Gara për kreun e PD-së, Biberaj shpall kandidaturën: Platformë, në frymën e idealeve të Dhjetorit ‘90

Postuar në 01 Korrik, 2013 08:53

Aleksandër Biberaj ka vendosur të shpallë kandidaturën për kreun e PD-së, post i lënë vakant pas dorëheqjes së Sali Berishës. Biberaj, një nga themeluesit e PD-së dhe së fundmi pjesë e Partisë Fryma e Re Demokratike, ka deklaruar se kandidimi i tij synon ringjalljen e vlerave të së djathtës shqiptare.

“Pas inkurajimit që kam marrë gjatë këtyre ditëve nga shumë demokratë në të gjithë Shqipërinë, kam vendosur të shpall kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Nëpërmjet kandidimit tim synoj të ringjall vlerat më të mira të demokracisë, të institucionalizoj mirë-funksionimin e demokracisë së brendshme, bazuar në konkurrencën e ndershme, në meritokracinë dhe kontributet e gjithsecilit, sipas modelit të Partive Popullore Europiane.

Synoj gjithashtu që të bashkoj të gjithë demokratët në këto ditë të vështira, duke respektuar vlerat dhe kontributin e gjithsecilit, pasi nuk ka demokratë të tepërt në PD dhe kundërshtari ynë i përbashkët nuk është brenda nesh. I siguroj të gjithë mbështetësit dhe të gjithë demokratët se po punoj intensivisht për të hartuar një platformë serioze, thellësisht në frymën e idealeve të Dhjetorit ‘90. E gjitha që kërkoj është vetëm një garë e ndershme, gjë që na ka munguar gjithë këto vite brenda PD-së. Në përfundim të një gare të ndershme, unë do të njoh rezultatin cilitdo qoftë ai dhe do të punoj, siç di unë të punoj, në mbështetje të programit fitues. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit për rikthimin e PD-së në pushtet, në emër të interesave të Shqipërisë”, ka deklaruar Biberaj.

Brenda kësaj jave pritet të zyrtarizohen kandidaturat e tjera për kreun e PD-së, ku më të përfolurat për momentin janë Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Më herët, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi ka deklaruar se nuk do të kandidojë për postin e lënë bosh nga Berisha, ashtu siç veproi pak ditë më parë edhe Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.