Gjinushi: E sigurt që Meta kalon me Berishën pas zgjedhjeve

Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi shpreh pasiguri për pozicionin e LSI-së pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Gjinushi shprehet për GSH se ekziston vetëm rregulli moral dhe jo i shkruar, që një parti që ka një marrëveshje parazgjedhore me një parti tjetër të mos kalojë në anën tjetër.
Sa i përket debatit për kryeministrin, nëse duhet të jetë Edi Rama apo Ilir Meta, Gjinushi tha se kjo është ambicie e Metës, i cili kur kalon në anën e majtë, ka të tilla pretendime.
“Kjo ka dy gjëra: Një bëhet për të rritur pjacën, (nivelin) është provokative. Pra LSI do të krijojë opinionin që LSI as nuk diskutohet që është në qeveri, del forcë e madhe, madje synon edhe postin e kryeministrit dhe me këtë jo vetëm që ul pjacën, por gënjen shumë më shumë njerëz që shiko se ne do krijojmë shumë pushtet, prandaj edhe premtimet e mëdha duhet të besohen. Edhe sloganin e ka Punësim, nuk thotë Punë për të gjithë, por punësim për ata që na votojnë ne. Ky është parimi. Ndërsa e dyta: Nuk është se thjesht e bëjnë për efekt elektoral, por e kanë ambicie. Është e njohur kjo lloj ambicieje dhe ngrohjeje e LSIsë. Eshtë përdorur edhe në kohën e Nanos, kur thuhej unë kryeministër, ose e majta në opozitë dhe e realizoi. Po të përçash votat e majta e realizon se nuk është ndonjë gjë e madhe. Ca i përçamë edhe vetë ne në 2005 se përdorëm “Dushkun” në mënyrë të mbrapshtë dhe humbëm zgjedhjet duke fituar votë popullore. Të njëjtën gjë e përdor edhe tani. Ne kjo gjë nuk na ka pëlqyer kurrë. Një parti e dytë, e tretë apo e katërt nuk mund të ketë kurrë kusht kryeministrin, nuk mund ta ketë kurrë ambicie. Kryeministrin mund ta kenë ambicie partitë e vogla, vetëm kur ka një konsensus parazgjedhor, kur vetë koalicioni që është krijuar bie dakord të jetë “x”. Madje kjo lançohet dhe bëhet publike dhe fushata bëhet me atë kryeministër. Për shembull siç vinte Italia Romano Prodin apo siç ka qenë Kraksi për Italinë përsëri. Këto thuhen para. Kur këto gjëra nuk janë thënë nuk ka arsye për të gjetur një autoritet jashtë partiak apo qoftë edhe të një partie të vogël për hir të një bashkimi, atëherë është rregull i mirënjohur që partia e parë kur është dukshëm e parë, është ajo që zgjedh edhe kryeministrin. E keqja është se LSI këto pretendime të mëdha i ngre kur vjen në të majtë. Kurse kur shkon në të djathtë ai ul kokën, nuk ka kaq pretendime, pranon të rrijë edhe jashtë qeverie, madje pranon të rrijë edhe i pandehur”, shprehet ai.
Sa i përket debatit të hapur për nenin 96 të Kushtetutës, Gjinushi, ish-kryetar i Kuvendit shprehet se të drejtën për të krijuar qeverinë e merr ajo parti apo koalicion që siguron 71 vota.
“Vetëm në Shqipëri për çdo nen kushtetues hapet debati. Kushtetua jonë është nga më të qartat dhe është bërë kastile që ta lexojnë në rregull edhe njerëz si Sali Berisha. Pra nuk ka Kushtetutë kaq të detajuar në tërësi dhe nuk ka Kushtetutë kaq të deformuar siç bëhet në vazhdimësi këtu tek ne, pra kur nenet kryesore të saj merren gjoja interpretohen dhe kur nuk ju del as interpretimi merren gjoja me frymën. Kushtetuta është fare e qartë që thotë që presidenti në rast vakance apo menjëherë pas zgjedhjeve përcakton emëron kryeministrin me propozim të shumicës parlamentare. Duhet të kesh mbi 71 vota që të kesh të drejtën për të krijuar qeverinë. Pra, ai grup deputetësh që kap të drejtën për të krijuar qeveri. Shumica parlamentare propozon. Duhet të kesh 71 firma. Dhe shkon e i thua, z.President, ne me 71 deputetë, në emër të partisë filan apo të partive filan propozojmë… dhe a është një ajo partia apo janë disa s’ka rëndësi. Rëndësi ka që duhen 71 mandate për të pasur të drejtën të krijosh qeveri. Atje ku thuhet partia e parë, nuk propozon kryeministër partia e parë, në asnjë vend të botës, por ngarkohet partia e parë të krijojë shumicën. E thërret presidenti të parën dhe i thotë krijo shumicën dhe sill kryeministrin dhe ai vjen ja sjell në emër të shumicës, prapë edhe atëherë, nuk ja sjell në emër të vet. Kur ka shumicë vetë e çon krijon, kush ka 71 votat. Partitë dalin dhe pastaj vendosin se ku do shkojnë”, shprehet Gjinushi.
Në këtë pikë ai shprehet se në mënyrë që të sigurohet fitorja e opozitës së majtë duhet të rriten votat për PSD-në.
“Këtë e them bazuar në deklaratat e kreut të LSI-së se pas zgjedhjeve nuk do të kalojë me PD-në. Nuk e ndalon askush. Është vetëm rregull moral. Ai moralin e ka shumë të fortë. Kështu që është i sigurt që kalon me PD-në. Ndaj them unë që duhet të rriten votat për PSD-në dhe të ulen ato për LSI-në”, thekson ai./A.XH
TEMA

Add new comment