HASANI ZËVENDËSON HAMITIN NË BIK

Burime të Express brenda Bashkësisë Islame të Kosovës, thonë se tashmë është caktuar zëvendësuesi i Xhabir Hamitit.
Sipas këtij burimi, kryetar i këshillit të BIK prej sot është Fadil Hasani, i cili mbante postin e nënkryetarit, derisa vendin e tij e ka zënë Agim Hyseni.
Zgjedhja e tyre ka ndodhur pavarësisht faktit se në tetor kur janë zgjedhjet pos imamit mandati përfundon edhe për kryetarin dhe nënkryetarin.
“Nuk e di se si do ja bëjnë, por në zgjedhjet e përgjithshme përfshihet edhe zgjedhja e kryetarit edhe nënkryetarit”, ka thënë një burim i Express nga BIK.Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka vendosur që të mos flasë asgjë për media.
Çka do që flitet në mbledhjen e Kuvendit të BIK-ut që aktualisht është duke u mbajtur në zyrat e Bashkësisë Islame do të bëhet e ditur me anë të një komunikate për shtyp.
Ramadan Shkodra, zyrtar për informim i BIK-ut thotë që me vendim unanim të anëtareve të Kuvendit u vendos që pas mbledhjes të mos deklarohet askush.
“Gjithçka do të bëhet e ditur me anë të një komunikate që do ta lëshojmë për media pas përfundimit të mbledhjes. BIK mund të lejojë vetëm marrjen e pamjeve për rreth dy minuta dhe asgjë më shumë”, tha Shkodra.
30 anëtarë të kuvendit janë në sallë, mirëpo i pranishëm nuk është kryetari në shkarkim i BIK-ut Xhabir Hamiti, i cili e ka mbajtur fjalën e dhënë më parë se nuk do të merr pjesë në mbledhjet që i quan jo legjitime.
Mirëpo, sipas burimeve të gazetares tonë në terren, aktualisht Kuvendi është duke e shqyrtuar zgjedhjen e Kryetarit të ri të Këshillit, post të cilin deri para shkarkimit e ka mbajtur Xhabir Hamiti. Gjithashtu po bëhet edhe zgjedhja e nënkryetarit të BIK.
EXPRESS
Add new comment