HAPJA E URËS MBI LUMIN IBËR DO TË JETË SHUMË E VËSHTIRË

Qeveria e Serbisë duhet të flasë për të kaluarën duke u bazuar në fakte. Duhet të njohë institucionet e Kosovës. Të pranojë viktimat. Në këtë mënyrë, aktivistja Natasha Kandiq, sheh edhe normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën. Ajo thotë se detyrë shumë e vështirë, por shumë e rëndësishme do të jetë edhe hapja e urës në lumin Ibër.
Kandiq ka theksuar se prejse kanë nisur bisedimet në Bruksel, në nivel të lartë, në të cilat kanë marrë pjesë kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, vihen re ndryshime në realitet, në jetë.
Sipas saj, këto ndryshime janë lëvizje të vogla, por, ajo që është më e rëndësishme, është se në media është zhdukur gjuha armiqësore, e cila është përdorur me vite.
“Nga të dyja palët ka vlerësim. Për herë të parë thuhet kryeministri i Kosovës. Më herët, në shtypin serb është quajtur kriminel, ka bërë këtë e këtë, ndërsa tani pranohen cilësitë e tij në këtë dialog. Ky është fillimi i ndryshimeve. Mendoj se do të jetë një detyrë shumë e vështirë, por shumë e rëndësishme hapja e urës në Lumin Ibër. Gjatë luftës, atje kanë ndodhur gjëra të tmerrshme. Ka shumë vrasje të pazgjidhura. Edhe pas përfundimit të luftës, përreth atij lumi kanë ndodhur gjëra të rënda. Aty ndodhet kafiteria e njohur “Dolce Vita”, prej nga janë organizuar shumë aksione, të cilat kanë qenë edhe kundër shqiptarëve, edhe kundër çdo ligji dhe për vendosjen e një jete kriminale në veri të Mitrovicës”, ka thënë ajo.
Kandiq ka thënë se nëse deri në fund të qershorit, kryhen disa detyra të marrëveshjes, do të jetë mirë për herë të parë dhe do të ketë një shpresë reale se do të zgjidhen çështjet.
“Mendoj se njohja e institucioneve të Kosovës është gjëja më e rëndësishme, pra vendosja e bashkëpunimit midis institucioneve, njohja e sistemit të drejtësisë së Kosovës, njohja e sistemit sigurisë. Bashkëpunimi midis institucioneve do t’i ndihmojë edhe asaj që konsideroj se është më e rëndësishmja – pranimi i viktimave, pranimi i fakteve, qofshin edhe të pavërtetuara në shkallë gjyqësore, e, mbi të gjitha, ofrimi i informacioneve për varrezat masive dhe ndriçimin e fatit të më shumë se 1,700 personave”, ka thënë Kandiq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka shtuar se të gjithëve u është mërzitur ajo armiqësi me Kosovën, megjithatë sipas saj, ka edhe një pjesë të vështirë të procesit, për të cilën as qeveria e sotme në Beograd nuk flet asgjë për atë se çfarë ka ndodhur më 1998,1999 dhe 2000 në Kosovë.
EXPRESS

Add new comment