Ilaçet pa TVSH, farmacitë në kaos për ndryshimin e cmimit dhe rimbursimin e mallit stok.

Dy ditë pas heqjes së TVSH-së për ilaçet, farmacitë e kryeqytetit janë në kaos. Farmacistët nuk kanë asnjë informacion se si do të veprohet me stokun e barnave që kanë në farmaci e që janë të përllogaritura me çmimin e TVSH-së.
Ndërkohë që, duke marrë në konsideratë “terrin informativ”, po vijojnë t’i shesin 10% më shtrenjtë ilaçet, ndonëse prej datës 1 prill kjo vlerë duhej të zbritej.
Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se tashmë është miratuar një udhëzim për deklarimin e mallit stok të farmacistëve.
MSH thotë se ka dalë udhëzimi i Ministrisë së Financave me nr.6, datë 17.3.2014, sipas të cilit, farmacistët duhet të deklarojnë mallin brenda muajit prill.
Ky udhëzim është i vlefshëm edhe për importuesit apo prodhuesit e barnave. “Gjatë muajit prill 2014, çdo person juridik apo fizik, importues, prodhues apo tregtar i barnave, do të deklarojë stokun e barnave deri në datën 31.03.2014 në organin tatimor ku është regjistruar”, thuhet në udhëzim.
Pas deklarimit të mallit, nuk dihet sesi do të veprojë Ministria e Financave për rimbursimin e TVSH-së për mallin e deklaruar, ndërsa i vetmi informacion i sigurt është se farmacistët duhet të nxitojnë për të bërë proceduarat e deklarimit.
Add new comment