Idrizi: Përveç PDIU, të gjithë e kanë harruar si me magji bashkimin kombëtar

Postuar në 15 Qershor, 2013 09:29

“Aq më tepër tani që “e harruan” si me magji, ne do të vijojmë të punojmë dhe luftojmë për ëndrrën e të gjitha kohërave të çdo shqiptari, bashkimin kombëtar, si një bashkim natyral, i paqtë dhe i gjithëpranuar”.

 

 

Zoti Idrizi, vendosja e emrit tuaj, ashtu si e kryetarëve të tjerë të partive të mazhorancës në listën e deputetëve të PD-së, e ka zbehur apo e ka intensifikuar fushatën elektorale të  PDIU dhe pse?

Fushata e PDIU-së nuk ka të bëjë me emra individualë, qoftë edhe emrin tim. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk përfaqëson disa emra të posaçëm, po shumë herë më shumë, përfaqëson një kauzë të madhe të kombit tonë, një vuajtje shekullore të një pjese të popullit shqiptar dhe mbi të gjitha dëshirën e kombit tonë për të qenë të bashkuar. Ndaj ne kemi dalë në këto zgjedhje me moton “Unë e dua Shqipërinë të Bashkuar”, ashtu siç e ka vendosur Zoti. Dhe kjo moto na përfaqëson. Ndaj e them me bindje të plotë se fushata elektorale është intensifikuar, sepse mijëra shqiptarë besojnë sot tek idealet dhe te motoja jonë, te bilanci që kemi pasur dhe te programi me të cilin garojmë. E kuptoj pyetjen tuaj. Është pyetja normale e 23 viteve tranzicioni, ku partitë politike vështirë se ndryshojnë nga njëra-tjetra, përveçse nga emri i kryetarit të tyre dhe i elitës që kanë. Por PDIU, në të gjitha këto vite ka treguar se është një forcë ndryshe, që para emrave ka kauzën, para individëve ka idealet, para sulmit ndaj kundërshtarëve del me bilanc, program, ide dhe vizion.

Cilat janë pesë dallimet e ofertës elektorale të  PDIU në këtë fushatë, në krahasim me dy partitë e mëdha?

Dallimet tona janë më shumë se pesë, por meqenëse më kushtëzuat me pyetjen tuaj do të përpiqem t’i përmbledh.

