Gazsjellësi TAP, projekti do të nisë nga rrugët e reja

Zyrtarët e projekt TAP kanë zbarkuar dje në Tiranë për t’i dhënë falenderimet kryeministrit Berisha për kontributin në projekt dhe i bënë të ditur se shumë shpejt puna do të nisë nga ndërtimi i rrugëve lidhëse. Menaxheri i Përgjithshëm, Kjetil Tungland dhe Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë, z. Michael Hoffmann, janë takuar dje me kryeministrin Berisha. Tungland shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen dhe rolin shumë të rëndësishëm që Shqipëria dhe kryeministri Berisha personalisht luajtën në projektin TAP, pa të cilat nuk do të ishte mundësuar vendimi përfundimtar pozitiv nga Konsorciumi i Shah Deniz-it për përzgjedhjen e TAP. “Kjo mbështetje e siguruar ishte veçanërisht domethënëse në vitet e fundit, – përmendi ai, – ku Shqipëria u angazhua maksimalisht për përfundimin e të gjithë kuadrit ligjor e rregullator, të nevojshëm për konsiderimin e aplikimit të projektit të TAP-it pranë Konsorciumit të Shah Deniz-it”. Gjithashtu, ai e njohu Kryeministrin me ecurinë në vijim të projektit të TAP-it, lidhur me vendimin për fillimin e punimeve dhe vendimin përfundimtar të investimit nga konsorciumi i Shah Deniz-it. “Së shpejti puna në Shqipëri do të fillojë për ndërtimin e rrugëve të aksesit në funksion të ndërtimit të gazsjellësit”, – theksoi ai. Zoti Tungland informoi Kryeministrin se Konsorciumit të TAP-it i është bashkuar kompania belge më e madhe e shpërndarjes së gazit në atë vend, “Fluxys”, e cila me ndërtimin e gazsjellësit Belgjikë-Itali, e bën TAP-in një projekt për furnizim gazi paneuropian.
MAPO
Add new comment