Halimi: Do reformojmë burgjet. Në burgjet private do të vuajnë dënimin personat që dënohen deri në 5 vjet

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi bëri të ditur se qeveria do të angazhohet përgjatë muajit maj në reformën e burgjeve private. Përmes një publikimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”, ministri Halimi theksoi se në burgjet private do të vuajnë dënimin personat që dënohen deri në 5 vjet, të cilët konsiderohen persona me rrezikshmëri të ulët.
“Paketa Penale dhe Reforma e Burgjeve bashkëlidhen për të luftuar me vendosmëri kriminalitetin. Në baze të partneritetit publik me privat, do të ndërtojmë burgje të reja për të dënuarit deri në 5 vjet. Këto burgje do të menaxhohen nga privatët, duke ndjekur një model të ndërthurur anglez dhe amerikan. Jemi të parët në rajon që ndërmarrim këtë reformë historike për nga suksesi dhe ndikimi pozitiv”- shkruan ministri.
Sipas ministrit Halimi, burgjet private ulin kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes për shtetin, duke rritur cilësinë e shërbimit në institucion, si dhe garantojnë rehabilitimin.
“Në këto burgje vendosen më lehtë programe të punës për të burgosurit, duke ju dhënë atyre mundësinë të kualifikohen dhe të punojnë. Nuk do dalin më me duar në xhepa, vulnerabël për të kryer të tjera krime. Të burgosurit mund të mësojnë një zanat dhe përfitojnë një sasi të ardhurash. Avantazhe do ketë edhe për biznesin: Bizneset do të sigurojnë një punë të paguar më lirë dhe do të bëhen partner të rehabilitimit në interes publik. Për shtetin, puna në burgjet private lehtëson rehabilitimin, ul kostot dhe më e rëndësishmja kursen paratë e taksapaguesve. Paralelisht do te krijohet sistemi dixhital për burgjet për të garantuar monitorimin e tyre dhe evidentuar rastet e recidivisteve”- shkruan Halimi në “Facebook’.
Ai bën të ditur se në katër vitet e ardhshme do të ndërtohen jo më pak se katër burgje private, ku do të vuajnë ndërtimin së paku 3000 të burgosur që janë dënaur jashtë vendit.
TEMA
Add new comment