Së pari është bilanci. Pa dyshim, forcat politike kur garojnë duhet të garojnë me bilanc dhe fatmirësisht ne kemi çfarë të themi. Mjafton t’ju kujtoj një fakt të thjeshtë, por që tregon shumë për skenën politike në vendin tonë: PDIU është e vetmja forcë politike që ka pasur nisma ligjore dhe ekzekutive, me përjashtimin normal të partisë qeverisëse, e cila pa dyshim do të ketë nisma. PDIU, pra, është ajo forcë që nëpërmjet ndërhyrjes ligjore bllokoi një census antishqiptar. Nëpërmjet nismave ligjore ne vendosëm në vend dinjitetin e shqiptarëve të Çamërisë, duke nxjerrë nga sirtarët e pluhurosur të Kuvendit një rezolutë që ishte miratuar, por që në mënyrë dashakeqe ishte fshehur. Nëpërmjet nismave ekzekutive, në bashkëpunim me qeverinë sot janë ndërtuar Varrezat Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë në Qaf-Botë. Më lejoni të ndalem pak më shumë këtu, sepse simbolika e këtij akti shkon përtej çdo fjale. Historia e Kllogjerit, është një histori që tregon vuajtjen e kombit shqiptar. Aty kanë ndërruar jetë 2700 shqiptarë të Çamërisë, që u dëbuan nga trojet e tyre dhe nga lodhja, temperaturat ekstreme, etja dhe uria dhanë jetën e tyre brenda Shqipërisë. E për turp të të gjithëve, nisur nga secili prej nesh, nga çdo shqiptar, nga çdokush që ka drejtuar qoftë edhe një institucion të vetëm, eshtrat e tyre mbetën për 70 vjet nën tokën e djerrë, pa një varr ku të vendoseshin lule në kujtim të tyre. Ai vend na tregon të gjithëve se çfarë ka ndodhur me shqiptarët e Çamërisë, që jo vetëm u vranë, jo vetëm vdiqën nga uria, por për 70 vjet u lanë në harresë. Dhe simbolika e varrezave nuk është simbolikë thjesht shpirtërore. Pa dyshim që është një tribut për ata që humbën jetën për “fajin” e vetëm që ishin shqiptarë. Por është më shumë se kaq. Është vendi që do të tregojë përjetësisht se çfarë ka ndodhur me kombin tonë dhe mbi të gjitha është mbyllja e hesapeve me të kaluarën, për të hapur rrugën drejt së ardhmes, drejt zgjidhjes përfundimtare të çështjes çame. Për t’u kthyer te pyetja juaj, një nismë e tillë nuk kishte pse të bëhej nga PDIU, duhet të ishte bërë nga çdo deputet që ka respekt për veten, nga çdo parti që quhet shqiptare, por fatkeqësisht u desh që të ekzistonte kjo parti që ta kthente në realitet. Bilanci nuk mbaron me kaq. Ju e dini mjaft mirë se para pesë vitesh, mediat shqiptare shkruanin për çështjen çame e për bashkimin kombëtar flitej shumë pak. Por sot është krejt e kundërta. Dalja e çështjes kombëtare “në rrugë”, nëpërmjet aktiviteteve të vazhdueshme sensibilizuese, nëpërmjet dekorimit të të gjitha qyteteve në Shqipëri me simbolet kombëtare, si për shembull gjatë Javës Çame, e ka thyer tabunë. Sikurse ka thyer edhe tabunë e politikës. Ju e patë, ministri Panariti, të cilin gjej rastin ta falenderoj sërish, e ngriti çështjen çame në mes të Athinës. Askush nuk i tha asgjë negative, nuk ndodhi hataja sikurse kishin kërcënuar kasandrat, thjesht u hodh hapi i parë, me palën greke që pranoi ta bisedonte. Deri para pesë vitesh në këtë vend çdo antishqiptar hynte e dilte si pa të keq. Por jo më. Konsulli antishqiptar i Korçës u dëbua nga PDIU, neonazisti Kristos Papas u kthye nga rruga nga KPR, e pak kohë më vonë me kërkesë të PDIU-së u shpall persona non grata. Çështja çame nga ana tjetër është sot në qendër të debatit publik. A ju duket rastësore që vetëm tani të gjitha partitë politike e kanë në programin e tyre? A është rastësore, që tani flasin të gjithë? Absolutisht që bilanci ynë është i pamohueshëm.

Së dyti, ne vijmë në këto zgjedhje me program. Më lejoni të ftoj të gjithë shqiptarët nëpërmjet gazetës suaj që të vizitojnë faqen tonë zyrtare pdiu.al, për të parë se çfarë ne zotohemi për mandatin e ardhshëm dhe i garantoj se pas katër vitesh bilanci ynë do të jetë shumë herë më i madh, sepse ne nuk garojmë me partitë e tjera, ne garojmë me veten. Ne kemi një program të qartë, që buron nga forca e amanetit të prindërve dhe gjyshërve tanë. Ne kemi një program konkret jo vetëm për çështjen kombëtare, jo vetëm për çështjen çame por për çdo aspekt të përditshmërisë. Përmenda Rezolutën, por sipas nesh Rezoluta nuk është stacioni i fundit i angazhimit tonë për çështjen çame, por vetëm stacioni i parë. Ne risollëm në skenë rezolutën e vitit 2004, e cila është shumë e mirë në përmbajtje, por që ka dhe një ngarkesë të madhe simbolike: për miratimin e saj anëtarët e komunitetit tonë u përgjakën në rrethinat e Parlamentit. Ndërgjegjja e tyre sot duhet të ndihet e qetë, sepse sakrifica që bënë atë ditë ia vlejti. Ajo Rezolutë përmban shumë detyrime për diplomacinë tonë, për ndërkombëtarizimin e çështjes çame etj. Ne kemi ndërkohë një program modern, i cili ka në bosht çështjen kombëtare, por edhe çështje të tjera, për të cilat partia jonë ka vizion tërësisht origjinal. Ne kërkojmë krijimin e institucioneve mbarëkombëtare si Parlamenti; ne kërkojmë krijimin e Komunuelthit ekonomik shqiptar; ne kërkojmë zgjidhjen e problemeve të pronës në Shqipëri, sipas një standardi të barabartë me atë që ne kërkojmë për çamët në Greqi dhe një institucioni që bashkon ALUIZNI-n, hipotekën dhe agjencitë e tjera të lidhura me pronën; ne kërkojmë zgjidhjen e problemit të të zhdukurve të kohës së komunizmit me një ligj të veçantë etj. etj.

