Greqia ende pa qeveri. Shansi i fundit tek presidenti

Gati një javë pas zgjedhjeve të 6 Majit në Greqi, vendi nuk arriti të krijojë dot një qeveri, për shkak të shpërndarjes së votës dhe kushteve të ndryshme që vendosin forcat politike greke gjatë negociatave.
Pas Samaras dhe Cipras, edhe kreu i PASOK Venizelos dështoi në përpjekjet e tij për krijimin e qeverisë së koalicionit. Palët në bisedime akuzuan njëra-tjetrën se po bëhen pengesë për krijimin e një qeverie dhe se po shtyjnë vendin drejt falimentimit.
Sot në mesditë Venizelos do të shkojë tek presidenti Papulias, ku duhet të dorëzojë mandatin e tij.
Tani është radha e presidentit të republikës të bëjë një përpjekje “të minutës së fundit”, për të formuar një qeveri. Në bazë të Kushtetutës greke, Presidenti pritet të thërrasë këtë fundjavë ose më së shumti të hënën, për konsultime kryetarët e partive. Kushtetuta parashikon që në konsultime të ftohen të gjithë liderët partiakë, të cilët kanë arritur të hyjnë në parlament, duke përfshirë kështu edhe neonazistin Nikolaos Mihaloliakos.
Presidentit grek Karolos Papulias, i cili luftoi 15 vjet në Luftën e Dytë Botërore kundër nazistëve, do ti'i duhet të ulet në tryezë me një nacionalist ekstremist të deklaruar, i cili përshëndet si Hitleri. Juristi i së Drejtës Kushtetuese Jorgos Sotirellis mendon se një skandal i tillë politik të mund të shmanget. "Arsyeja e vetme pse Kushtetuta nuk përmban një formulim konkret për këtë çështje, është që kreut të shtetit t'i lihet liria më e gjerë e mundshme për të vepruar. Ai nuk është i detyruar të ftojë ose të mos ftojë politikanë të caktuar," thotë juristi.
Shanset për suksesin e nismës së presidentit janë të vogla, ndërkohë që mundësia e zhvillimit të zgjedhjet bëhet edhe më e qartë. Dhe duket se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, votuesit do të jenë më të kthjellët për të drejtuar votën e tyre.
Sipas sondazheve të fundit paszgjedhore, rezulton se në rast të përsëritjes së zgjedhjeve, SYRIZA e Aleksis Cipras del forcë e parë me një shumicë prej 128 vendesh në parlament. Në vend të dytë Demokracia e Re dhe e treta sërish PASOK.
Ndërkohë paralajmërimet e Brukselit e Berlinit për Greqinë, sa vijnë e ashpërsohen dhe mediat ndërkombëtare bëjnë parashikime gjithmonë e më të errëta.
Add new comment