Fyle: Rinovoni konsensusin për KQZ-në. Zgjedhjet janë thelbësore për integrimin

Postuar në 23 Prill, 2013 09:55

 

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, ka deklaruar në Bruksel se ata presin progres sa i përket procesit zgjedhor në Shqipëri.

Ai ka folur në Këshillin e pestë të Stabilizim- Asociimit BE- Shqipëri.

“Ne kemi bërë të qartë se pas zgjedhjeve shprehemi për negociatat. Ato janë kryesore për nisjen e negociatave për anëtarësim. Zgjedhjet e lira e të ndershme duhet të jenë në interesin jo vetëm të një partie, të gjitha partive dhe të gjitha forcat politike duhet të shkojnë drejt saj.

BE pret progres nga Shqipëria sa i përket procesit zgjedhor. Partitë politike janë përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ne do të dërgojmë ekipe për të vëzhguar zgjedhjet e qershorit dhe këto zgjedhje do jenë thelbësore për Shqipërinë,” tha Fyle.

Por nuk mund të mos ishte në qendër të këtij takimi dhe debati politik për përfaqësimin në KQZ, ndaj dhe Komisioneri për Zgjerimin lëshoi apelin e radhës.

“Apelojmë që gjitha palët të rinovojnë konsensusin për KQZ-në. Të gjitha partitë politike kanë detyrimin që të sigurinë kredibilitetin e KQZ-në. Ky institucion duhet tê jetë e pavarur. Qeveria ka dhënë garancinë që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme”, deklaroi Fyle.

Kurse ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se qeveria është e angazhuar për të plotësuar standardet më të larta zgjedhore.

Ajo premtoi luftë kundër korrupsionit, por edhe rikujtoi se është opozita që ka bllokuar votimin e tre ligjeve në Kuvend.

Ndërkohë përpara takimit, TCH ka publikuar pjesë nga qëndrimi i përbashkët i BE në lidhje me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit.

“BE përsërit se reforma zgjedhore dhe kryerja e zgjedhjeve janë prioritete kyçe të Opinionit. Në këtë kontekst, BE mirëpret ndryshimet konsensuale të Kodit Zgjedhor në korrik të vitit 2012. BE nxit Shqipërinë të marrë masat e nevojshme për të siguruar zbatimin efikas të Kodit të ndryshuar Zgjedhor. Vëmendje e veçantë duhet të kushtohet për të garantuar se organet e administratës zgjedhore i kryejnë në një mënyrë profesionale detyrat e tyre dhe se frenohen nga marrja e vendimeve apo veprimeve që lidhen me zgjedhjet, në bazë konsideratash politike. BE përsërit se zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e qetë të institucioneve demokratike të vendit, dhe për këtë arsye, një element thelbësor për perspektivën e integrimit të Shqipërisë në BE”, thuhet në pjesën e zgjedhjeve./ep

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.