Gjyqtarët dhe prokurorët kundër Halimit: Nuk mund të dënohen njësoj armëmbajtja pa leje me vrasjen

Gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, kanë dalë kundër propozimeve të ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, për ashpërsimin e ligjit për disa vepra penale. Duke folur në Komisionin e Ligjeve, ata kanë thënë se propozimet e Halimit nuk janë të plota dhe shpesh herë bihen në kundërshtim me Kushtetutën.
Kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, është shprehur se rritja e krimit kohët e fundit kërkon një përgjigje të ashpër, por nuk mund të dënohen p.sh njësoj si ata që mbajnë armë pa leje, si ata që kryejnë vrasje.
“Armëmbajtja pa leje nuk mund të dënohet me 10 vjet, pasi është shumë e diskorduar. Kaq dënohet një vrasje në minimum, pra 10 vjet. Bie ndesh me frymën e Kodit Penal”, tha kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha.
Shoqata e avokatëve penaliste e sheh të paplotë paketën ligjore të ministrisë.
“Nuk mund të dënohet njësoj si një person që kapet me 5 gram drogë, edhe ai me 100 kg apo 1 ton. Duhen ndarë në grupe dënimi. Ne nuk e shohim këtë amendim të përfshirë në asnjë ndërhyrje ligjore”, tha avokati Sajmir Visha.
Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, përfaqësuar nga prokurori Shkëlqim Hajdari, mendon se jo gjithmonë ashpërsimi i dënimeve jep rezultate në parandalimin e krimeve./b.l
TEMA
Add new comment