Gjenerali Abaz Lleshi: Të gjitha mëkatet e Arben Imamit dhe Xhemal Gjunkshit

“Do të publikoj faktet e abuzimit me ushtrinë shqiptare”
Herion Mesi
Gjenerali Abaz Lleshi, i liruar nga detyra dy ditë më parë me dekret të Presidentit të Republikës, akuzon ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, Xhemal Gjunkshi, për këtë vendim. Në një intervistë dhënë për “Shqip”, Lleshi thekson se ky vendim është marrë, pasi ka refuzuar të jetë pjesë e lojës politike të ministrit Imami. Nga ana tjetër, ish-komandanti i Brigadës së Mbështetjes Rajonale thekson se dekreti i Nishanit, i është komunikuar atij tetë ditë me vonesë, është i pabazuar në ligj, madje dhe në shkelje të Rregullores së Marrjes dhe Dorëzimit të Detyrës. “Sepse nuk mund të dorëzohet detyra për një ditë”, thotë Lleshi, i cili shton se ky lirim është kryer pa asnjë motivacion.
Zoti Lleshi, si jeni njohur me vendimin për lirimin tuaj nga detyra?
Vendimi në lidhje me lirimin tim nga Forcat e Armatosura është marrë me datë 24.05.2013. Ka qenë një vendim krejt i papritur, pa asnjë arsye dhe është marrë rrugë e gabuar. Dekreti në fakt ka të bëjë me dy vendime, edhe për lirimin tim nga Komandant Brigade, por edhe për lirimin tim nga Forcat e Armatosura. Dhe këtu kemi të bëjmë me një vendim të paligjshëm, pasi ai në vetvete ka disa mangësi ligjore. Së pari, ai është vendim i paligjshëm, sepse nuk i referohet Ligjit për Gradën, dhe Karrierën në Forcat e Armatosura, ku ky vendim nuk i referohet asnjë ligji që ka të bëjë me këtë qëllim dhe me këtë problem. Gjithashtu, dekreti i Presidentit ka ardhur 5 ditë me vonesë nga njoftimi zyrtar për lirim nga detyra dhe, kjo pas kërkesave të vazhdueshme nga ana ime dhe sidomos pas sensibilizimit të kësaj çështjeje nga ana e mediave. Gjithashtu, duke iu referuar mangësive që përmban vetë dekreti i Presidentit, mund të them që ky dekret është i paligjshëm. Ky dekret është i paligjshëm edhe për faktin tjetër, sepse ky dekret nuk na ka dhënë asnjë arsye dhe asnjë motivacion në lidhje me lirimin tonë. Dhe këtë nuk e ka bërë vetëm Presidenti me dekretin e tij, por as ministri i Mbrojtjes dhe as shefi i Shtabit të Përgjithshëm, nuk na kanë dhënë asnjë motivacion për arsyet e lirimit nga ushtria.
Keni pasur kontakte me drejtuesit e Ministrisë apo të Forcave të Armatosura për këtë çështje?
Jo. Me anë të një shkrese zyrtare që i bëra ministrit të Mbrojtjes, unë i kam kërkuar dy ditë më parë për të më vënë në dispozicion dekretin e Presidentit të Republikës, në mënyrë institucionale. Sepse nuk mund quhet institucionale ajo që tha shefi i Shtabit të Përgjithshëm në zyrën e tij, por ajo është dhënia e dekretit. Përsëri edhe dje i kam bërë një shkresë ministrit Imami, ku i kam thënë: “Më dërgo dekretin”, dhe vetëm dje në drekë më është dorëzuar dekreti i Presidentit.
Tani që jeni njohur me të, cili është komenti juaj për këtë dekret?
