Hapen portat e Fierzës, Nënshkodra sërish nën ujë.FRD reagon për përmbytjet

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë ndikuar ndjeshëm në prurjet e ujit në hidrocentralin e Fierzës dhe i kanë detyruar specialistët të hapin njërën prej portave të shkarkimit. Liqeni i Fierzës tashmë është në kuotën maksimale të tij, 296 metra. Porta numër 3 shkarkon më shumë se 500 metër kub ujë në sekondë, ndërkohë që prurjet në Fierzë janë më shumë se 800 metër kub në sekondë. Shkarkimet kanë nisur që mbrëmjen e kaluar dhe pritet të vijojnë për një kohë të pacaktuar.
Shkarkimet filluan vetëm pas konstatimeve se rreziku për digën ishte i lartë edhe pse gjatë gjithë këtyre ditëve është punuar me katër turbina me kapacitet të plotë. Hapja e portave të hidrocentraleve ka rikthyer përmbytjet masive në zonën e Veri-Perëndimore të vendit për të disajtën herë brenda pak kohëve.
Të dhënat e fundit tregojnë se në rrethin e Shkodrës, uji ka përmbytur mbi 4500 hektarë toka, ndërsa qindra banesa janë të rrethuara ose kanë prezencë uji brenda tyre. Banorët e zonës shprehen të revoltuar se përmbytja i ka gjetur të papërgatitur, sepse askush nuk i kishte lajmëruar për hapjen e portave dhe rritjen e shkarkimeve. Ata tregojnë se janë lënë pa asnjë ndihmë në këtë situatë ku vërshimi i uji ka shkatërruar të mbjellat, por edhe bazën ushqimore.
Ndërkohë, shkarkimet e larta nga hidrocentralet mbi Drin kanë rritur nivelin e ujit edhe në zonat që prej ditësh qëndrojnë të përmbytura si Oboti, Gorica dhe Shirgji. Rruga nacionale e komunave Dajç dhe Velipojë është bërë e pakalueshme, ndërsa në qytetin e Shkodrës, dalja e liqenit ka përmbytur edhe rrugën pedonale, në zona të caktuara, pasi rrjedha e fortë e Drinit nga hapja e portave pengon shkarkimin e liqenit në lum.
FRD reagon për përmbytjet
Fryma e Re Demokratike ka shprehur shqetësimin për gjendjen aktuale të krijuar nga hapja e portave të hidrocentralit të Fierzës, të cilat mund të sjellin një përkeqësim të situatës në zonat e përmbytura, por edhe shtim të hartës së përmbytjeve në fshatrat Kuç e Vukatanë, të Shkodrës. Në një deklaratë për shtyp, FRD shpreh përkrahjen për familjet që janë prekur nga këto përmbytje dhe të tjera që mund të përmbyten prej hapjes së vazhdueshme të portave të hidrocentraleve. “Ne si forcë politike do të jemi afër familjeve të përmbytura që çdo vit e më tepër po preken nga situata të tilla dhe do të japim kontributin tonë maksimal për zgjidhjen e përfundimtare të kësaj situate”,-thuhet në një deklaratë.
SHQIP
Add new comment