Së treti, unë besoj fuqimisht se çdo shqiptar nuk “i ha” ato që thuhen në fushatë. Jemi në një situatë absurde, ku bisedojmë nëse Shqipëria e 3 milionë banorëve do të ketë 250 mijë apo 300 mijë vende të reja pune. Absurde, absurde, absurde! Aq absurde, sa jemi me fat që nuk jemi në qendër të vëmendjes në mediat e huaja. Sepse, për ta, do të mjaftonte të krahasonin këto shifra, me shifrat që deklaronin kandidatët në zgjedhjet presidenciale në SHBA apo në Francë, ku për shtete me 70 dhe 250 milionë banorë, flitej për më pak se 150 mijë vende pune. Ndaj, veçoria e tretë e programit tonë është vizioni. Ne mendojmë se ky është shekulli i shqiptarëve dhe se ne mund ta bëjmë ndryshimin. Por ndryshimi nuk bëhet duke qenë i bllokuar në atavizmat e së kaluarës, por duke bërë ndërhyrje thelbësore. Për shembull, duke qenë se fola për ekonominë, ne kemi një vizion të qartë: të ndryshojmë strukturën, të bashkojmë tregjet e Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare. Ky është një test i trefishtë. Së pari, sepse për këdo që di sadopak ekonomi, e di që zgjerimi i tregjeve është rruga e vetme për vrull zhvillimi, për vende të reja pune, për prosperitet. Së dyti, sepse ky test është në fakt thelbi i bashkimit kombëtar. Sot beteja bëhet për tregje dhe nëse shihet se shqiptarët krijojnë një treg të përbashkët, bashkimi kombëtar do të ishte më pranë. Së treti, sepse ne besojmë te integrimi evropian dhe në fakt Bashkimi Evropian nuk është as më pak e as më shumë se një bashkim fillimisht ekonomik. Ndaj, deri sa të integrohemi në BE, le ta testojmë veten tonë në trojet tona; nuk do të bënim asgjë më pak sesa të përshpejtonim rrugën e integrimit.

Ndryshimi ynë i katërt është politika e bashkimit dhe jo e ndasive. Ju lutem, referojuni arkivave tuaja: sa raste keni parë në këto 23 vjet që një parti politike falenderon në bazë të kontributit dhe jo në bazë të pozicionimit? Ne falenderuam Partinë Demokratike për rezolutën, por në të njëjtën kohë falenderuam Partinë Socialiste kur përfshiu në programin politik çështjen çame, sikurse falenderuam Lëvizjen Socialiste për Integrim kur ministri Panariti ngriti çështjen çame në Athinë. E nuk përfundon këtu. Kemi qenë në krah të çdokujt që na bashkon programi, pavarësisht pozicionimit të tyre në skenën politike. Ky është një ndryshim thelbësor. Shqiptarët sot nuk duan ata që i ndajnë në veri, jug, lindje e perëndim, nuk duan ata që tentojnë të krijojnë përçarje, sepse në fund të ditës, pas këtyre zgjedhjeve do të jemi të gjithë një, shqiptarë.

Dhe së fundmi, e njëkohësisht kryesorja për nga rëndësia, ndryshimi ynë thelbësor është se ne jemi produkti i amanetit. Unë jam rritur në Tiranë, nga një baba që dy vjeç u dëbua si “kriminel lufte” nga shtëpia e tij në Çamëri. Po ashtu si unë, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë rritur me rrëfenjat e gjyshërve dhe të prindërve, me amanetin e kombit tonë për drejtësi dhe bashkim kombëtar, me amanetin për Çamërinë, për Kosovën për të gjitha trojet shqiptare aty ku i ka vendosur Zoti. Si parti amaneti, ne duam të shlyejmë ato detyra që kemi marrë që të vegjël, dhe të çojmë përpara kauzat që rilindasit tanë i kanë vendosur në krye të prioriteteve kombëtare shqiptare. Do të mund të shkruaja edhe dhjetëra arsye të tjera, por besoj se qytetarët shqiptarë mund ta bëjnë vetë diferencën.