Dekreti i Presidentit është ‘gatuar’ në mënyrë shumë të fshehtë dhe është maskuar, dhe nuk më është komunikuar fare për të. Na ka ardhur neve vetëm dje dhe në faqen zyrtare të Presidencës dekreti është publikuar dje. Ka dalë në një mënyrë jo siç dalin të gjitha dekretet e tij, pasi është futur në mes të ligjeve të miratuara nga Presidenti më datën 21 maj. Dekreti, përveç të gjitha shkeljeve të tjera ligjore, ka dhe një tjetër shkelje, sepse ai është hartuar në prag të fushatës zgjedhore. Dhe sipas Kodit Zgjedhor, nenit 88 të tij, i cili në pikën 3 të tij thekson se: Gjatë fushatës zgjedhore ndalohet marrja në punë, pushimi nga puna, lirimi, lëvizja dhe transferimi në detyrë në të gjitha institucionet apo entet publike, me përjashtim të rasteve të përligjura. Dhe bëjnë përjashtim nga kjo vetëm rastet e emergjencave dhe për shkak të ngjarjeve të paparashikuara, të cilat diktojnë dhe marrjen në punë. Arsyetimi i tyre, gjoja i Presidentit, të nxjerrë me datë 21 maj, bie poshtë për faktin sepse dekreti duhej që të na jepej me datën 21, ku duhet të kishte më pak shkelje që ka tani, pasi neve na është dhënë 8 ditë me vonesë. Dhe vetë publikimi në faqen zyrtare tregon një diçka që ka një fshehtësi në këtë drejtim.
Sipas jush, pse është ndjekur një rrugë e tillë për t’iu komunikuar lirimin tuaj?
Arsyet ne nuk i dimë. Ne i kemi kërkuar ministrit të Mbrojtjes shpjegim përse këto vendime të bëhen në mënyrë kaq të ngutshme dhe kaq papritur, ku neve asnjë shkelje nuk na është komunikuar më përpara, qoftë edhe nga Presidenti, pasi ne jemi gjeneralë. Dhe kur jemi emëruar gjeneralë, jemi thirrur nga Presidenti i asaj kohe, por nga ky President nuk jemi thirrur, që të ishte ai që të na e komunikonte lirimin, aq më tepër që ky President ka qenë vetë më parë ushtarak. Pra, kjo më bën të mendoj që ky veprim është bërë në mënyrë shumë të nxituar. Mjaft i nxituar është bërë dhe dorëzimi ynë i detyrës, ku përveçse janë shkelur ligjet gjithandej, është shkelur dhe rregullorja e marrjes dhe dorëzimit të detyrës. Sepse nuk mund të dorëzohet detyra për një ditë.
Cilat kanë qenë raportet tuaja me ministrin apo shefin e Shtabit?
Ne nuk është se nuk kemi pasur komunikime. Ne jemi takuar më parë, kemi diskutuar, si dhe kemi pasur dhe probleme dhe divergjenca, për probleme të cilat ne i kemi diskutuar, i kemi informuar, pra ia kemi bërë prezentë qoftë ministrit, qoftë shefit të Shtabit të Përgjithshëm, por që nuk kemi marrë përgjigje nga ata. Për problemet dhe divergjencat ne do flasim edhe në ditët e ardhshme.
Këto divergjenca kanë qenë për shkak të detyrës apo personale?
Vetëm për shkak të detyrës, pasi ne nuk kemi pasur asgjë personale. Divergjencat kanë qenë për shkak të detyrës time si komandant i Brigadës së Mbështetjes Rajonale. Unë mund të theksoj se kam punuar 35 vjet në Forcat e Armatosura dhe kur kthej kokën prapa, shikoj përkushtimin tim për realizimin e detyrave. Pjesë e detyrës të brigadës që unë kam drejtuar është pjesë edhe ndihmesa ndaj popullatës në rast emergjencash. Kam pasur një komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë në të gjitha qarqet e vendit dhe në të gjitha pushtetet vendore. Dhe sot pas gjithë këtyre viteve, sot shikoj me keqardhje që ndodhem jashtë Forcave të Armatosura, ku argumenti kryesor i lirimit tim, është sepse unë nuk kam shërbyer politikisht gjatë punës time. Por, kam shërbyer vetëm në zbatim të detyrave dhe në respekt të uniformave të gjelbra. Me keqardhje mund të them, që me këtë dekret, nga Presidenti nuk janë parë vlerat e mia si gjeneral, por është marrë vetëm fakti që unë nuk jam i politizuar. Më vjen keq, sinqerisht, për Forcat e Armatosura se ku po shkojnë me veprime të tilla! Kur këto bëhen me gjeneralët, ç’mund të mendojnë të tjerët?! Pra, mund të them në përfundim se një ushtri e politizuar nuk mundet që të jetë një ushtri e NATO-s. Nuk duhet të ketë politikë në ushtri.
Kur është përdorur politikisht ushtria?
Unë nuk dua t’i them sot këto, por kolegët e mi i kanë bërë publike disa raste, por në një moment tjetër do t’i bëj publike, ku do të flas dhe më gjatë në këtë drejtim, do të flas edhe me fakte dhe me argumente.
