Gjenden shëndoshë e mirë dy peshkatarët vlonjat, shpëtohen nga kroçera greke

Merr fund ankthi i familjarëve të dy peshkatarëve të zhdukur dje në ujërat e Jonit. Mëngjesin e sotëm, Gëzim Bashllari dhe Fatmir Ismailaj janë gjetur nga kroçera greke “Costa Voyager ” rreth 10 milje larg qytetit bregdetar të Durrësit. Kapiteni i kroçerës, ka njoftuar menjëherë Kapitanerinë e Durrësit dhe më pas ekuipazhi i anijes i ka dhënë ndihmën e parë dy të rinjve, gjendja shëndetësore e të cilëve mësohet të jetë e mirë.
Sapo kanë marrë lajmin e mirë, të afërmit e dy peshkatarëve janë nisur drejt portit të Durrësit. “Jemi shumë të lumtur për gjetjen e fëmijëve tanë. Kishim shpresa se ishin gjallë. Ai akoma nuk ka arritur të zbresë në Durrës, janë 20 minuta larg. Falenderojmë shtetin, drejtorin e përgjithshëm, policinë, mediat që bënë të pamundurën gjetjen e fëmijëve tanë”, është shprehur nëna e 25-vjeçarit Gëzim Bashllari për mediat.
Dy peshkatarë ishin zhdukur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Zvërnecit në Vlorë dhe prej 24 orësh nuk dihej asgjë për fatin e tyre. Rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm 25-vjeçari Festim Ismaili dhe Gëzim Bashllari, kishin dhënë sinjalin SOS, i cili më pas i është përcjellë Policisë Kufitare. Ismaili ka thënë se “ndodhen me një varkë të vogël, në hapësirën detare pranë ishullit të Sazanit, rreth 2 milje në veri të tij”. Mbas kësaj telefonate është organizuar një operacion shpëtimi, ku janë përfshirë struktura të Policisë Kufitare, Rojës Bregdetare dhe Kapitanerisë së Portit të Vlorës. Ndërkohë kontaktet me telefon janë shkëputur, për shkak se celularët e tyre rezultojnë të fikur. Kërkimet janë zhvilluar nga ishulli i Sazanit deri në grykëderdhje të Vjosës deri në orën 20:00, më pas janë ndërprerë për shkak të errësirës.
SHQIP
Add new comment