Hapet një shteg për kompromis. Berisha: Të hënën mblidhet Kuvendi

Bisedimet
Parlamenti do të mbetet i hapur edhe pse u mbyll zyrtarisht sot
http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">
Zhvillimet
Parlamenti - Administrata e Kuvendit bën me dije se Parlamenti mund të mblidhet kur të shikohet e nevojshme edhe pse e ka mbyllur mandatin
Berisha - Kryeministri ka shpallur se të hënën në mesditë do të mblidhet Kuvendi për të miratuar 3 ligjet e integrimit pa specifikuar paketën
KQZ - Për çështjen e KQZ-së ka sinjale kontaktesh mes palëve të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët, por ende nuk ka negociata direkte
Hapet një shteg për kompromis mes mazhorancës dhe opozitës për t’u rikthyer në Kuvend, të miratojnë paketën e propozuar nga kryetari i LSI-së, Ilir Meta, për 3 ligjet e integrimit dhe për të plotësuar KQZ-në nëse do të ketë marrëveshje. Mes palëve, me ndihmën e ndërkombëtarëve ka kontakte, por ende nuk ka negociata konkrete. Është vetë Kryeministri Sali Berisha, i cili nga qyteti i Kukësit, Berisha deklaroi dje se të hënën do të mblidhet Parlamenti për të miratuar tri ligjet. Berisha tha se ata shkojnë ballëlartë në këtë seancë, pasi Rama i ka bllokuar këto ligje. “Ditën e hënë do mblidhet Parlamenti shqiptar për të votuar ligjet. Por aty ne shkojmë ballëhapur, sepse bëmë gjithçka për të merituar statusin e vendit kandidat, sepse ne çdo ditë kërkuam votimin e ligjeve, ndërsa ti mjeran vjen në Parlament me çelësin në qafë”, deklaroi Berisha në mitingun elektoral në Kukës. Miratimi i ligjit për “Nëpunësit civilë”, ligjit për Gjykatën e Lartë dhe Rregullores së Kuvendit, nuk do t’i hapte menjëherë rrugën dhënies së statusit kandidat nga KE-së, pasi prioritet i integrimit mbeten zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërkohë, dy partitë e mëdha duket se kanë vendosur që t’i japin fund debatit që zgjat prej më shumë se një viti, pikërisht në një kohë kur ato po hyjnë zyrtarisht në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Për këtë çështje, ka sinjale se gjatë këtyre tri ditëve Partia Demokratike dhe ajo Socialiste do të zhvillojnë bisedime mes tyre, për të arritur konsensusin e nevojshëm për miratimin e tre ligjeve me 3/5-at. Ndërkohë, burime nga selia blu, pohojnë faktin se ekziston një grup negociatorësh për këtë çështje, por emrat e tyre nuk bëhen publikë. Ndërkohë, i kontaktuar nga “Shqipi”, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, theksoi se nuk ka dijeni mbi negociatat mes PD-së dhe PS-së, pasi ai është i angazhuar në fushatën elektorale që PD-ja po zhvillon në Qarkun e Vlorës. “Unë jam në fushatë këtu në Selenicë dhe deri tani nuk kam dijeni për këtë çështje që po më pyesni”, u shpreh mbrëmjen e djeshme deputeti i PD-së, Astrit Patozi. Ndërsa gjatë një takimi me elektoratin e djathtë në Komunën Otllak, një nga njerëzit më të afërt të Kryeministrit Berisha, ministri i Inovacionit, Genc Pollo, u shpreh dje i sigurt që të hënën do të mblidhet Kuvendi për të miratuar tri ligjet. Në fjalën e tij, Pollo ironizoi kreun e opozitës, Edi Rama, i cili sipas tij, kujtohet gjithmonë me vonesë. “Në 4 vjet miratuam 400 ligje për integrimin europian e statusin kandidat. A do t’i votojë ai të hënën normalisht, edhe si kofini pas të vjeli? Kush vë dot bast 100 mijë lekë rriskon shumë”, tha Pollo.
Kuvendi
Administrata e Kuvendit nuk ka nisur ende punën për përgatitjen e sallës së seancave plenare. Qëndrimi i Kryeministrit Sali Berisha se do të mbledhë të hënën Kuvendin, duket se po mbetet ende në suazën e një deklarate, pasi institucioni që miraton ligje ende nuk ka marrë ndonjë veprim konkret. “Nuk kemi lëshuar asnjë njoftim për deputetët, por ka kohë deri në të hënën”, shprehen burimet zyrtare pranë Kuvendit. Pra ky institucion mbetet i hapur. Kuvendi ka marrë vendim që mandati mbyllet më datën 25 maj, por në bazë të Kushtetutës ai mund të mblidhet në çdo kohë. “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë fillon të hënën e tretë të janarit dhe sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm, kur kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve. Sesionet e jashtëzakonshme thirren nga Kryetari i Kuvendit në bazë të një rendi dite të përcaktuar”, thuhet në nenin 74 të Kushtetutës. Pra nëse PD dhe PS bien dakord për tri ligjet e kërkuara nga BE, Kryeministri në të drejtën e tij kushtetuese mund të thërrasë seancën e jashtëzakonshme plenare.
PS
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste të pyetur dje nga gazeta “Shqip” në lidhje me nisjen e negociatave për sa i përket çështjes së votimit të tri ligjeve, theksojnë se nuk janë në dijeni në lidhje me negociata të tilla. Ata theksuan se aktualisht ishin të shpërndarë nëpër rrethe dhe të përqendruar te fushata zgjedhore dhe ende nuk kishte ndonjë indicie për kalimin e këtyre nismave ligjore brenda këtij muaji. PS dhe kryetari i saj, Edi Rama, janë treguar të qartë kur kanë theksuar se ata janë të gatshëm në çdo moment për t’i votuar këto ligje me kushtin e vetëm të hyrjes së tyre në fuqi, pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, në legjislaturën e re parlamentare. Por pavarësisht këtij qëndrimi, mazhoranca nuk është treguar konkrete për sa i përket një detyrimi për të përcaktuar një datë të qartë të seancës ku do të bëhej e mundur kalimi i këtyre ligjeve.
SHQIP
Add new comment