FT: “Albpetroli”, turp kombëtar

Postuar në 14 Shkurt, 2013 03:17

 

 

“Financial Times” analizon dështimin e tenderit. Taçi, mik i BerishësQeveria shqiptare ka anuluar ofertën fituese të kryesuar nga një biznesmen vendas në tenderin për shitjen e firmës shtetërore “Albpetrol”, pasi ajo nuk arriti që të paguajë. Vendimi i jep fund asaj që u bë me shpejtësi një turpërim kombëtar për Shqipërinë, në një kohë kur ajo po përpiqet që të bindë Bashkimin Europian se po rrit standardet e transparencës. Por, pikëpyetje serioze ngrihen rreth sjelljes së fituesit të tenderit, manjatit lokal të “Vetro Energy”, Rezart Taçi, dhe të qeverisë.

Ministri i Energjisë, Edmond Haxhinasto, javën e kaluar theu heshtjen dymujore lidhur me fatin e tenderit të tetorit 2012 për “Albpetrolin”, kur ai tha në televizionin kombëtar se qeveria kishte vendosur që të konsideronte të pavlefshme ofertën e “Vetro”, pasi ajo nuk arriti të paguante 170 milionë euro, e barabartë me 20% të ofertës fituese. Kompania “Vetro”, me bazë në Çikago, që konkurroi përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor, “Vetro Silk Road Equity”, ofroi një shumë të madhe prej 850 milionë eurosh për “Albpetrolin”, që ishte dy herë më e lartë se oferta tjetër e dhënë nga konsorciumi kinez “Win Business” dhe tri herë më e lartë se ajo e vendit të tretë, nga “Bankers” i Kanadasë. “Ky vendim ka autorizuar grupin e negociatorëve që të vazhdojnë të vlerësojnë ofertat e tjera”, tha Haxhinasto në “Top Channel”. Deklarata e fundit publike nga “Vetro” ishte në dhjetor, kur konfirmoi se i ishte kërkuar nga qeveria shqiptare që të dorëzonte “garancinë” prej 170 milionë eurosh.

Taçi, aksioneri kryesor i “Vetro”-s, që është një aleat i Kryeministrit Berisha, tha në një deklaratë më 22 nëntor, se grupi i tij kishte “finalizuar financimin dhe investimin e kapitalit” për marrëveshjen prej 850 milionë eurosh. Zëvendësministri shqiptar i Energjisë, Sokol Dervishaj, u tha gazetarëve më 10 dhjetor, se në rast se “Vetro” nuk do të arrinte të jepte paratë, qeveria do të pretendonte 10% e ofertës, që sipas rregullave ishte garantuar nga një institucion i respektueshëm financiar, në këtë rast “American Chartered Bank” me bazë në Çikago.

Por siç rezultoi javën e kaluar, duket se “American Chartered” nuk kishte dhënë një garanci të tillë për 10% e ofertës së “Vetro”-s. “‘American Chartered’ nuk mund të japë specifika të marrëdhënieve të saj me klientë, por mund të konfirmoj se ‘American Chartered Bank’ nuk është e përfshirë në transaksionin në fjalë”, ka shkruar këshilltari ligjor i “American Chartered” në një email që daton më 13 dhjetor 2012. Duket se Federal Deposit Insurance Corporation (FDIC), një institucion federal që garanton sigurinë e llogarive të depozituesve të bankave anëtare, ka konfirmuar se nuk ka pasur garanci. Në fakt, “American Chartered” është një bankë lokale e Illinois, me aktive totale në fund të vitit 2011 që llogariteshin në 2.3 miliardë dollarë, dhe një garanci prej 85 milionë eurosh do të përfaqësonte 5% të aktiveve të tij totale.

Pretendimi për një garanci bankare nga “American Chartered” u mbështet prej deklaratave nga komiteti qeveritar në ngarkim për procesin e tenderit dhe u tha se ai ishte konfirmuar nga këshilltari i tenderit, “Patton Boggs”, një firmë ligjore me bazë në Uashington që bën punë përkrahëse për qeverinë shqiptare në SHBA. Pyetjet lidhur me aspektin financiar të ofertës së “Vetro”  drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe zyrës së Kryeministrit, mbetën të gjitha pa përgjigje. Dyshimi në lidhje me garancinë e bankës ishte vetëm një nga çështjet që rrethojnë privatizimin e “Albpetrolit”, aktivi më me vlerë i vendit. Për më tepër, kur Kryeministri Berisha njoftoi fituesin e tenderit më 3 tetor, fituesi u përshkrua si një kompani ndërkombëtare, ofertë e kompanisë me bazë në Çikago “Vetro Energy”, përmes konsorciumit të regjistruar në Singapor, “Vetro Silk Road Equity”. Vetëm dy ditë më vonë rezultoi se konsorciumi fitues zotërohet konkretisht 51% nga Taçi, që zhvilloi më 5 tetor një konferencë për shtyp dhe tha se e kishte mbajtur përfshirjen e tij sekret nga publiku, për shkak se nuk donte që të kishte ndikim në ofertë.

Analistët spekulojnë se vonesa mes kërkesës që “Vetro” të paguante 170 milionë euro dhe njoftimit të 8 shkurtit për të shpallur të pavlefshme ofertën, është bërë që t’i lihej kohë Taçit që të siguronte financimin. Gjithsesi, në klimën aktuale ekonomike dhe duke pasur parasysh natyrën e diskutueshme të tenderit, ai nuk arriti që ta siguronte atë.

Nicholas Watson

–BNE- “Financial Time”

 

Haxhinasto:

Vonë e mësuam që Taçi ishte brenda

“Përmes mediave, në konferencën që dha për shtyp, mësuam se pas ‘Vetros’ ishte Rezart Taçi”, u shpreh dje ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga “Zëri i Amerikës”. Sa u takon dyshimeve mbi ekzistencën e garancisë nga banka amerikane, ministri tha se janë hapur procedurat për ta marrë atë, qoftë dhe me gjyq, ndërsa la të nënkuptohej se procesi konsiderohet i mbyllur dhe se një tjetër privatizim nga e para do të ndodhë pas zgjedhjeve të qershorit.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.