Duke qenë ekspert i politikave fiskale, si do ta komentonit garën e premtimeve të kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS, Rama për heqjen apo uljen e taksave dhe cili është parashikimi juaj për shëndetin e ekonomisë së vendit pas 23 qershorit, kur duket se po shkojmë me shpejtësi drejt rënies së të ardhurave nën efektet e krizës, por edhe të fushatës elektorale?   

Unë po shoh një debat shterp, që nisi si një tentativë për të treguar se do të ketë “oferta të ndryshme elektorale” dhe përfundoi në një debat mbi nocione dhe jo mbi realitetin. Si ekonomist, dua t’i them çdo shqiptari: sot nuk po bisedohet më për taksa, por po bisedohet për një taksë të vetme, që është taksa mbi të ardhurat personale. Për më tepër, askush nuk di ofertën e opozitës, sa do të jenë shkallët e taksimit, në cilat të ardhura do të vendosen dhe mbi të gjitha si do të garantohet që nuk do të ketë evazion të lartë fiskal si pasojë e kësaj. Taksa e sheshtë është një taksë e drejtë, që ata që paguhen më shumë, paguajnë më shumë taksa dhe mbi të gjitha është një taksë që e detyron punonjësin që të deklarojë të ardhurat e tij reale. Të mos harrojmë se deri para pak vitesh, shumica e shqiptarëve kanë qenë në punë gri: pra deklaroheshin si të punësuar, por deklaronin të ardhura më të vogla për të shmangur taksimin e lartë. Gjithsesi, kjo taksë është një e ardhur e vogël e buxhetit të shtetit, që nuk ndikon për asgjë në aspektin afatgjatë. Unë besoj se ajo çka i duhet sot Shqipërisë është të ketë një ekonomi të studiuar dhe të shohë të gjitha mundësitë për të zgjeruar tregjet, nëpërmjet projektit tonë për një Komunuelth Ekonomik Kombëtar, që do të shuante çdo efekt të krizës europiane.

 

PDIU është një parti që në bazë të profilit të saj ka çështjen çame. Në këtë fushatë po përqendroheni vetëm në këtë target, apo po kërkoni të zgjeroni spektrin tuaj të ligjërimit dhe mbështetësve?

Kolona vertebrore e PDIU-së është çështja çame. Kjo në vetvete do të thotë se targeti ynë është çdo shqiptar nga Konispoli në Vermosh për dy arsye të dukshme. Së pari, sepse çështja çame është një çështje që i përket çdo shqiptari. Nuk duhet ta harrojmë që arsyeja pse shqiptarët e Çamërisë pësuan një ndër genocidet më të ashpra në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte vetëm pse ishin shqiptarë. Ndaj, çdokush prej nesh, nëse do të kishte lindur në atë kohë në atë vend, do të kishte pësuar të njëjtin fat. Kjo e bën çështjen çame jo vetëm një çështje të pasardhësve të viktimave, por një çështje që rrek zemrat e cilitdo pjesëtari të kombit tonë. Ashtu sikurse çështja e Kosovës ishte një çështje e çdo shqiptari dhe dhanë jetën për Pavarësinë e Kosovës shqiptar nga të gjitha trevat, ashtu edhe çështja çame na prek të gjithëve. Së dyti, sepse kushdo që tenton të zgjidh çështjen çame e ka të pamundur të mos shërbejë për çdo aspekt të çështjes kombëtare. Mbështetësit dhe simpatizantët e PDIU-së, anëtarët dhe drejtuesit e saj, vijnë nga çdo trevë e kombit tonë dhe ne së bashku luftojmë për çdo çështje që prek kombin shqiptar.

Gjithë dimri që kaluam u shënjua nga retorika e fortë nacionaliste, nxitur edhe nga 100- vjetori i Pavarësisë. Si e shpjegoni ju faktin se tashmë këto teza janë lënë mënjanë nga shumica e aktorëve politikë?

