Gardistët dhe policët mbushin sheshin në Tropojë

Postuar në 16 Qershor, 2013 04:13

Luis Tanushi

-Pas katër vitesh kryeministri Sali Berisha është rikthyer në Bajram Curri. Edhe pse është zona e vendlindjes së tij, kryeministri Berisha ka ngritur në këmbët të gjithë strukturat e sigurisë, të cilët kanë blinduar që në orët e para të mëngjesit të gjithë qytetit. Rreth 100 forca sigurie kanë kontrolluar mbarëvajtjen  e procesit. Pjesa më e madhe e tyre ishin civilë, një pjesë të përfshirë midis turmës, ndërkohë që nuk mungonin forca të shumta të Policisë së Rendit dhe asaj rrugore si dhe punonjësit e Gardës së Republikës. Edhe pse një automjet i blinduar, e cila ka kushtuar 700 mijë dollarë, makina e kryeministrit rrethohej nga 9 truproja.  Vetëm skena në të cilën kryeministri Berisha mbajti fjalën rrethohej nga 24 punonjës të sigurisë, të cilët dallohen mjaft qartë dhe në fotot e ofruara nga vetë zyra e shtypit e Kryeministrisë.  Për të garantuar masat e  sigurisë në vendlindjen e kryeministrit Berisha që rikthehet pas katër vjetësh që nga fushata e zgjedhjeve të 2009-s, në tarracat e pallateve ishin të vendosur punonjës të gardës të cilët mbikëqyrnin me pajisje dylbi të nga lart të gjithë sheshin. Ky element dallohet mjaft qartë edhe në foton e publikuar në Facebook nga ministri i Brendshëm  Flamur Noka, të cilët duket se i ka shpëtuar ky detaj. Gjatë gjithë kohës, kryeministri Berisha nuk ka hequr as jelekun mbi këmishë, ndonëse së fundmi në dy emisione televizive ka tentuar që ta kthejë në formë shakeje. Por, në asnjë dalje të tij në mjedis të hapur, nuk ka dalë pa jelek. Edhe pse e konsiderojnë me parrulla si “birin e tyre”, e patën të pamundur ta takonin, pasi kryeministri ecte i rrethuar nga eskorta e tij. Ligji për mbrojtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe që zbatohet nga Garda e Republikës, parashikon se kreut të qeverisë duhet t’i lihen 24 shoqërues, po aq sa presidenti apo 10 më shumë se numri 2 i piramidës shtetërore, që është kreu i Kuvendit.

Premtimet e Berishëës

 Duke folur para tropojanë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit, kreu i qeverisë premtoi mirëqenie e rroga më të larta për këtë zonë. Kryeministri u shpreh se gjatë 8 viteve të qeverisjes së djathtë, Tropoja dhe Shqipëria kanë sot një pamje krejtësisht tjetër. “Të dashur banorë të qytetit të Bajram Currit dhe të të gjithë Tropojës, miq, vëllezërit e mi, motrat e mia, përshëndetjet më të përzemërta, më vëllazërore, nderimi tim më të madh për ju, krenarinë time me secilin prej jush, me Tropojën, me vlerat e virtytet tuaja, mirënjohjen për mbështetjen e pakufishme,  urimin më të përzemërt për fitoren e madhe të 23 qershorit. Tropojane e tropojanë, vëllezër e motra, vitet fundit, ne sëbashku, me mundin, djersën, sakrificën tuaj, kemi ndryshuar Tropojën, kemi ndryshuar Shqipërinë. Me lumenj djerse, përkushtim të madh, Tropoja dhe Shqipëria kanë sot një pamje krejtësisht tjetër, kanë shpresë e besim tek e ardhmja. Së bashku kemi bërë gjithçka që pasuritë e Tropojës, pasuritë e Shqipërisë të shndërrohen në të mira për ju, në mirësi për ju, në rroga dhe në mirëqenie për ju”, u shpreh Berisha para qytetarëve që ishin grumbulluar për mitingun e së djathtës. Për shkak të masave të sigurisë, kryeministri Berisha i futur brenda makinës, u shoqërua nga një numër tepër i madh truprojash deri te hoteli ku ndaloi për të pushuar disa minuta para se të nisej për në mitingun e  radhës në Krumë të Hasit. Ajo që ra në sy gjatë turit elektoral të Berishës, është  “harrimi” i fshatit ku ka lindur, Viçidoli, në të cilin ka vite që nuk e ka parë. Ndonëse jetojnë ende kushërinj të tij atje, ende nuk është shtruar rruga me një gjatësi rreth 700 metra që e lidh me aksin kryesor. 

