Hakmarrja ndaj LSI-së, PD shkarkon anëtarët e AKEP-it

Luis Tanushi
-Largimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim ende nuk është kapërdirë lehtë nga demokratët të cilët vijojnë që të hakmerren ndaj mbështetësve të kësaj force. Fushata e spastrimit ka nisur edhe në institucionet të cilat cilësohen të pavarura dhe emërimi i tyre është bërë prej Kuvendit. Edhe dje, në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, mazhoranca shkarkoi vetëm me votat e saj, kryetarin e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Pirro Xhixho, që është edhe babai i Erisa Xhixhos, nënkryetare e LSI-së. Qëllimi i shkarkimit duket qartë dhe nga procedura e ndjekur nga të djathtët duke shkarkuar në bllok të pestë anëtarët dhe riemërimin e katër prej të shkarkuarve, me përjashtim të babait të Erisa Xhixhos. E gjithë kjo procedurë u cilësia “rrumpallë” nga opozita me qëllime të pastra politike për zëvendësimin e njerëzve të LSI-së. “Mua më duket si shumë rrumpallë kjo e sotmja, se mund të thosha më tepër. Ky amendim me urgjencë ditën e fundit të komisionit, të parlamenti për të ndërruar Pirro Xhixhon si përfaqësues i LSI-së më duket. Pse me shkarkimin e kryetarit të LSI-së i duhet t’u zgjatet mandati i anëtarëve të tjerë pasi u fillon nga zero anëtarëve të tjerë. Është njësoj si të ndërrosh një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, t’i shkarkosh në grup dhe t’i emërosh në grup. Kjo më duket jo rrumpallë, por më shumë se rrumpallë. Këtu është një shkarkim politik, dy emërime politike, tre zgjatje mandate e AKPE-it”, theksoi deputeti socialist Artan Gaçi. Por, për mazhorancën emërimet e reja janë nevojë e përcaktuar dhe e mbështetur në dispozitat ligjore. “Unë e kuptoj që ju shkon mendja te flokët kaçurrel atë të LSI-së, por problemi është se nuk është çështja te kaçurrelat. Sipas dispozitës tranzitore, formatimi i AKEP-it, i jep të drejtën e një riformatimi minimalisht apo maksimalisht pesë vjet. Formula është 5 vjet për kryetarët, 4 vjet për nënkryetarët dhe 3 vjet për anëtarët”, sqaroi Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana. Sipas relacionit, të Ministrisë së Inovacionit të drejtuar nga Genc Pollo, Këshilli Drejtues, i cili ishte zgjedhur më datë datë 10.3.2008 nga Kuvendi, për shkak të mosfunksionimit, u zëvendësua me anëtarët aktualë të Këshillit Drejtues, mandati i të cilëve përfundon në mars të vitit 2013, duke patur parasysh që mandati i anëtarëve të zgjedhur me vendimin nr.171, datë 10.3.2008 dhe të zëvendësuar me anëtarët aktualë, është për një periudhë 5- vjeçare. “Ndryshimet më të fundit ligjore sollën si zgjidhje të çështjes së afateve kohore të mandateve, parimin e zëvendësimit të pjesshëm periodik për anëtarët e Këshillit Drejtues. Me qëllim që ky autoritet të ketë vazhdimësi në punën e tij, është menduar që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të përcaktojë mandatin e parë për Kryetarin e Këshillit Drejtues për një periudhë 5- vjeçare, për dy prej anëtarëve mandatin për një periudhë 4-vjeçare, si dhe për dy anëtarët e tjerë mandatin për një periudhë 3-vjeçare”, thekson qeveria.
Drejtues të AKEP-it
Znj. Alketa Mukavelati kryetar me mandate 5 vjet
Znj. Zamira Nurçe anëtar, me mandat 4 vjet
Z. Benon Paloka anëtar, me mandat 4 vjet
Z. Alban Karapici anëtar, me mandat 3 vjet
Znj. Elkeda Domi anëtar, me mandat 3 vjet
SHEKULLI
Add new comment