ILDKP valë shkarkimesh dhe fshehje pasurish

-Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive fsheh të dhënat për zyrtarët që shkelin ligjin. Mungon publikimi i deklarimeve të pasurive të zyrtarëve të lartë, proces i mbyllur ky që më 31 mars. Listës së shkeljeve nga ky institucion i shtohen dhe pushimet nga puna të zyrtarëve të saj edhe pse ligji “Për nëpunësin Civil” i mbron ata, duke e kthyer këtë strukturë në një “shoqëri private”. Kryeinspektorja e ILDK-së, Zana Xhuka nuk ka pranuar të sqarojë lidhur me mungesën e një transparence të plotë nga ana e institucionit që ajo drejton. Ndërsa burime nga ILDKP pohojnë se Xhuka vijon kërcënimet për punonjësit duke bërë “hetim” për dosjen e secilit prej tyre. Ish-ministrja e Mbrojtjes u zgjidh në kryet të ILDKP-së vetëm me 70 vota të demokratëve në janar të këtij viti ndërkohë që dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e cila ishte pjesë e qeverisë, zgjodhi të votonte kundër.
Shkeljet
ILDKP ka humbur transparencën me ardhjen në krye të këtij institucioni të ish-ministres së Mbrojtjes, Zana Xhuka. Kanë kaluar tashmë 6 muaj nga përfundimi i procesit të deklarimit të pasurive nga gjithë zyrtarët e lartë që e kanë detyrim ligjor dhe ende nuk ka publikime të deklaratave të tyre. Argumenti i hershëm i institucionit është përgjigjja “ndryshimet ligjore nuk na lejojnë të publikojmë deklaratat” në një kohë që vetë Xhuka nuk pranon të sqarojë situatën. Ndërkohë që baza ligjore përkatësisht neni 34 i ligjit nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë i ndryshuar sqaron se: “Publikimi i të dhënave që deklarohen pranë Inspektoratit të Lartë bëhet nga ky i fundit vetëm pasi të ketë kryer kontrollin paraprak dhe aritmetik e logjik të këtyre të dhënave, duke i shoqëruar njëkohësisht me vërtetimin përkatës mbi rezultatin e këtij kontrolli”. Kjo bazë ligjore nuk ndalon publikimin e të dhënave por i jep Kohë ILDKP-së të bëjë kontrollin aritmetik dhe logjik të tyre dhe më pas mundëson publikimin. Kështu ka ndodhur më herët me ILDKP kur në krye të saj nuk ishte zonja Xhuka. Në kuadër të një procesi tërësisht ligjor ILDKP ka detyrim që të vërë në dispozicion të medieve deklarimet e çdo zyrtari të lartë pasi janë bërë të gjitha verifikimet e nevojshme. Zgjedhja preferenciale nga ILDKP për deklarimin ose jo të pasurive të zyrtarëve vërtetohet më së miri për sa kohë që po ky institucion bëri publik deklaratat e deputetëve socialistë, të dhënat e të cilave u përdorën si argument akuzash nga opozita e sotme. Një tjetër shkelje e ILDKP-së është mospublikimi i të dhënave lidhur me zyrtarët për të cilët janë marrë masa administrative apo dhe kanë nisur procedime penale për shkak të mosdeklarimit brenda afatit të pasurisë së tyre apo mosplotësimit të kërkesave të caktuara me ligj. Ndërkohë që burime pranë institucionit pohojnë se që ditën e parë që znj. Xhuka ka nisur punën në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kanë nisur kërcënimet ndaj stafit që gjeti në këtë institucion. Veprimet e saj në shërbim të demokratëve që e zgjodhën dhe e votuan në Kuvend më 21 janar të këtij viti u faktuan me largimin nga puna të sekretarit të Përgjithshëm, Gëzim Çopa, por dhe drejtores Ekonomike dhe Shërbimeve Mbështetëse, Kozeta Ndoi si dhe drejtores Juridike për Marrëdhëniet me Autoritetet Përgjegjëse, Fjorida Kallço. Zonja Xhaka zgjodhi fillimisht të propozonte uljen në detyrë të tyre për të faktuar më lehtë pushimet e padrejta nga punë. Kundërshtimi i këtyre akteve nëpërmjet Komisionit të Shërbimit Civil solli reagimin e menjëhershëm të kryeinspektores duke vendosur largimin nga detyra të tre punonjësve të ILDKP-së. Në vend të drejtoreshës Kallcco tashmë është ish-sekretarja e Xhukas. Largimet nga detyra u pasuan me emërime të tjera madje dhe shtim të strukturës duke rritur ndjeshëm shpenzimet e institucionit përtej limiteve të caktuara nga Kuvendi. 9 është numri i inspektorëve, ndihmësve apo specialistëve të shtuar në këtë institucion. Burimet nga ILDKP pohojnë se urdhra haptazi në kundërshtim me ligjin vendosnin kalimin e përkohshëm deri në zhvillimin e procedurës së konkurrimit në pozicionet “e reja” që në fakt nuk ishin aspak të reja ndërkohë që të gjitha këta punonjës ishin konfirmuar si nëpunës civil nga institucionet kompetente.
