Gjykata e Lartë pranon rekursin për Gërdecin, por shorti do rihidhet

Postuar në 06 Prill, 2013 03:23

 

E ndërsa të akuzuarit e vetëm të tragjedisë së Gërdecit janë të  lirë, Gjykata e Lartë pranon kundërshtimet e prokurorisë ndaj vendimeve për pafajësi dhe ulje dënimi të të akuzuarve të kësaj tragjedie, të dhënë nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Apelit.

Në mesditën e së enjtes, Gjykata e Lartë pranoi rekursin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke caktuar si relator për të shqyrtuar dosjen voluminoze gjyqtarët Artan Zeneli, Shkëlzen Selimi, Edmond Islamaj, Aleksandër Musta dhe Gani Dizdari.

Por ndërsa ka pranuar shqyrtimin e dosjes voluminoze, ku organi i akuzës kundërshton vendimet e gjykatës, ende nuk dihet se kur do të zhvillohet seance gjyqësore.

Kjo për shkakun se një prej gjyqtarëve të caktuar u tërhoq nga trupi gjykues me argumentin se ka konflikt interesi, ndërsa një tjetër gjykatës nuk është më pjesë e Gjykatës së Lartë.

Në një njoftim zyrtar të këtij institucioni, thuhet se shorti për gjyqtarët do të hidhet nga e para për shkak te mungesës së dy anëtarëve: Artan Zeneli, i cili u tërhoq për konflikt interesi dhe Gani Dizdari, i cili ka kaluar në Kushtetuese. Prokuroria iu drejtua 2 muaj më parë Gjykatës së Lartë për çështjen Gërdeci me gati 180 faqe rekurs, ku kundërshtohet vendimi i Gjykatës së Apelit.

Në shkurt Gjykata e Apelit dha vendimin e formës së prerë për 29 të akuzuarit e tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe u dëmtuam mbi 300 të tjerë.

Gjykata vendosi pesë pafajësi nga nëntë që kishte shpallur Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa uli dënimet me një të tretën për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, Dritan Minxollin dhe shoqërinë Albademil.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj argumentoi se akuza e Prokurorisë për vrasje në rrethana cilësuese është e gabuar dhe se humbja tragjike e 26 jetëve në Gërdec ka ardhur nga shkelja e rregullave të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e rendit, sigurisë, jetës dhe shëndetit./l.ç

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.