Ikja e kolonelit, a i ka mbetur njeri më Kreshnikut

Postuar në 15 Maj, 2013 02:07

 

Ajo që dukej se po formohej si forcë e tretë në vend përballë PS e të majtëve dhe PD e të djathtëve, duket sikur po zhbëhet si kështjellë rëre. E braktisur tashmë prej medias, e cila deri në fillim të majit i pati dhënë AK-së frymë e hapësirë thuajse po aq sa çdo partie të madhe (megjithëse përmbajtja e fjalimeve ishte thuajse e rëndomtë dhe mbyllej me ndonjë recitim të dobët nga poezitë e Rilindjes), Aleancës Kuqezi po i ikin një nga një edhe themeluesit apo edhe figurat publike që kishte promovuar deri dje.

Dje Myslim Pashaj, për shumë njerëz një nga gurët e themelit të Aleancës Kuqezi, por edhe strumbullari i së ashtuquajturës “çështja e shitjes së detit” dhe një nga denoncuesit e parë publikë të saj, doli haptazi kundër saj.

“E kam detyruar veten të besoj…se vepra që po krijonim ishte një ndër arritjet më të mëdha në kreun e shekullit të ri. Ndërkaq realiteti është tjetërsoj”, shkruante ai në një postim publik të premten, që ishte edhe informacioni i parë për dorëheqjen e tij nga AK.

http://www.mapo.al/wp-content/themes/advanced-newspaper2/ima...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

“Kreshnik ! Ju flet Pashai! Ti ke axhendën tënde. Para saj nuk të ndal kush. “Hap Krahun! – është një slogan rutinor i joti. Të vaftë mbarë! Në Fier, shkove me ritmin dhe marshimin tënd “ pa ta bërë tërr syri” . Unë s’mund të vija sepse ti e kishe kryer, tanimë veprën tënde, me përdorjen e aqshumtë të asaj që mbahet përmendsh”. “Ja tani do të dalë në skenë për të folur ai që mundi dy shtete…” sikur unë të isha një farë “Bajlozi” apo “Katallani” për t’i shtuar jetë përrallës tënde!”, Myslim Pashaj, cituar nga ‘Respublica’

Alban Daci, një nga kandidatët për deputetë të AK (i 7-ti në Tiranë) dhe ndër të paktët që mundëm të kontaktonim, thotë se arsyet e largimit të Pashait janë personale dhe se ai vijonte të mbetej simpatizant i AK. Mirëpo ky i fundit në një shkrim të publikuar te “Respublica.al” është edhe më i ashpër me kreun e partisë në të cilën ka bërë pjesë deri dje.

“Nga cilat tribu vjen kjo histeri”, citon  “Respublica.al” kolonelin në pension, i cili i drejtohej kështu Spahiut duke e kritikuar për fjalimin në Fier, ku ky i fundit ka akuzuar si tradhtar të larguarit duke u kërkuar përkrahësve që: “T’i ndjekim hap pas hapi, në brimë të miut, t’i kapim, t’i pështyjmë…”. Për kolonelin këto deklarata janë histeri dhe ai thotë se nuk e kupton se nga vijnë dhe se nuk kanë lidhje me frymën e kombëtarizmit. Më herët koloneli kishte lënë të kuptohej në një mesazh se nuk kishte pasur “asnjë lloj trysnie apo hamendësimi tjetër, nuk ka pasur veçse një tërheqje të natyrshme dhe të vetëdijshme si pjesë e papajtueshmërisë dhe e kundërshtisë sime idealiste ndaj kënetës dhe ligatinës politike shqiptare, e cila e shpërfaqi vetveten tragjikomike me parlamentarët e ardhshëm, të cilët qysh dje notojnë dhe do të notojnë në këtë kënetë mbytëse”. Nuk është e qartë nëse mesazhi këtu është për gjithë politikën në tërësi, apo ka të bëjë me njerëzit e AK që ai beson se mund të zgjidhen deputetë?!