E ardhmja juaj tani?
Tashmë unë jam qytetar i lirë dhe kam dhe një fat tjetër, që përpara se të shërbej në ushtri kam dhe një gradë shkencore, dhe do shikoj mundësitë e mia për t’u integruar në jetën civile, si të gjithë qytetarët e tjerë të këtij vendi. Por nga ana tjetër, do vazhdoj betejën time në rrugë ligjore për të vënë në vend drejtësinë. Përvoja e kaluar ka treguar se ka vendime të gjykatave që e rrëzojnë dekretin e Presidentit dhe duke qenë se ky dekret është në shkelje të ligjit besoj se shumë shpejt ne do marrim drejtësinë e mohuar. Por, me sa duket ata që nxorën këtë vendim nuk i kanë marrë parasysh këto, sepse në disa raste edhe i kanë marrë parasysh, ku ministri e di mirë që është detyruar nga gjykata për t’u rikthyer gradat ushtarakëve, madje ka rikthyer në detyrë ushtarakët e liruar me pa të drejtë, por kjo jo për këdo. Dhe kjo siç duket është bërë në mënyrë selektive, duke përjashtuar në këtë trajtim vetëm gjeneralët. Për dy vjet, konkretisht, që nga gushti 2011 janë shkarkuar gjashtë gjeneralë dhe arsyet për këto shkarkime i dinë vetëm ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Prandaj, ne do ta vazhdojmë betejën tonë ligjore, sepse e kemi të fituar atë.
Imami më liroi për arsye politike. Nishani shkeli ligjin dhe rregulloren e detyrës
“Argumenti kryesor i lirimit tim, është sepse unë nuk kam shërbyer politikisht gjatë punës time”
Mëkatet e Arben Imamit dhe Xhemal Gjunkshit
• Mosmarrja në konsideratë e mendimeve për strukturën e Brigadës;
• Dërgimi në misione jashtë vendit i personelit të Brigadës pa asnjë konsultim me Shtabin e Brigadës;
• Emërimet dhe lëvizjet kaotike të personelit pa kritere dhe pa propozimet e instancave përkatëse;
• Përdorimi i forcave e mjeteve të Brigadës pa urdhër me shkrim dhe në objekte që kishin lidhje me firma private.
• Shmangia nga diskutimi për probleme të rëndësishme të FA-së, ku mund të përmend diskutimin e gjatë për rishikimin strategjik të mbrojtjes;
• Probleme lidhur me ruajtjen e sigurinë që binin ndesh me urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret përkatëse.
• Probleme lidhur me arsimimin ushtarak, të cilit i është bllokuar frymëmarrja nëpërmjet një kupole përsipër, duke mos zbatuar edhe VKM për integrimin e studimeve shkencore pranë universiteteve dhe shkollave të tjera të larta. Mjafton të themi se e vetmja revistë shkencore ushtarake që është në FA ka kaluar në varësi të KDS, duke harruar se janë institucionet arsimore e shkencore ata që bëjnë shkencë dhe jo komandat.
Konkursi
Presidenti ndryshon stemat, dekoratat dhe titujt e nderit
Presidenti i Republikës ndërmerr nismën për ndryshimin e kompozimit të dekoratave dhe titujve të nderit. Presidenca shqiptare njoftoi dhe publikisht se “shpalli konkursin kombëtar për ideimin, modelimin dhe realizimin e simboleve të institucionit të Presidentit, të dekoratave dhe titujve të nderit që jepen nga Presidenti i Republikës, bazuar në nenin 6, pika 3 të ligjit nr. 112/2013, datë 4.04.2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Dekorata që do t’i ndryshohet imazhi janë: “FLAMURI KOMBËTAR”, “GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”, “NDERI i KOMBIT”, “NËNË TEREZA”, “E ARTË e SHQIPONJËS”, “PISHTAR i DEMOKRACISË”. Mësohet gjithashtu se do të ndryshohen dhe titujt si: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, “Martir i Demokracisë”, “Mjeshtër i Madh”, “Naim Frashëri” dhe “Për merita të veçanta civile”. Punimet sipas Presidencës duhet të paraqiten brenda datës 22 korrik dhe mund të marrin pjesë artistë, studio grafike dhe subjekte të interesuara (fizikë apo juridikë) me kombësi shqiptare.
SHQIP
Add new comment