"Holanda duhet të kuptojë mesazhin e PE-së"

Nikola Vuljaniç, raportues i Shqipërisë në Parlamentin Evropian, si eurodeputet kroat, e di shumë mirë se sa i vështirë është procesi i integrimit në BE. Vendit të tij iu deshën 10 vjet (pas aplikimit) që të bëhej zyrtarisht pjesë e unionit.
Statusin kandidat, vendi i tij e mori që në vitin e parë pas aplikimit (2004), ndërsa Shqipëria rrezikon të dështojë për të katërtin vit radhazi në arritjen e këtij objektivi (aplikimi: prill 2009).
Por, Vuljaniç ndoshta i vetëdijshëm për rëndësinë reale të dhënies së statusit kandidat (vendim politik), thotë se e rëndësishme për Shqipërinë është të vazhdojë reformat dhe të mos deprimohet nga zhvillimet në Bruksel.
Raportuesi për Shqipërinë tha në një intervistë për “Shekulli”-n, se pavarësisht votës për statusin në Këshillin e BE-së, Shqipëria s’duhet të devijojë nga rruga e saj drejt integrimit. Sipas tij, çdo gjë mund të ndodhë deri më 17 dhjetor, atëherë kur mbahet edhe mbledhja e Këshillit të BE-së ku do të merret vendimi për statusin e Shqipërisë.
Vuljaniç shrpehet se, nëse Holanda voton kundër atëherë statusi s’mund t’i garantohet Shqipërisë, por megjithatë, Shqipëria thotë ai ka bërë reforma të mëdha dhe nuk duhet ta humbasë ritmin e reformave dhe dialogut politik.
Si raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian, cilat mendoni se janë pengesat më të mëdha me të cilat po përballet Shqipëria në rrugën e saj drejt integrimit Europian?
Nuk do të preferoja të flisja për pengesa. Gjithsesi, ka disa probleme të cilat duhen zgjidhur dhe reforma të cilat duhet të ndërmerren. Sipas mendimit tim personal, dialogu politik mbetet çështja kryesore. Nëse një vend kërkon që të arrijë suksese brenda një kohë shumë të shkurtër, atë herë njerëzit, veçanërisht klasa politike, duhet të jetë gati që të bëjë hapa të mëdha dhe reforma.
Për t’u bërë këto, nevojiten bisedime, bashkëpunim mes palëve që mendojnë ndryshe, dhe sigurisht dialog dhe vullnet për të dëgjuar kundërshtarin politik.
Gjithashtu, sundimi i ligjit është çështje parësore, dhe këtu hyjnë reformat në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar etj.. Reformat ekonomike duhet të jenë po aq të rëndësishme, dhe shpresoj shumë që qeveria të mos bëjë gabimet që kanë bërë disa shtete të tjera. Megjithatë, me aq sa kam vëzhguar unë, mendoj se vendi juaj mund të bëjë gjëra të mëdha.
Një vit më parë, problemi kryesor ishte klima politike në Shqipëri, tani pengesë për statusin duket se po bëhet Holanda, e cila votoi në parlamentin e saj kundër hajes së dyerve të BE-së Shqipërinë. Çfarë do të ndodhë në mbledhjen e Këshillit të BE-së?
Unë nuk e di me siguri se çdo ndodhë në Këshillin e BE-së. Komisioni dhe Parlamenti Europian kanë bërë çdo gjë që është e mundur, ashtu sikurse edhe unë, dhe tashmë nuk mund të bëjmë gjë tjetër veç se të presim 17 dhjetorin. Vendimi i këshillit duhet të jetë unanim. Të gjitha qeveritë e BE-së duhet të votojnë pro statusit që ai t’i jepet Shqipërisë. Unë shpresoj që këto qeveri ta kenë kuptuar qartë mesazhin e Parlamentit Europian. Kjo ka qenë arsyeja që unë insistova që vota në PE të kryej përpara diskutimeve në këshill.
Vendimet për zgjerimin e BE-së merren me votë unanime. Qeveria Holandeze pritet që të votojë kundër. Nëse ndodh kështu, Shqipëria e humb përfundimisht statusin e vendit kandidat...
Nëse një nga vendet voton kundër, do të thotë që statusi i vendit kandidat nuk mund t’i jepet Shqipërisë. Por le të shpresojmë për më të mirën. Shumë gjëra kanë ndodhur gjatë javëve të fundit, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë pozitive për zgjerimin e BE-së. Le të presim dhe të shohim se si do të jetë vendimi.
PE-ja dhe KE-ja e kanë bërë të qartë tashmë që Shqipërisë duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat, pa asnjë vonesë, në përputhje me reformat dhe progresin e arritur. A mendoni se mund të ketë një devijim të Shqipërisë drejt integrimit të BE-së?
Për mua, Shqipëria ka marrë mbështetjen më të madhe ndonjëherë për rrugën e saj drejt integrimit evropian. Çfarëdo që të ndodhë në mbledhjen e këshillit, siç tha e kryeparlamentari juaj, Ilir Meta në PE, Shqipëria duhet të vazhdojë me reformat dhe të ecë përpara drejt rrugës së saj evropiane. Ai ishte një fjalim mjaft i mirë dhe shumë optimist dhe jam i sigurt që të gjitha vendet e BE-së e kanë kuptuar mesazhin e Shqipërisë.
SHEKULLI
Add new comment