Gjirokastër, ndalohen klandestinët arabë

Postuar në 04 Prill, 2013 03:21

Policia në Gjirokastër ka arrestuar 6 shtetas të huaj që kishin hyrë ilegalisht në vendin tonë për të kaluar më pas në vendet perëndimore. 

Burime policore lokale bëjnë të ditur se klandestinët janë nga Tunizia, Algjeria dhe Siria dhe kishin braktisur vendin e tyre për t’iu shpëtuar konflikteve të armatosura. 

Gjatë operacionit ka rënë në pranga edhe shoqëruesi shqiptar i emigrantëve, shtetasi Lorent Haxhia. 

Burimet saktësojnë se Haxhia u kishte marrë shtetasve të huaj nga 500 euro secilit për t’i çuar në Mal të Zi, prej nga ata do të kalonin për në vendet e BE-së. 

Atmosfera luftarake në vendet arabe, në veçanti në Siri, ka bërë që shumë banorë të largohen nga vendi dhe në disa raste të përdorin tranzit Shqipërinë për të kaluar në vende si Greqia, Italia dhe më tej në BE. 

Muajin e kaluar të paktën 10 emigrantë klandestinë u ndaluan nga policia shqiptare në qytetin e Tepelenës, në përpjekje për të kaluar në vendet fqinje. 

Lajmin e komunikuan burime policore lokale, sipas të cilave klandestinët e ndaluar ishin 5 shtetas sirianë dhe 5 të tjerë marokenë. 

Burimet thanë se, ata po ecnin në këmbë kur u zbuluan nga uniformat blu, të cilat i ndaluan duke i gjetur të pa pajisur me dokumenta. 

Edhe në këtë rast, klandestinët shoqëroheshin nga dy persona, të dy shtetas shqiptarë, të cilët u shpallën në kërkim. 

Edhe në shkurt, 14 persona, shtetas algjerianë, sirianë dhe tunizianë, u kapën nga policia e Gjirokastrës në postobllokun e Ujit të Ftohtë, në Tepelenë.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.