Homoseksualët, të premten protestë para ministrisë së Drejtësisë, Halimi i quajti b…q…

Aktivistët e të drejtave të homoseksualëve do të protestojnë të premten përballë Ministrisë së Drejtësisë.
Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT, ka lajmëruar organizimin e kësaj proteste, e cila duket se është shkaktuar nga një mesazh i ministrit Eduart Halimi.
Kamerat e A1Report kanë fiksuar një këmbim mesazhesh mes ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi dhe deputetit të PD, Fatos Hoxha gjatë seancës së Komisionit të Ligjeve, ku Avokati i Popullit, Igli Totozani kërkonte mbrojtjen e homoseksualëve dhe dënimin e homofobëve.
Por ndërsa Totozani fliste, Halimi i shkruante Fatos Hoxhës se “ai mbron bq”, duke iu referuar homoseksualëve.
Pikërisht kjo ka shkaktuar reagimin e homoseksualëve, ndërkohë që në një shkrim në rrjetet sociale, Kristi Pinderi, drejtues i Aleancës Kundër Diskriminimit, LGBT, e quan ministrin e Drejtësisë, Eduart Halimin, burracak.
“Na shpjego po pate ndopak karakter të mbetur se si ka mundësi që ministria që drejton ti është dakord me ndryshimet që rekomandon Avokati i Popullit për Kodin Penal, ama ti personalisht jo vetëm që nuk je dakord, por je dhe i tmerruar deri në palcë nga homofobia jote? A mos është kjo të jesh i pavërtetë, burracak, pa karakter dhe … a mos ndoshta këto cilësi përshkruhen më mirë pikërisht me atë shprehjen tënde bq…?! Se ne të tjerët jemi gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë. E kupton Halim ndryshimin? Turp! Dhe mjerë ne për ministrat që kemi!”, shkruan Kristi Pinderi./l.ç
TEMA
Add new comment