Mitingu në Has

E njëjta panoramë u konstatua edhe në Krumë të Hasit dhe në Kukës, ku kryeministri Berisha vijoi me turin e tij elektoral për prezantimin e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Që në orët e para të mëngjesit, efektivët e policisë dhe punonjës të Gardës të ardhur nga Tirana kanë siguruar  mitingun. Në Has, në katër pozicione të ndryshme janë vendosur punonjës të Gardës, të cilët kanë kontrolluar të gjithë mitingun. Ndërkohë, qeni anti-eksploziv ka kontrolluar  ndërtesat përreth. E vetmja godinë që nuk është kontrolluar nga qeni ka qenë Bashkia e Hasit, e cila kontrollohet prej të majtëve. Këta të fundit, nuk kanë pranuar ushtrimin e kontrollit duke refuzuar futjen e qenit në mjediset e Bashkisë.  I pranishëm në qytet është parë edhe Agron Kuliçaj, i cili është përkujdesur personalisht për ruajtjen e  sigurisë së kreut të qeverisë. Një tjetër veçori e mitingut të Hasit kanë qenë autobusët e shumtë të ardhur nga qytetet e tjera. Pavarësisht numrit të madh të autobusëve, sheshi nuk arriti që të mbushej  aq sa në Tropojë. Me sa duket , banorët e Krumës të Hasit kanë qenë më shumë të zemëruar me faktin se rruga për në Kukës u ka mbetur pa rregulluar. 

Rama : As sheshin e vendlindjes s’mbush dot lumëmadhi katragjysh

Vizita e kreut të qeverisë  pas katër vitesh në Tropojë , nuk ësstë lënë pa u komentuar dhe nga kryesocialisti, Edi Rama. Kryetari i PS-së denoncoi faktin se në sheshin e Bajram Currit ka pasur mësues nga Tirana, që janë nisur për ekskursion dhe kanë përfunduar në miting.“As sheshin e vendlindjes s’mbush dot lumëmadhi katragjysh, po janë marrë mësuesit e Tiranës për ekskursion e kanë përfunduar në mitingun e të lodhurit!” shkruan Rama në Twitter.  Përdorimi i punonjësve të administratës publike nga mazhoranca është denoncuar disa herë nga opozita. Edhe raporti i ndërmjetëm i ODIHR-it, shprehej tepër kritik me qeverinë duke theksuar se administrata publike dhe pasuritë e shtetit po përdoren në funksion të fushatës elektorale. 

Mujë Gosturani

“Berisha ka frikë të shkojë në Viçidol”

Si ka qenë pjesëmarrja në mitingun e kreut të qeverisë në Tropojë?

Më e vogël se sa hera tjetër që ka qenë para katër vjetësh në 2009-ën për fushatë zgjedhore. Të gjithë tropojanët që punojnë nëpër Shqipëri në shtet kanë marrë pjesë.  Nga pikëkalimi Gjakovë-Bajram Curri gjatë gjithë rrugës ka patur polici. Me urdhër, e gjithë administrata ka qenë në miting. Pjesëmarrja ka qenë e dobët, pasi edhe ata që kanë shkuar, kanë qene edhe për organizmin e koncertit që quhet “Sofra Dardane”. Ka pasur grupe kulturore nga Kosova dhe Shqipëria, por prapë sheshi nuk u mbush plot.

A tentoi kryeministri Berisha që të shkojë te shtëpia e tij ku ka lindur?

Jo nuk ka qenë .

Pse nuk ka shkuar?

Së pari nuk ka shkuar për arsye të sigurisë, ka edhe frikën me vete. Së dyti për premtimet e pambajtura , pasi nuk ka bërë rrugën e fshatit të vet. Një nga premtimet e pambajtura  është rruga e luginës së Drinit, Fierzë-Koman. Është bërë edhe një investim për ujësjellësin 3.5 milionë euro dhe qyteti furnizohet me orar. 

Berisha importon simpatizues nga Maqedonia

Për të mbushur sheshet  për takimet elektorale të kreut të qeverisë Berisha, degët lokale të Partisë Demokratike kanë gjetur një zgjidhje. Edhe pse premtimi i kreut të qeverisë për t’i dhënë shtetësinë të gjithë shqiptare kudo që janë mbeti në letër, PD-të lokale kanë zgjedhur që të importojë simpatizantë edhe nga  shqiptarët e Maqedonisë për të mbushur sheshet. Kryeministri Sali Berisha duket se ka humbur shpresat të ketë mbështetës në Dibër. Partia Demokratike ka filluar të bëjë lajmërime në Maqedoni, për të mbledhur mbështetës për mitingun e Berishës më 15 Qershor. Ky lajmërim është i vendosur në Dibër të Madhe, në Maqedoni, dhe u kërkon shqiptarëve të shkojnë në takimin e Berishës në Maqellarë. “Të nderuar qytetarë të Dibrës së Madhe. Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 23.06.2013, Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizojnë në Maqëllarë një miting elektoral madhështor, ku do të na nderojë me pjesëmarrjen e tij, kryeministri dhe kryetari i PD-së, Prof.Dr. Sali Berisha. Mitingu do të mbahet në qendër të Maqëllarës ditën e Shtunë, më datë 15.06.2013, ora 19:00. Ju ftojmë të gjithëve të merrni pjesë. Dega e PD-së, Dibër”, thuhet në njoftimin i cili është shpërndarë në Dibrën e Madhe.

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.