Për sinqeritetin e gjithsecilit, duhet pyetur çdo aktor politik. Unë nuk dua të bie në “grackën” për të komentuar të tjerët. Ajo që mund të them, është se që në fillim të betejës sonë ne kemi folur për bashkimin kombëtar, si një detyrim kushtetues, domosdoshmëri zhvillimi dhe vokacion kombëtar. Por që në fillim, kemi thënë se kjo nuk ndodh brenda një dite, se ne duhet të përqendrohemi në ato që kemi në dorë, në bashkimin e ekonomisë, të kulturës dhe të arsimit. Akoma edhe kur të gjithë filluan të deklarojnë se duhet të bashkohemi nesër, kemi mbajtur të njëjtin qëndrim. Aq më tepër tani që “e harruan” si me magji, ne do të vijojmë të punojmë dhe luftojmë për ëndrrën e të gjitha kohërave të çdo shqiptari, bashkimin kombëtar, si një bashkim natyral, i paqtë dhe i gjithëpranuar.

 

Në prag të formimit zyrtar të koalicioneve, u duk se ju dhe zoti Meta do të krijonit “Polin e Tretë”. Cilat ishin sipas jush, arsyet e dështimit të kësaj përpjekjeje, apo kishim të bënim me një lëvizje taktike nga ana juaj dhe e zotit Meta për të fshehur lëvizjet e mëpasme? 

Në fakt, unë personalisht dhe askush nga PDIU, nuk kemi deklaruar diçka të tillë. Është krejt normale që të bisedohet çdo skenar, të shihet çdo mundësi dhe më pas të veprohet në drejtimin e duhur. Këtë kemi bërë për çdo çështje, ndaj nuk shoh diçka të veçantë apo të çuditshme në këtë histori.

Kodi Elektoral sjell shumë të këqija për “partitë e vogla”, por mes tyre favorizon dukshëm përveç partisë së parë edhe të dytën e koalicionit, e cila “përfiton” nga votat e partive më të vogla rast pas rasti në qarqet zgjedhore. A është PDIU, pas ikjes së LSI, parti e dytë e “Aleancës për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim” dhe a është kjo arsyeja e rreshtimit tuaj në Aleancën e Berishës?

Votat e shqiptarëve tregojnë se cila është parti e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë. Në këto zgjedhje unë besoj se shqiptarët do të votojnë bilancin, programin, vizionin, paqen dhe amanetin, ndaj e besoj sinqerisht që PDIU do të jetë surpriza e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Keni deklaruar se synoni të merrni deri në 7 deputetë në 23 qershor. A mund të jeni më shpjegues për gjeografinë e qarqeve ku mendoni se do t’i fitoni dhe a kemi të bëjmë në këtë rast me maksimalizim të rezultatit tuaj “në kurriz” të rezultatit të PD?

Çdo parti nxjerr deputetë në bazë të votave që ka dhe nuk merr deputetë “në kurriz” të të tjerëve. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një sistem zgjedhor që i favorizon dukshëm partitë e mëdha ndaj partive të vogla, ku në qarqe të caktuara partitë e vogla prodhojnë mandate për partitë e mëdha. Mos harroni zgjedhjet e kaluara, kur partitë e vogla morën vota të mjaftueshme për të nxjerr 15 deputetë dhe në total deputetë të partive të vogla u zgjodhën vetëm 7. PDIU ka një bazë reale dhe të fortë në qarqet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit dhe Vlorës. Por, më tej ka mbështetës të shumtë e kandidatura serioze në çdo qark të Shqipërisë. Po e përsëris, unë e besoj sinqerisht që PDIU do të jetë surpriza e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Herën e fundit në “Opinion” ka pasur një deklaratë tuajën, që e linte të hapur fatin politik  të PDIU-së pas 23 qershorit, nëse e majta fitonte zgjedhjet. Nga ana tjetër dihet se PDIU është një parti që kauzat e saj mund t’i përmbushë më mirë duke qenë në mazhorancë. A mund të themi se pas 23 qershorit PDIU do të jetë në qeverisje, pavarësisht se kush do të ulet në kolltukun e Kryeministrit?

Në pyetjen tuaj në fakt ishte një analizë në vetvete, analizë e cila nuk mund të vlejë për asnjë parti tjetër, por vetëm për një parti kauze. Fatkeqësisht, në Shqipëri ka vetëm një parti kauze – Fatmirësisht, ajo është PDIU.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.