Fyle: Duhet bashkëpunim mazhorancë-opozitë

Postuar në 07 Korrik, 2013 14:47

Mënyra sesi dy koalicionet e priten rezultatin dhe situata paszgjedhore, është pozitive, megjithëse procesi u zhvillua në një klime mosbesimi mes palëve. Kështu e përshkruan atë që ndodhi në Shqipëri me votimin dhe numërimin komisioneri për zgjerimin ne BE, Stefan Fyle, në një intervistë për ‘Vizion Plus’. “Më lejo t’i referohem vlerësimit paraprak të OSBE-ODHIR-it,që përcakton zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013, si konkurruese, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve gjatë fushatës dhe në respektim të plotë të lirive themelore. Raporti tregon, se votimi eci mirë, megjithëse kishte disa parregullsi procedurale. Pavarësisht faktit se raporti përmend një atmosferë me mungesë të theksuar besimi mes dy forcave kryesore politike, mënyra sesi të dy udhëheqësit e koalicioneve, si atij fitues ashtu edhe atij humbës, u përballën me rezultatin dhe situatën paszgjedhore, është një sinjal shumë inkurajues dhe pozitiv, për një përfundim të qetë të procesit”. I pyetur nëse rezultati i zgjedhjeve me një shumice të re kushtetuese në parlament,do të ketë ndikim për integrimin, Zoti Fyle, e lidh këtë me dy fjalë kyçe, ‘Konsensus dhe Gjithëpërfshirje’. “Suksesi në procesin e integrimit europian është i lidhur ngushtë me gjithëpërfshirjen dhe konsensusin. Prandaj, unë inkurajoj qeverinë e re që të punojë ngushtë me opozitën në parlament. Kjo, sepse, vetëm dialogu politik konstruktiv mund ta çojnë përpara vendin në rrugën e reformave”. Eurokomisioneri pranon se votimi i tre ligjeve në parlament me 30 maj, ishte i rëndësishëm, por jo plotësisht i mjaftueshëm. “Miratimi me konsensus i tre ligjeve, më 30 maj të këtij viti ishte një element i rëndësishëm sa i takon kushteve që i kërkohen Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Shanset e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian janë reale. Por vendi nuk duhet të hezitojë për t’i realizuar deri në fund sfidat, veçanërisht sa i takon sundimit të ligjit. Do të konsiderohen edhe hapat e mëtejshëm të ndërmarra nga qeveria shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, përfshi këtu dhe ato që vijnë nga investigime aktive dhe të prokurorisë në çështje të kësaj natyre. Në Shqipëri deri më tani janë shënuar shumë arritje. Sigurisht, ka gjithmonë mundësi për më shumë. Por procesi i integrimit evropian është një rrugë dhe garë e gjatë, prandaj ruajtja e ritmit dhe procesit në rrugën e duhur është themelore”. 

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.