nuk e duam vetëm për anëtarët dhe për simpatizantët tanë. Integrimi i takon të gjithë shqiptarëve si aspirata kryesore që solli ndryshimet demokratike që në vitin 1990 këtu në Shkodër dhe që ka mbajtur të gjallë shpirtin progresist dhe proevropian të shkodranëve dhe të të gjithë shqiptarëve. Ndaj edhe njëherë nga Shkodra e ftoj z. Berisha të ngrihet mbi interesat e ngushta, të ngrihet mbi kalkulimet e 23 qershorit dhe t’i thotë ‘po’ miratimit të tre ligjeve, në mënyrë që të japim një mesazh, e gjithë politika shqiptare e bashkuar, Evropës së bashkuar dhe gjithë qytetarëve tanë.

Unë jam i bindur se në 23 qershor Shkodra do të votojë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, sepse LSI ka rrezatuar, që në gjenezën e saj, qytetari, shpirt konstruktiv, energji pozitive. Se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë jashtëzakonisht e emancipuar, një forcë e cila modernizon vetveten dhe ndihmon politikën shqiptare të emancipohet më tej dhe të lërë pas tabu, të cilat duhet t’i takojnë të kaluarës. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte ajo forcë politike, e cila duke respektuar votën e qershorit të vitit 2009, rrethanat historike të vendit dhe rëndësinë e stabilitetit, vendosi dhe mori përgjegjësinë për të realizuar një koalicion të paparashikueshëm dhe të panatyrshëm me Partinë Demokratike. Dhe vendimi ynë, ju them përsëri sot, jam bindur se ishte një vendim i drejtë. LSI është ajo forcë politike, e cila i respekton dhe i qëndron marrëveshjeve, e cila kur vjen fundi i marrëveshjes i jep dorën me qytetari dhe di të ndahet me qytetari,” vijoi Meta./b.l

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.