Kundër vendimeve të KSHC
Komisioni për Shërbimin Civil ka vendosur rikthimin në detyrë të larguarve në mënyrë të padrejtë por vendimet kanë mbetur të pazbatuara nga ILDKP. Posti i sekretarit të Përgjithshëm tashmë është zënë nga një tjetër emër edhe pse Gëzim Çopa fitoi të drejtën ligjore për tu rikthyer në punë. Ndërkohë që listës të të punësuarve iu është shtuar dhe shefi i IT, Armando Kaso, të akuzuarit fort për fshirjen e serverëve të Këshillit të Ministrave pas ngjarjeve të 21 janarit. Së fundmi shorti për kalimin e zyrtarëve në kontroll të plotë i cili çdo vit është hedhur ne 21 prill në prani të të ftuarve nga të gjithë institucionet publike, përfaqësues të OSBE, shoqëria civile, mediat, këtë vit u krye më 5 shtator dhe në një anonimat të plotë. Mësohet se vetë stafi i ILDKP nuk ishin prezent çka shton dyshimet për ndjekjen e procedurave abuzive nga kryeinspektorja e Xhukës. Kjo e ka kthyer ILDKP-në nga një institucion shumë të rëndësishëm ne zinxhirin e institucioneve anti korrupsion, në një strehëz për të besuarit që dolën ose së shpejti dalin si të papunë. Është kthyer një kompani private me pronar titullaren e këtij institucioni i cili nuk i shërben më interesit të publikut dhe qëllimit të ligjit por interesave private të vetë titullares dhe një grupi të caktuar njerëzish.
Institucionet që drejtohen nga demokratët
Presidenca, Bujar Nishani, ish-ministri i brendshëm i qeverisë “Berisha” u zgjodh President në qershor të vitit 2012
ILDKP, Zana Xhuka është zgjedhur në janar të këtij viti me 70 vota pro dhe 67 kundër. Kundër saj ishte dhe LSI edhe pse ishte pjesë e qeverisë
Prokuroria e Përgjithshme, Adriatik Lalla i cili më herët mbante detyrën e kreut të ILDKP-së u zgjodh në dhjetor të vitit të kaluar si kryeprokuror
SHISH, Në gusht të 2012 Berisha largoi Bahri Shaqirin nga kreu i Shërbimit Informativ për ta zëvendësuar me Visho Likën
SHIU, Ylber Dogjani është kreu i ri i Shërbimit Informativ të ushtrisë i zgjedhur në këtë detyrë në korrik
Të këtij viti duke zëvendësuar Ilirjan Balliun
Largimi nga detyra i Kalasë, reagon PD
Partia Demokratike reagon pas largimit nga detyra të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja. Në një deklaratë publike, deputeti i selisë blu, Gerti Bogdani ka akuzuar qeverinë e re se po shkel kushtet e Bashkimit Evropian për Statusin. “Kryeministri Edi Rama ka shkelur ligjin për nëpunësit civil, duke shpërfillur standardet evropiane, sepse dje në mesditë në Ministrinë e Integrimit, dy ngjarje po zhvilloheshin paralelisht. Në një anë takimi i ambasadorit Sequi me ministren Gjosha, ku i kërkonte Ministres Gjosha, po atë që edhe Brukseli i diktoi 3 ditë më parë, se respektimi i ligjit për nëpunësin civil është një nga kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ndërsa takimi mes Sequit e Gjoshes vazhdonte, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit merr në dorë urdhërin për lirimin nga detyra”, - tha Bogdani. Sipas tij rasti i lirimit nga detyra, i sekretares së përgjithshme në Ministrinë e Integrimit, Elda Kalaja, është rasti i parë më flagrant i sulmit që Rama e qeveria e tij po i bën administratës së këtij vendi e zëvendësimin e saj me militantë partie. Bogdani shtoi se neni 21 i ligjit “Për nëpunësin Civil”, i cili parashikon rastet e lirimit nga puna të nëpunësve civil, është një nga tre ligjet e BE-së dhe është shkelur parimi kryesor i këtij Ligji dhe Kodit të Procedurës Administrative, ai i vënies paraprake në dijeni, dëgjimi të pretendimeve dhe marrjes së kundër argumenteve. Edi Rama nuk ishte i gëzuar për vizitën e tij në Bruksel, sepse atje iu tha që për të marrë statusin e vendit kandidat, duhet të zbatojë e respektojë ligjet me standarde Evropiane. Por, ai është betuar diku, se do të mbrojë të tjera interesa e do të bëjë të kundërtën e asaj që i thotë Brukseli”, - deklaroi ai ndërsa iu bëri thirrje punonjësve të administratës publike të refuzojnë dhe denoncojnë çdo rast presioni dhe shkelje të të drejtave të tyre ligjore.
Shekulli
Add new comment