Daci tha për “Mapon” se fjalët e kolonelit nuk kishin të bënin me AK-në, ai shpjegoi se qëndrimi i tij për t’u shmangur ishte personal, nuk kishte të bënte me listat për deputetë, por me gjëra të tjera dhe ndoshta pamundësinë e të larguarit për të qenë pjesë e fushatës. Megjithatë, i pyetur për mesazhet, kandidati për deputet i AK në Tiranë (i 7-ti në listë) thotë se kishte mësuar që largimi do të ishte i paqtë dhe jo mediatik dhe se këtë e kishte kërkuar vetë koloneli, ndërsa thotë se nuk e kupton pse tani ai vetë po i bën publike ndasitë me AK. Më herët, këtë muaj në një blog ai shkruante: “Rama bën tellallin se ne na paskan ikur disa Sekretare. Nuk ka ikur askush, sepse ata kanë qenë militantë të PS dhe të anëtarësuar tek PS”.

Ndërkohë nuk dihet sa është realisht numri i të larguarve nga AK-ja dhe sa prej themeluesve janë ende në radhët e partisë, që duket se më shumë sesa një frymë ishte një tullumbace e prodhuar në media, të cilat po ashtu vendosën ta shfryjnë duke mos transmetuar asnjë aktivitet të saj edhe pse patën transmetuar live edhe protestat me rreth 1 mijë pjesëmarrës që ishin paraqitur si tubime që do të rrëzonin qeverinë.

http://www.mapo.al/wp-content/themes/advanced-newspaper2/ima...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Myslim Pashaj ka pritur e ka duruar, e më në fund ka shpërthyer. Ka shpërthyer në stilin e tij. Të jep përshtypjen se e vetmja gjë që s’ka dashur të bëjë është ky shpërthim, por në të njëjtën kohë të jep përshtypjen se nuk ka mundur dot më. Shkak është bërë (kjo gjë merret vesh nga shënimi që Pashaj ka lënë në Facebook) një takim i Spahiut në Fier, ku ky i fundit ka vijuar të përdorë pa të keq, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, emrin e kolonelit. Respublica.al

Një nga të dorëhequrit, Rojmir Hamzaj, anëtar i Këshillit Kombëtar dhe pjesë e grupit drejtues shkruante: “Kam thënë që në fillim që Aleanca Kuqezi është e ndarë në kuq e zi, që jeni ju miq të dashur që jeni ushqyer si unë me byrek 300 lekësh për dy vite radhazi dhe që besoni në një ditë me dritë, dhe Aleancistët që janë ata që kemi parë, ndëgjuar, përjetuar, dhe që ndajnë me krahë milionat e pista”… Të tjerë personazhe ndërkohë duket se po largohen në heshtje nga AK. Rezar Balla, kryetar për Tiranën i Aleancës, edhe pse nuk ka bërë asnjë deklaratë, ka fshirë nga profili i tij thuajse gjithçka kishte të bënte me AK-në, përfshi edhe foto ku ai ishte bashkë me kryetarin Kreshnik Spahiu në një protestë jo më larg se 7 prilli i këtij viti. Arsyet e largimit po ashtu mbeten të paqarta si në rastin e Pashajt.

Koloneli që e nisi jetën publike (apo të paktën atë pjesë që ka të bëjë me mediat) mjaft vonë dhe u bë i famshëm në “luftën” e tij për të ndaluar marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e ujërave e më pas u përfshi në AK, vendosi të tërhiqej shumë shpejt nga politika. Në fakt ndryshe nga largimet e tjera, largimi i kolonelit lë një boshllëk më të madh në AK, e cila deri dje ishte ngritur duke u mbajtur fort në dy kauzat e vetme që mundi të luftonte (përtej fjalimeve me “shtetasin Berisha’). Atë të regjistrimit të popullsisë, ku më shumë se vetë AK pati të angazhuar mjaft figura publike, ndërsa suksesi mbeti i dyshimtë dhe atë marrëveshjen e detit që lidhej vetëm më figurën e kolonelit i cili në fakt i jepte në këtë mënyrë edhe të vetmen ngjyrë patriotike reale partisë, që përndryshe rrëgjohet vetëm në britma patetike (këto gjithmonë të larta). Largimi mund të duket si fillimi i fundit të shpejtë të AK-së, në fakt një parti e ngritur vetëm mbi retorikë “ëndrrash” patriotike të shkruara keq nuk kish si të zgjaste më shumë.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.