Greqia nuk do të pengojë emigrantët

Postuar në 05 Shtator, 2013 18:40

Qeveria greke urdhëroi të gjitha drejtoritë e policisë të rajoneve kufitare me Shqipërinë që të mos pengojnë levizjen e qytetarëve shqiptare, pasaportat e të cilëve kanë probleme me toponimet. 

Urdhëri u shpërnda vetëm pak orë pas takimit që ministri grek i Mbrojtjes së qytetarit, Nikos Dendias pati në Athinë me të emëruarin si Minister i Brendshëm në qeverine e re, Saimir Tahiri. 

Në takimin që zgjati një orë, çështja e toponimeve ishte çështja kryesore dhe Tahiri kërkoi që të mos pengohet lëvizja e qytetarëve shqiptarë në pikat kufitare, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së toponimeve nga ministritë e jashtme të të dy vendeve. 

Një teme tjetër e diskutuar mes tyre ishte bashkëpunimin dypalësh, si dhe shkëmbimi me shpejtësi i informacioneve të karakterit policor në dy anët e kufirit, me qëllim shkatërrimin e bandave kriminale, si dhe bllokimin e trafiqeve të lëndeve narkotike. 

Zoti Tahiri kërkoi ngritjen e një qendre shkëmbimi të informacionit në pikat e mëdha kufitare që lidhin dy vendet, me qëllim evitimin e problemeve për kalimin e emigranteve dhe qytetarëve shqiptarë, për të garantuar respektimin e lëvizjes së lire, dinjitetit të qytetarëve dhe respektimin e parimit të reciprocitetit. 

Ndërkohë, burime nga takimi i thanë “Top-Channel” se pala greke kërkoi ndihmën e autoriteteve shqiptare në arrestimin e pjesë së mbetur të bandës të të burgosurve shqiptarë që u arratisën muaj më parë nga burgu u Trikallës, ku sipas tyre, i shumëkërkuari Ilir Kupa, numri një i personave në kërkim të policise greke dhe bashkëpunetorët e tij vazhdojne ende t’i shpëtojnë drejtësisë. 

Pala greke dyshon se anëtarët e kesaj bande fshihen në Shqipëri, ndaj dhe kërkoi intesifikimin e operacioneve për kapjen e tyre.

Nga ana e tij, zoti Tahiri u shpreh i vendosur se ministria që ai do të drejtojë do të ketë tolerance zero në luftën me krimin e organizuar. 

Ata ranë dakord për komunikim të shpeshtë dhe zgjidhje të menjëhershme të problemeve që preokupojnë policitë e dy vendeve.

 

 

 Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.